Për pushime jashtë Amerikës, aplikoni herët për t’u pajisur me dokument udhëtimi

Çështje të emigracionit, për ju Avokati Kieran Both:

Avokati Kieran Both

Shërbimi Amerikan i Emigracionit ka parashikuar për periudhën e dimrit një volum shumë më të madh se zakonisht kërkesash për dokumente udhëtimi respektivisht për ata që kanë dhe nuk kanë green card. USCIS u bën thirrje aplikantëve që kanë nevojë për dokument udhëtimi (Reentry Permit, Refugee Travel Document ose Advance Parole) të paraqesin formularin përkatës I-131, Aplikim për Dokument Udhëtimi, (të cilin mund ta gjeni në internet në adresën www.uscis.gov) shumë kohë përpara datës së udhëtimit. Koha që nevojitet për marrjen në shqyrtim të formularit llogaritet përafërsisht 3 deri në 6 muaj. Kemi patur raste vonesash edhe më të mëdha për disa nga klientë tanë, çështja e të cilëve ka qenë problematike.

Personat që kanë bërë kërkesë për advance parole, nuk duhet të largohen nga Shtetet e Bashkuara pa siguruar më parë aprovimin e kësaj kërkese. Udhëtimi jashtë Shteteve të Bashkuara pa dokumentin advance parole mund të ketë pasoja serioze, që çojnë deri në humbjen e mundësisë për t’u rikthyer në Shtetet e Bashkuara si dhe hedhjen poshtë të kërkesës për emigracion në shqyrtim e sipër. Nëse aplikanti që ka paraqitur kërkesë për azil – nga një vend në të cilin sipas tij/saj është persekutuar ose rrezikon të persekutohet – është larguar nga Shtetet e Bashkuara i pajisur me advance parole për ta vizituar atë vend, ai/ajo do të konsiderohet që e ka braktisur kërkesën në fjalë në rast se nuk paraqet arsye bindëse që e justifikojnë rikthimin në atë vend.

U bëjmë thirrje të gjithë lexuesve tanë që të bëjnë kujdes – USCIS mund të aprovojë kërkesën për dokument udhëtimi për dikë që mund të mos i përmbushë kriteret për t’u rikthyer në Shtetet e Bashkuara pas largimit që aty. Shumë njerëz po presin gjatë për aprovimin e kërkesave të paraqitura. Personi që është përfituesi në një aplikim për bashkim familjar (formulari I-130) dhe është në pritje që data kur ka bërë kërkesën të bëhet datë prioritare, nuk duhet të rrezikojë dhe të ndërmarrë një udhëtim jashtë nëse për një periudhë të caktuar kohe ka qendruar në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme. Kjo vlen dhe në rastet kur USCIS-i i ka aprovuar një dokument udhëtimi ose advance parole. Dikush që ka qendruar në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme për më shumë se 180 ditë të njëpasnjëshme, por për më pak se një vit dhe që largohet nga Shtetet e Bashkuara me vullnetin e tij/të saj përpara se të fillojë proçesi për largimin e tij/të saj nga vendi (removal proceedings) nuk mund të rikthehet në Shtetet e Bashkuara pa u mbushur tre (3) vjet që nga data e nisjes. Personit që ka qendruar në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara për një vit ose më shumë, mund të mos i lejohet të futet në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara për dhjetë (10) vjet pavarësisht nëse ai ose ajo u largua përpara, gjatë ose pasi kishte nisur për të proçesi për largimin nga vendi. Me “qendrim të paligjshëm” nënkuptojmë praninë në Shtetet e Bashkuara pa u inspektuar dhe pa u lejuar më parë ose pa marrë parole [nga Emigracioni] në pikën e hyrjes ose kur periudha e qendrimit të autorizuar (si p.sh. viza) ka skaduar. Ndonëse një dokument për advance parole mund t’i lejojë një personi që të rikthehet në Shtetet e Bashkuara, largimi i tij/saj mund të aktivizojë barrierën tre ose dhjetë vjeçare për rikthim nëse personit në fjalë i janë bërë 180 ditë qendrimi të paligjshëm përpara datës kur ai ose ajo konsiderohej të ishte në periudhën e autorizuar të qendrimit. Kjo nënkupton që nëse dikush bën kërkesë për green card pasi është rikthyer në Shtetet e Bashkuara, ose vazhdon aty ku ka lënë kërkesën për green card e cila ishte në pritje për t’u shqyrtuar përpara largimit ose i rithehet statusit sipas të cilit personi duhet të tregojë që nuk është i “palejueshëm”, ai ose ajo përpara se të aprovohet aplikimi për green card, duhet të bëjë kërkesë dhe të sigurojë një dokument (waiver of inadmissibility) që dëshmon që emigracioni ka hequr dorë dhe nuk e quan më personin në fjalë “të palejueshëm”. Në përgjithësi vetëm personat që janë në gjendje të tregojnë që largimi i tyre mund t’i shkaktojë vështirësi të jashtëzakonshme bashkëshortit/es ose prindit që është nënshtetas amerikan ose është i pajisur me green card, mund të bëjë kërkesë për një waiver qoftë për arsye humanitare që të mundësojë që familja të qendrojë së bashku ose në rastet kur diçka e tillë është në të mirën e interesit publik. Është shumë e rëndësishme të konsultoheni me një avokat nëse keni ndërmend të udhëtoni dhe nuk jeni i sigurt nëse ligjet e sipërpërmendura vlejnë ose jo për rastin tuaj. Ligji nuk është shumë i qartë dhe mund të ketë pasoja drastike për atë që ndërmerr një udhëtim në situatë të gabuar.

