Përfitimet ekonomike nga shtetësia e Shqipërisë – Çon drejt tregut unik

Arben Halili

Arben Halili

“Sigurisht që një hap i tillë ka qenë i pritur për dekada të tëra. Bërja realitet e kësaj iniciative do paraqesë një motiv shtesë, por edhe një mundësi më shumë për realizimin e iniciativave të ndryshme edhe në rrafsh ekonomik”, thotë  Arben Halili nënkryetar  i OEMVP

Zejnulla Veseli

Shkup, 5 gusht – Dhënia e shtetësisë së Shqipërisë edhe për Shqiptarët e Maqedonisë do të ndihmojë në krijimin e një tregu të përbashkët gjithëshqiptarë. Ekspertët ekonomik theksojnë se Qeveria shqiptare dhe afaristët shqiptarë në Maqedoni në të ardhmen duhet të angazhohen që tregu unik të bëhet realitet.
Nënkryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore(OEMVP), Arben Halili, thotë se dhënie e shtetësisë shqiptare edhe për qytetarët shqiptarë jashtë kufijve të shtetit amë, në radhë të parë paraqet hap domethënës jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë ekonomik. “Sigurisht që një hap i tillë ka qenë i pritur për dekada të tëra. Bërja realitet e kësaj iniciative do paraqesë një motiv shtesë, por edhe një mundësi më shumë për realizimin e iniciativave të ndryshme edhe në rrafsh ekonomik”, thotë Halili. Sipas tij, qytetarët e të dyja vendeve do kenë një arsye më shumë, por pse jo edhe mundësi juridike më të kapshme dhe me lehtësuese për hapa konkret ekonomik, sepse duke qenë edhe shtetas të Shqipërisë, atëherë përfaqësuesit e biznesit nga kjo anë e kufirit do sigurojnë të drejtat ligjore për biznes bërje të nivelit të njëjtë me ato të shtetit shqiptar. “Duhet qenë pragmatik, ata të cilët edhe deri më tani kanë dashur të realizojnë iniciativë të tilla, me siguri që kanë gjetur ato mundësi bashkë-investimi me partnerë të sferës së biznesit nga Shqipëria. Megjithatë, sigurimi i shtetësisë shqiptare për shumë kënd mund të shërbejë edhe si një lidhje emocionale dhe një impuls pozitiv për partneritete inventive me biznesmenë nga Shqipëria. Pa diskutim që kjo nismë do ketë efektet e veta pozitive në përgjithësi dhe besoj që perspektiva e afërt do dëshmojë që shqiptarët e kësaj ane të kufirit dinë të jenë edhe patriotë ekonomik kur është në pyetje Shqipëria”, thotë Halili
Dhënia e shtetësisë shqiptare edhe për shtetasit e Maqedonisë, sipas profesorit të ekonomisë në UEJL Gadaf Rexhepi, është një hap të rëndësishëm i cili në atë ardhmen do të hap dyert për krijimin e një tregu të përbashkët. “Përvoja e dhënies së shtetësisë në shumicën e rasteve ka dhënë dhe rezultate për një bashkëpunimi më të madh ekonomik mes dy shteteve. Në rastin konkret, shteti shqiptar dhe biznesmenët shqiptarë të Maqedonisë do të kenë benefite të përbashkëta, që do të jenë në interes të të dyja palëve. Për biznesmenët shqiptarë nga Maqedonia do të jetë pozitive, pasi që ata me marrjen e shtetësisë do të fitojnë disa benefite shtesë si dhe siguri më të madhe të bizneseve të tyre”, thotë profesori Rexhepi. Pas kësaj, thekson Rexhepi, biznesmenët nga Maqedonia dhe Qeveria e Shqipërisë duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur që të dy palët të shfrytëzojnë potencialet e tyre plotësuese të njëra-tjetrës në fushat e ndryshme të bizneseve. “Duhet krijuar një hapësirë e tillë ekonomike, që një investitor i vendit apo i huaj, ta shohë këtë hapësirë si treg të përbashkët me të gjitha pjesët përbërëse dhe pastaj është shumë e rëndësishme të ecim përpara drejt krijimit të një tregu unik të punës”, thotë Rexhepi. Ai gjithashtu thekson se për të krijuar një treg të përbashkët kërkohet edhe kohë, kërkohen edhe investime të përbashkëta në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, por në radhë të parë duhet hequr pengesat të cilat ekzistojnë për të zhvilluar biznes të përbashkët midis afaristëve të Shqipërisë dhe atyre nga Maqedonia.
Ndryshe, prej këtij muaji hyri në fuqi dhënia e shtetësisë së Republikës së Shqipërisë edhe për shqiptarët e Maqedonisë dhe këtë të drejtë mund të shfrytëzojnë edhe shqiptarët të cilët jetojnë në vendet e ndryshëm të botës dhe Evropës, por që kanë të paktën njërin prind me origjinë shqiptare.

Comment

*