Përkujtohet 25 vjetori i sulmit terrorist në Nju Jork

Në vitin 1993, terroristët shpërthyen më shumë se 500 kilogramë eksplozivë nën Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke vrarë gjashtë vetë dhe duke plagosur më shumë se një mijë të tjerë. Në përkujtim të 25 vjetorit të sulmit, familjet e viktimave u mblodhën për të nderuar të dashurit e tyre që humbën jetën atë ditë të shkurtit, e cila do të ndryshonte përgjithmonë jetën e tyre dhe botën rreth tyre.
Një grumbullim intim…për të kujtuar gjashtë viktimat e sulmit të parë në Qendrën Botërore të Tregtisë në vitin 1993, tetë vjet para se terroristët të sulmonin më 11 shtator 2001. Katër të vrarë ishin punonjës të Autoritetit Portual, njëra prej tyre ishte shtatzënë.
Drejtori i portit Nju Jork- Nju Xhersi Kevin Otoole tha: “Ne nuk ishim gati për atë atë ditë. Amerika nuk ishte gati për atë ditë. Dhe për këtë unë them, ‘Më vjen keq!’ ‘Na vjen keq!’”
Andrew Colobella humbi kushëririn në sulmin e vitit 1993 në qëndrën botërore të tregtisë: “Sulmi i vitit ’93 ishte fuçi baruti. Ishte fillimi i goditjeve ndaj Amerikës”.
Njëzet e pesë vjet më parë, terroristët kishin shpresuar të rrëzonin dy kullat binjake duke shpërthyer eksplozivin brenda një furgoni në një parkimi nën tokë në Qendrën Botërore të Tregtisë. Kjo nuk ndodhi. Por për familjet e viktimave, ajo që ndodhi, është një kujtesë për vlerën e jetës.
Andrew Colabella thotë: “Çdo ditë takohesh me individë pa e ditur se ky mund të jetë takimi i fundit me ta. Kështu ndodhi me ata që humbën jetën më 26 shkurt të vitit 1993, dhe nuk u kthyen më. Dhe ne jemi këtu. Ne jemi ata që mbetën.”
Përkujtimi është gjithashtu një festë e jetës – një ditë tjetër për të treguar historitë dhe trashëgiminë e gjashtë individëve, së bashku me ata që rrezikuan jetën e tyre atë ditë. Burri i Lisa Knapp humbi babain e tij në sulmin e vitit 1993. Ajo thotë se është e rëndësishme që t’u mësojë fëmijëve të saj për gjyshin e tyre.
“… t’u mësojmë se sa shumë e donim dhe se nuk është e lehtë, por është ajo që duhet të bëjmë”, thotë Lisa. (VOA)

Comment

*