Azilantët që dëshirojnë të vizitojnë vende të tjera dhe më pas të rikthehen në Shtetet e Bashkuara. 

Gjatë periudhës së festave shumë njerëz dëshirojnë të shkojnë të takojnë njerëzit e tyre të dashur. Një ndër pyetjet më të shpeshta që na vijnë nga lexuesit kanë të bëjnë sidomos me udhëtimin drejt vendit nga i cili kanë kërkuar dhe u është dhënë azil. Azilantët dhe ata që kanë green card të cilën e kanë marrë nisur nga statusi i azilantit duhet t’i nënshtrohen disa rregullave të caktuara që kanë të bëjnë me udhëtimin jashtë Shteteve të Bashkuara.

Azilantët: Azilantët, dmth ata që e kanë fituar tashmë azilin, mund të udhëtojnë jashtë SHBA-së pasi të kenë siguruar më parë aprovimin nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS). Një aprovim i tillë vjen në formën e një dokumenti udhëtimi për refugjatët. Ky dokument është i vlefshëm për dy vjet dhe i jepet azilantit për t’i dhënë mundësinë që të rikthehet në SHBA pas një udhëtimi të përkohshëm jashtë shtetit. Zakonisht dokumenti i udhëtimit duhet siguruar përpara udhëtimit jashtë Shteteve të Bashkuara, por rregullorja lejon gjithashtu që në rrethana të caktuara të lëshohet një dokument i tillë jashtë vendit. Ashtu si në rastin e advance parole, edhe në këtë rast lëshimi i një dokumenti udhëtimi nuk garanton lejen për t’u rifutur në Shtetet e Bashkuara. Azilanti duhet t’i nënshtrohet gjithsesi inspektimit nga zyrtari i emigracionit i ngarkuar me këtë detyrë.

Rezidentët e Përhershëm (mbajtësit e green card-ës): Personat që kanë siguruar një status të tillë nisur nga statusi i azilantit mund të pajisen gjithashtu me dokumentin përkatës të udhëtimit nëse dëshirojnë të udhëtojnë jashtë vendit.

