Përfundon greva e minatorëve të “Trepçës”

Prishtinë, 12 janar 2019 – Minatorët e kombinatit “Trepça” janë kthyer në vendet e tyre të punës, pas grevës një javore, përmes së ciës kanë shtruar disa kërkesa.

Lajmin e ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Shyqri Sadiku.

Sadiku ka thënë se greva është ndërprerë pas një marrëveshjeje të përkohshme të arritur me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Edhe ministri Lluka ka publikuar njoftimin për arritjen e marrëveshjes me minatorët. Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se me punëtorët e kombinatit “Trepça” është arritur një marrëveshje dhe ka theksuar se shumë shpejt do të ndodhë “ringjallja” e këtij kombinati.

“Sot kam dërguar kërkesë për auditim të detajuar të kësaj ndërmarrje tek Auditori i Përgjithshëm, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë të kësaj ndërmarrje”, ka shkruar ai

“Ne do të bëjmë përpekje që në muajin shkurt të këtij viti, ‘Trepça’ të regjistrohet si shoqëri aksionare dhe të shpallen pozitat menaxheriale kryesore”, thuhet në postimin e tij.

Minatorët kishin kërkuar rritjen e pagave për 20 për qind, shkarkimin e Bordit Drejtues të  kombinatit, ndalimin e punësimit të stafit pa konkurs dhe krijimin e kushteve më të mira për punë. Gjithashtu, ata kanë kërkuar që sa më shpejt të miratohet statuti i Kombinatit “Trepça”, ashtu siç parashihet me Ligjin për “Trepçën”. (r.m.)

Comment

*