Përfaqësuesja e Kosovës synon lojtarë të ligave europiane

Prishtinë, 6 gusht 2018 – Para Ligës së Kombeve të UEFA-s, e cila fillon në shtator, Federata e Futbollit e Kosovës shpreson të tërheqë lojtarë të cilët luajnë në ligat evropiane.

Përfaqësuesja e Kosovës po shqyrton mundësinë e rekrutimit të talentëve të rinj.

Eroll Salihu, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka thënë se është optimist se përfaqësuesja e Kosovës do të tërheqë shumë lojtarë që luajnë në klubet e mëdha evropiane.

Salihu nuk dha detaje specifike për bisedimet që po zhvillon, por pranoi se FFK ishte në kontakt me lojtarët që janë të përfshirë në klube të njohura evropiane.

“Ne kemi një strategji të qartë se si t’i qasemi atyre dhe po punojmë në të”, ka thënë ai për BIRN.

“Ne jemi në kontakt me lojtarët por edhe me prindërit e tyre që mund të luajnë një rol të madh në bindjen e tyre për të luajtur për Kosovën”, ka shtuar ai.

Meritan Shabani i Bayernit të Munchenit, javën e kaluar, zuri titujt kryesorë në mediat e Kosovës, pasi shënoi gol në ndeshjen miqësore kundër kampionit anglez, Manchester City.

Kosova gjendet në Grupin 3 të Ligës D, bashkë me Maltën, Ishujt Faroe dhe Azerbajxhanin. Ekipi që plasohet më lart në grup ngritet në një ligë më të lartë, ku do të ketë kundërshtarë më të vështirë. (r.m.)

Comment

*