Perina: “Në Dejton nuk janë mbledhur fitimtarët, por humbësit”

Prishtinë, 14 maj 2019 – Diplomati i ndjerë amerikan, Rudolf V. Perina, pjesëmarrës në Konferencën e Dejtonit, e ka quajtur favor për Kosovën mospërfshirjen e saj në Konferencën e Dejtonit.

Gjatë një vizite në Kosovë, më 1996, Perina ka treguar se këtë ua kishte thënë edhe shqiptarëve që kishin protestuar në Dejton, gjatë kohës që atje po mbahej konferenca.

Në një takim me kryetarë të degëve të LDK-së, më 9 shkurt 1996, ai ka treguar se çfarë u kishte thënë protestuesve shqiptarë në Dejton, të cilët druanin se SHBA po e trajtonte çështjen e Kosovës si çështje të brendshme të Serbisë.

Z. Perina, i cili ishte bashkëpunëtor i ngushtë i ndërmjetësit amerikan në negociata për vendosjen e paqes në hapësirën e ish-Jugosllavisë, Richard Holbrooke, kishte thënë se në Konferencën e Dejtonit nuk po merrnin pjesë fitimtarët, por humbësit.

Ja çfarë shkruante gazeta “Zëri” e datës 17 shkurt 1996 nga takimi i diplomatit të lartë amemrikan me kryetarë të degëve të LDK-së, në Prishtinë. Gazeta i referohej Profesor Fehmi Aganit, nënkryetarit të LDK-së, i cili ka marrë pjesë në këtë takim.

“Gjatë bisedave të Dejtonit, tha diplomati amerikan, për katër javë a sa zgjaten ato, isha atje në bisedime. Ato ditë u mbajtën dy manifestime të protestës të shqiptarëve në SHBA. Bisedova me përfaqësuesit e të dy grupeve që protestonin. Ata kishin shumë ankesa të drejta për Kosovën, për pozitën e vështirë të shqiptarëve dhe zgjidhjen e ngadalshme të problemit. Disa më të nxehtit nga ata, vazhdoi diplomati amerikan, thoshin: Po të ishim sjellë edhe ne ndryshe (po të kishim luftuar) – edhe ne do të ishim këtu, në Dejton! “Po – tha diplomati amerikan – iu përgjigjesha. Mund të ishit të pranishëm në bisedat që po zhvillohen. Por do të mund të kishit 200 mijë të vdekur dhe një milion refugjatë! Dhe dëmtime materiale të tmerrshme! Është kjo pagë tepër e rëndë për të qenë i pranishëm në këto bisedime të Dejtonit? “Por – vazhdoi diplomati amerikan, me një poentë të jashtëzakonshme – ç’po ju duhet të jeni këtu, në Dejton, u thashë? Këtu nuk janë mbledhur fitimtarët, këtu janë mbledhur humbësit”!”, shkruan “Zëri”.

Në takim me kryetarë të degëve të LDK-së, z. Perina ka thënë se çështja e Kosovës ishte në fokus të administratës së SHBA.

“Kosova është preokupim i vazhdueshëm i politikës amerikane”, citohej Perina nga Qendra për Informim e Kosovës.

Ai ka thënë se SHBA e mbështeste politikën paqësore të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.

“Mbështetja e SHBA-ve për Presidentin Rugova dhe popullin e Kosovës qëndron në faktin se ju përpiqeni të zgjidhjni çështjen tuaj me paqe dhe me dialog”, citohet më tutje Perina nga QIK.

Diplomati amerikan Rudolf V. Perina, ka qenë specialist për marrëdhënie të SHBA-së me Evropën Lindore e Perëndimore, për më shumë se tridhjetë vjet, gjatë dhe pas periudhës së luftës së ftohtë

Ai ka kryer detyra të ndryshme në diplomacinë dhe në administratën amerikane. Ndër të tjera, ka qenë edhe Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështje të Evropës e Kanadasë dhe drejtor për Çështjeve Evropiane dhe Sovjetike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

(Ramadan Muçolli)

 

 

Comment

*