Përfundon greva e minatorëve të “Trepçës”

Prishtinë, 19 nëntor 2020 – Minatorët e minierave të “Trepçës” e kanë përfunduar grevën, pasi nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit u është konfirmuar se pagat për muajin tetor do të transferohen në llogaritë e tyre më së largu të premten.

Ndërprerjen e grevës e ka konfirmuar Gani Osmani, nga Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

“Greva ka përfunduar, minatorët kanë dalë nga miniera aty ku kanë qëndruar disa, nga dita e mërkurë e disa që nga mëngjesi i ditës së sotme. Greva është ndërprerë pasi që janë informuar se pagat do t’iu dalin në xhirollogari”, ka thënë Osmani për Radion Evropa e Lirë.

Minatorët e “Trepçës” u ngujuan në miniserat e Stantërkut dhe Artanës, pasi nuk u janë paguar ende pagat e muajit tetor.

Pas kësaj situate të krijuar, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bordit të ndërmarrjes “Trepça”, Hysen Vrajolli, ka dhënë dorëheqje.

Vrajolli ka shpjeguar se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit kanë kërkuar dorëheqjen e tij dhe ai këtë e ka bërë menjëherë e pa hezitim.

Pas dorëheqjes së Vrajollit në këtë detyrë është emëruar Enes Muzaqi, anëtar i deritashëm i Bordit të “Trepçës”.

Qeveria e Kosovës kishte thënë se për “Trepçën” kishte ndarë ka ndarë mbi një milion euro, për t’i tejkaluar problemet financiare me të cilat përballet kjo ndërmarrje. Deri më sot këto parsa nuk ishin derdhur ne xhirollogarinë e “Trepçës”.

“Trepça” është shoqëri aksionare. 80 për qind të aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të ndërmarrjes.

(r.m.)

Comment

*