Pasojat e Mundshme në Rast Rikthimi në Vendin nga i cili është Kërkuar Azil për Arsye Persekutimi: Statusi i azilantit mund t’i hiqet dikujt për arsye të caktuara të parashikuara me ligj dhe të listuara në INA § 208 (c)(2). Statusi i azilantit mund t’i hiqet madje dhe atij individi që është bërë rezident i përhershëm (dmth që mban green card). Rikthimi në vendin ku personi ka deklaruar persekutim ose rrezik persekutimi luan rol të madh në një numër arsyesh për heqje statusi. Për shembull, statusi i azilantit mund të hiqet nëse në vendin ky azilanti është persekutuar ose rrezikonte të persekutohej rrethanat kanë ndryshuar në mënyrë të ndjeshme. Heqja e statusit mund të ndodhë dhe kur është kryer mashtrim në aplikimin për azil në atë masë sa azilanti nuk konsiderohet se i përmbush kriteret për azil. Ka raste kur rikthimi në vendin nga ku azilanti i druhet persekutimit, mund të konsiderohet si provë që frika e persekutimit që azilanti pretendon se ka, nuk është e sinqertë. Gjithashtu, heqja e statusit të azilantit mund të ndodhë nëse “i huaji ka përfituar vullnetarisht nga mbrojtja në vendin e kombësisë së tij… duke u rikthyer në atë vend me status rezidenti të përhershëm ose me mundësinë e arsyeshme të sigurimit të këtij statusi me të njëjtat të drejta dhe detyrime që i takojnë rezidentëve të përhershëm të atij vendi.”

Në një memorandum, Shërbimi i Emigracionit ka vënë në dukje që azilantëve që e kanë marrë statusin indirekt si rezultat i lidhjes me aplikantin kryesor u lejohet të udhëtojnë në vendin e persekutimit të aplikantit kryesor. Këtyre nuk u është dhënë azil bazuar në çështje individuale kështu që USCIS-i nuk do të kërkojë që t’u hiqet statusi për shkak të udhëtimit në atë vend. Pavarësisht nga kjo gjë, sipas proçedurave normale një zyrtar i emigracionit gjithsesi duhet t’i marrë edhe ata në pyetje me t’u rikthyer në Shtetet e Bashkuara.

Kohët e fundit kemi qenë dëshmitarë të shumë rasteve kur persona të ndryshëm janë përballur me këtë problem dhe Shërbimi i Emigracionit si dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare janë bërë shumë më agresivë në ndjekjen penalisht të individëve që janë rikthyer në vendin ku kanë deklaruar se kanë qënë persekutuar më parë. U bëjmë thirrje lexuesve tanë azilantë që kanë udhëtuar në të kaluarën në vendin e tyre që përpara se të dërgojnë kërkesën për green card, të konsultohen me një avokat emigracioni me përvojë. Ka ndodhur që shumë personave u është hequr statusi nga USCIS-i pasi kanë paraqitur formularët për green card, sepse USCIS-i gjatë shqyrtimit të këtyre kërkesave kontrollon për precedentë. Ju këshillojmë që të konsultoheni me një avokat nëse keni pyetje të këtij lloji.

Është shumë e rëndësishme të konsultoheni me një avokat nëse keni ndërmend të udhëtoni dhe nuk jeni i sigurt nëse ligjet e sipërpërmendura vlejnë ose jo për rastin tuaj. Ligji nuk është shumë i qartë dhe mund të ketë pasoja drastike për atë që ndërmerr një udhëtim në situatë të gabuar.

I inkurajojmë lexuesit tanë që të konsultohen me një avokat emigracioni me përvojë lidhur me problemet e tyre të veçanta. Gjithashtu ata mund të gjejnë informacion shtesë në faqen e internetit të Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë Amerikane në adresën www.uscis.gov.  Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet dhe pyetjet e vazhdueshme dhe në të ardhmen do të përpiqemi t’i përgjigjemi sa më shumë pyetjeve që të jetë e mundur. Ju ftojmё tё na dёrgoni pyetjet tuaja nё adresёn tonё elektronike [email protected]

Comment

*