Performancë për mbrojtjen e hebrenjve nga shqiptarët

Prishtinë, 29 korrik 2017 Drejtori i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael, Lekë Rezniqi, të shtunën ka organizuar një performancë në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, përmes së cilës ai e përshkruan shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët e Kosovës.

Rezniqi qëndronte pranë një instalacioni ku shfaqej një foto e një tavoline me karrike dhe në anën tjetër përshkrimi i aktivitetit të tij.

Ai u tregoi të interesuarve për domethënien e performancës.

“Kjo është tavolina e cila i takon familjes hebreje, ka shkuar prej Manastirit të Maqedonisë prej nga ka qenë familja hebreje që sot është në Izrael”, tregoi Rezniqi për tavolinën që për të ka një domethënie të madhe.

Leka, i cili është gazetar në KTV, ka treguar historinë e tavolinës të cilën e ka vënë si shejë simbolike, në shesh.

“Kjo tregon se si stërgjyshi im, Arsllan Rezniqi, e ka mbrojtur një doktor hebre, Haim Abravanel, gjatë Luftës së Dytë Botërore në shtëpinë tonë, në Deçan, dhe i ka ndihmuar për gjashtë muaj”, ka thënë ai, transmeton Insajderi.

Gjithashtu Rezniqi ka treguar se si gjatë gjashtë muajve sa ka qëndruar doktori në shtëpinë e tyre, ai e ka trajtuar popullatën lokale që ka pasur nevojë për trajtim mjekësor. Ky mjek kishte dhënë një kontribut të madh për familjen e tij.

E arsyeja pse Rezniqi e ka zgjedhur pikërisht ditën e sotme ishte 54-vjetori i takimit të fundit mes stërgjyshit të tij, Arsllanit, dhe mjekut hebre Abravanel, pas tërmetit të vitit 1963 në Shkup, me ç’rast kishin mbetur të vdekur familjarë të doktorit.

Vetë Rezniqi ka qenë në Izrael për të vizituar familjen e doktorit. Mbesa e doktorit, e cila tani është pronare e tavolinës, i kishte treguar atij se në këtë tavolinë Abravanel dhe stërgjyshi i Rezniqit kishin biseduar me orë të tëra në Manastir, kur Arsllan Rezniqi kishte shkuar për vizitë. (r.m.)

Comment

*