Përfundon pa ndonjë përfundim mbledhja maratonike e Vetëvendosjes

Prishtinë, 15 janar 2018 – Mbi tetë orë ka zgjatur mbledhja e përbashkët e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupit të deputetëve të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.

Por, as pas kësaj mbledhjeje maratonike struktura drejtues e partisë dhe përfaqësuesit e saj në organin më të lartë legjislativ të vendit duket se nuk kanë arritur të mbyllin çarjet gjithnjë e më të thella mes dy grupeve.

Kjo del nga deklaratat e dy ish-kryetarëve të partisë, Albin Kurtit e Visar Ymerit.

Në fakt, Albin Kurti, i cili konsiderohet ideolog i Vetëvendosjes, ka lënë të kuptohet se diskutimet lidhur me sanimin eventual të çasrjes do të vazhdojnë.

“Ishte mbledhje e gjatë dhe diskutimet vazhdojnë dhe puna në Lëvizje do të vazhdojë”, ka deklaruar Kurti pas përfundimit të mbledhjes.

Kurti, i cili është kandidat i vetëm për kryetar të partisë në zgjedhjet që janë caktuar për datën 21 janar nuk ka dashur të japë hollësi për mbledhjen e sotme.

Ai nuk është përgjigjur në asnjë pyetje të gazetarëve, të cilët kanë qëndruar para selisë së partisë prej orës 15, kur ka filluar mbledhje e deri pas orës 22, kur ka përfunduar ajo.

Por, kryetari i deritashëm i partisë, Visar Ymeri, ka konfirmuar se përçarjet brenda Vetëvendosjes duken të pariparueshme.

“Sot nuk jemi dakorduar dhe nuk e di nëse do të dakordohemi”, ka deklaruar Ymeri.

Ai ka thënë se në mbledhjen e sotme nuk ka pasur përafrim të qëndrimeve midis dy grupeve dhe ka shpjeguar se te disa “individë”, siç është shprehur ai, nuk ka pasur vullnet për përafrim.

“Nuk shoh asnjë përafrim. Nuk shoh asnjë vullnet që të diskutohet mbi zgjidhjen e problemeve”, ka thënë ai.

Ish kryetari i Vetëvendosjes, i cili dha dorëheqje në muajin dhjetor, kur dolën në pah përçarjet brenda partisë, ka lënë të kuptohet se në strukturat drejtuese të partisë ka individë që e vënë veten e tyre mbi partinë.

“Konsideroj se Lëvizja Vetëvendosje është në një fazë të rëndësishme dhe secili individ do duhej ta vendoste organizatën para vetes”, ka thënë Ymeri.

“Mendoj se secili duhet të heqë dorë nga vetja për të mirën e organizatës dhe mendoj se kjo do të kishte me qenë zgjidhje për organizatën”, ka thënë ai.

Ymeri nuk ka qenë konkret nëse kjo “heqje dorë” e nënkupton edhe tërheqjen e kandidaturës së Albin Kurtit për kryetar të partisë.

Disa partale e kanë intepretuar këtë deklaratë të tij pikërisht si thirrje të Ymerit drejtuar pikërisht Kurtit.

Tash për tash nuk ka ndonjë konfirmim nëse do të vazhdojnë ose jo përpjekjet për kompromis ose pajtim të dy grupeve brenda Vetëvendosjes, me qëllim që të shmanget ndarja përfundimtare e partisë.

Sipas nënkryetarit Shpend Ahmeti, të dy palët janë pajtuar të vazhdojnë diskutimet.

“Nuk kemi arritur që të gjejmë marrëveshje apo që të dakordohemi për rrugën përpara. Megjithatë mendoj që ka qenë diskutimi së paku më i sinqertë që kam dëgjuar në këta muajt e fundit sa i përket dallimeve, të cilat mendoj se janë tepër të thjeshtuara në publik, por së paku u dakorduam që të vazhdojmë diskutimet dhe mendoj që do të ketë diskutime edhe më intensive gjatë ditëve në vijim, për të parë se a ka mundësi që të vazhdohet në një rrugë të përbashkët”, citohet Ahmeti.

(Ramadan Muçolli)

Comment

*