Për votimin e diasporës ka vullnet, por jo zgjidhje

Në Kodin e ri Zgjedhor parashihet që emigrantët të votojnë në procesin e ardhshëm për deputetë të vitit 2021

Knid Ndrenika

Reforma Zgjedhore dhe vota e emigrantëve për procesin e ardhshëm ishte tema e takimit online të kryeministrit Edi Rama me Këshillin Koordinues të Diasporës.

Këshilli Koordinues i Diasporës dhe kryeministri Edi Rama me qeverinë diskutuan në mbrëmje për votën e emigrantëve si e drejtë kushtetuese e panegociueshme.

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko tha se vullnetin politik për votën e emigrantëve e kanë shprehur socialistët qeveritarë, opozita që braktisi Kuvendin dhe opozita që qëndroi në Kuvend.

Mospajtimet u shpërfaqën mes ministrit Majko dhe bashkëkryetarit socialist për reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri.

Zoti Majko thekson se vota e emigrantëve është e drejtë e panegociueshme kushtetuese dhe nuk mungon vullneti politik:

“Mazhoranca ka vullnetin e plotë. Edhe opozita që është larguar nga parlamenti, edhe opozita në parlament është shprehur që në zgjedhjet e ardhshme do të marrin pjesë të gjithë shtetasit tanë, të cilët jetojnë jashtë vendit. E drejta kushtetuese e tyre është e panegociueshme!”-tha Majko.

Sipas dy herë ish-kryeministrit Majko “nëse kemi pasur një model përçarës me zotin Gjiknuri, nuk është kështu, por thjesht teknik”.

“Ajo që duhet të bëjmë është me shumë rëndësi të vendosen dispozitat ligjore për votën e emigrantëve pasi nuk janë 10 % por gati gjysma e shqiptarëve dhe duhet bërë ndarja e listave me shqiptarët brenda vendit dhe ato jashtë”-vijoi ai.

Majko vërejti se ka shumë rëndësi që KQZ-ja të ketë dispozita ligjore që të funksionojë për votën e emigrantëve, por siç shtoi “nuk mund të lihet të veprojë thjeshtë me akte normative”.

“Vota e emigrantëve është shumë e rëndësishme për t’ia lënë në dorë KQZ-së”-tha Majko.

Përfaqësuesi Gjiknuri pranoi se reforma Zgjedhore është mbërthyer në mosbesimin që sipas tij “akoma është i lartë”, ndërsa shtoi se vota e tyre do të llogaritet në qarkun e Tiranës për arsye se ashtu funksionon mënyra e regjistrit unik të Gjendjes Civile.

“Kushdo emigrant që e ka kryer regjistrimin e adresës, automatikisht do të gjenerohet në listën e zgjedhësve nëpërmjet një akti të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nëpërmjet postës këtë votë ta bëjë të mundur. Parimet e integritetit të votës së shqiptarëve me banim jashtë shtetit janë të sanksionuara me ligj. Çdo gjë tjetër nga pikëpamja logjistike, proceduriale i është lënë dorë KQZ-së dhe për mendimin tim ajo është rruga”-tha Gjiknuri.

Ai theksoi se procesi është i gjatë dhe kërkon integritet, andaj ka rëndësi që të vendoset parimi dhe gradualisht të kolaudohet:

“Imagjinoni që ky proces në kontekstin e nxehtë politik shqiptar të molepsej, do të hapej një diskutim, që vendosin në diskutim votën e emigrantëve. Këtë nuk duhet ta lejojmë prandaj ta bëjmë më kujdes, po u politizua dhe nëse ka akuza dhe ky proces nuk funksionon siç duhet, kam frikë se do të hapet edhe ky debat”.

Kryeministri Rama shprehu keqardhje për mungesën e besimit të diasporës për qeverinë dhe theksoi se reforma Zgjedhore do të përfundojë brenda javës pavarësisht çka vendos Këshilli Politik.

“Kemi lënë si alternativë të vetme votimin me postë. Ka ekzigjenca të domosdoshme që lidhen me regjistrimin, jo thjesht me praninë e një votuesi në listën e zgjedhësve në Shqipëri, por edhe adresën në vendin ku është”-tha Rama.

Comment

*