Përfundon aksioni te “Astiri”, shemben 33 ndërtesa

Tiranë, 12 nëntor 2019 – Në orët e mbrëmjes ka përfunduar aksioni Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për shembjen e 33 objekteve në zonën e Astirit, në Tiranë.

IKMT, përmes një postimi në Facebook, ka bërë me dije se pak minuta më parë është shembur edhe objekti i 33-të në këtë zonë.

“Perfundon aksionin tek ‘Astir’. Vetem pak momente me pare, mjetet e IKMT kane prishur edhe objektin e 33 ne zonen e “Astirit”. Nga operacioni qe filloi mengjesin e sotem, u prishen 15 objekte nje kateshe, 11 objekte 2 kateshe, 6 objekte 3 kateshe dhe 1 objekt kater katesh”, thuhet në njoftimin e IKMT.

Ky aksion është shoqëruar me tensione, ndërsa banorët kanë protestuar dhe janë përplasur me forcat e policisë për të mbrojtur banesat e tyre duke mos pranuar shembjen.

Disa persona janë shoqëruar në komisariat, ndërsa është raportuar edhe për të lënduar.

Policia e Tiranës ka bërë me dije se gjatë aksionit, një grup banorësh kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë.

“Banorët kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba moltov punonjësit e Policisë, të cilit ishin planizuar me shërbim.

Si pasojë e sulmit mbi Policinë janë plagosur 5 punonjës të Policisë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak.

Gjithashtu edhe 7 banorë janë lënduar e po marrin ndihmë mjekësore jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin zyrtar.

(Panorama)

Comment

*