Përdhoset monumenti i miqësisë Serbi-Francë në Beograd

Beograd, 13 nëntor 2018 – Një monument që simbolizon miqësinë mes Parisit dhe Beogradit është vandalizuar “disa orë” pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, akuzoi Francën se e trajtoi atë si një lider të klasit të dytë gjatë ceremonisë së të dielës në Paris për 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Mbishkrimi “Për Francën” në monumentin në Beograd ishte shkarravitur me ngjyrë të zezë, sipas një fotoreporteri të AFP-së në Beograd, raporton Express.co.uk.

Vuçiqi u tha mediave se ishte “zemëruar” me faktin se lideri i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte ulur menjëherë pas presidentit francez, Emmanuel Macron, Angela Merkelit të Gjermanisë, Vladimir Putinit të Rusisë dhe Donald Trumpit të SHBA-së për ceremoninë, ndërsa ai ishte udhëzuar të ulet larg tyre. Lideri serb u ankua, për dallim nga homologu i tij kosovar, se ishte ulur në një pjesë që ishte rezervuar me gjasë për mysafirë jo-VIP.

“Mund ta merrni me mend se si jam ndierë. Kisha një gungë në fyt”, tha Vuçiqi për mediat serbe, transmeton Koha.net.

“Më duket se tërë ceremoninë e kam kaluar duke i ngulitur sytë në dysheme dhe ekran, sepse s’mund të besoja se çfarë po ndodhte, duke e ditur çmimin e paguar me gjak nga populli i Serbisë në Luftën e Parë Botërore”.

“Kush e ka bërë planin e ulëseve? Vërtet nuk e di. Por të krijohet bujë atje… s’kishte kuptim”, shtoi ai.

Por, ambasadori francez në Serbi, Frederic Mondoloni, ka kërkuar falje për ngatërresën diplomatike. (r.m.)

Comment

*