Përjashtimi i AKA nga EQAR ndez “betejë” të re mes Haradinajt e opozitës

Prishtinë, 7 mars 2018 – Përjashtimi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA) nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR) ka nxitur debat të ashpër mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës, sidomos mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe deputetëve opozitarë që e bëjnë Haradinajn përgjegjës kryesor për këtë vendim të EQAR me pasoja të rënda për arsimin e lartë të Kosovës.

EQAR ka marrë vendim për përjashtimin e AKA pas shkarkimit të Bordit të saj nga ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi, me rekomandimin e Kryeministrit Haradinaj.

Komiteti i EQAR ka vlerësuar se ”kjo agjenci nuk funksionon më e pavarur”, prandaj ajo nuk i përmbush standardet evropiane.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e jashtëzakonshme të ftuar nga ky grup parlamentar, ka  kërkuar përgjegjësi nga kryeministri Haradinaj dhe nga ministri Bytyqi për përjashtimin e AKA nga EQAR-i.

Hoti ka përmendur disa nga pasojat e përjashtimit.

“Ky përjashtim mund të ndikojë në punësimin sezonal në Evropë të të diplomuarave dhe atyre që vijojnë arsimin e lartë në Kosovë. Rrezikohet referencimi i Kosovës në Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, që ka qenë një ndër arritjet e mëdha të sistemit të arsimit gjatë viteve 2016-2017”, theksoi Hoti.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, përmes deputetes Arbëria Nagavci, e ka cilësuar shumë shqetësues përjashtimin e AKA nga EQAR.

Nagavci ka thënë se Vetëvendosje kërkon urgjentisht nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të përmirësuar këtë dëm të madh që po i bëhet arsimit të lartë nga ndikimet politike e partiake.

“Është plotësisht e papranueshme që arsimi i lartë në vend të dëmtohet deri në këtë masë, për shkak të betejave partiake e biznesore në mes të grupeve të caktuara të interesit”, ka thënë Nagavci.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka thënë se vendimi për shkarkimin e Bordit të AKA mund të ketë qenë i nxituar, por jo qëllimkeq. Sipas tij, ky vendim është marrë për shkak se “Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk arriti të funksionalizohet me kohë që të dëshmojë pavarësinë e vetë”.

Ai ka bërë thirrje që sa më parë të zgjidhet dhe funksionalizohet Bordi i ri i AKA.

“Pra, jemi të hapur për këtë çështje. Duhet të gjithë së bashku të angazhohemi për përshpejtimin e të gjitha procedurave për të funksionalizuar sa më parë Agjencinë Kosovare të Akreditimit, sepse çdo vonesë do të jetë më problematike”, ka thënë Bytyqi.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me kërkesë të të cilit ishte bërë shkarkimi i bordit të kaluar të AKA, ka thënë se shkarkimi i anëtarëve të bordit “nuk ka ndodhur për shkak të përkatësisë partiake, por për shkak të vërejtjeve që janë paraqitur ndaj tyre”.

“Pse u bë kaq kiamet pse është shkarkuar një njeri. Ku po ju dhemb. Nëse ju mungon profiti apo paratë që iua ka dhënë ai njeri i korruptuar. Tregoni burra. Po më duket se iu paska dhënë të gjitha partitive, pasi krejt jeni bërë bashkë për ta mbrojtur një agjenci”, është shprehur Haradinaj.

Përjashtimi i Kosovës nga EQAR ka nxitur reagime dhe protestë të një grupi të studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë kërkuar largimin e kontrollit të politikës mbi arsimin.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka thënë se edhe pas përjashtimi të Kosovës nga EQAR  diplomat e universiteteve dhe kolegjeve të Kosovës do të trajtohen nga universitetet evropiane ashtu siç janë trajtuar deri më tash. (r.m.)

Comment

*