Përleshje fizike mes Dardan Molliqajt e Haki Abazit, pas debatit televiziv

Prishtinë, 11 shtator 2019 – Një debat në televizionin T7 ka degjeneruar në përleshje fizike midis dy kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës, Dardan Molliqajt të koalicionit AAK-PSD dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.

Abazi ka thënë se duke dalë nga studio e emisionit “Presing” është sulmuar fizikisht nga Molliqaj dhe shoqëruesi i tij.

“Pasi që kemi dalë nga studio në koridor, kam qenë bashkë me Rexhep Hotin kurse Dardani me një përcjëllës të tij që nuk e di se as kush ka qenë kanë ardh mbrapa dhe mi kanë kapë duart dhe kanë tentu me më sulmu, dhe pastaj u krijua një situatë e pakëndshme”, ka thënë Abazi për Indeksonline.

Ai treguar se kandidati i PDK-së, Rexhep Hoti, i cili ka qenë pjesëmarrës në debat, ka ndërhyrë dhe e ka ndërprerë përleshjen.

“Rexhepi na ka nda. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Nuk ka pasë afër njerëz të tjerë”, ka shtuar ai.

Por, Molliqaj ka mohuar se e ka sul,muar fizikisht Abazin. Ai ka thënë se ky ka qenë “një debat  me pak tensione”.

“Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Megjithatë, ai nuk ka hezituar të pranojë se  nuk e ka problem  “asnjë akuzë e sulm” për veprimet e tIj politike.

“Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndjehem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Secilin veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike. Ankesa e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në nivel argumentesh nëpër debate televizive”, ka shtuar ai.

Autori i emisionit “Pressing”, Leonard Kërquki, ka konfirmuar se midis Abazit dhe Molliqajt ka pasur përleshje fizike. Ai ka thënë se nuk e di si ka filluar përleshja dhe kush kënd e ka sulmuar, por e ka parë Abazin duke rënë përtokë.

“I kam pershendetur te gjithe mysafiret dhe jam bere gati per ta nisur pjesen e dyte. Papritmas e kam degjuar nje zhurme te madhe ne studio. Jam kthyer dhe kam pare teksa plandosej per dysheme z. Haki Abazi. Kam dale me nxitim ne koridor dhe kam mundur ta shoh z. Dardan Molliqaj teksa hynte ne lift dhe z. Rexhep Hotin qe ishte ne korridor. Nuk kam mundur te bisedoj me z. Molliqaj, as me z. Hoti. Nuk e kam pare situaten çfare ka ndodhur, pasi qe isha ne studio dhe ngjarja ka ndodhur jashte saj”, ka shkruar Kërquki në Facebook.

Policia e Kosovës, e cila është njoftuar për incidentin nga partia e Abazit, Lëvizja Vetëvendosje, ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Burime brenda policisë kanë bërë të ditur se Abazi është intervistuar lidhur me rastin në Stacionin e Policisë në Fushë Kosovë.

Policia ka provuar të marrë për intervistim edhe Mollqajn, por nuk ka arritur ta kontaktojë, pasi telefoni i tij nuk ka qenë i qasshëm.

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me sulmin ndaj kandidatit të saj. Ajo ka thënë se Abazit i janë shkaktuar lëndime fizike nga Molliqaj dhe shoqëruesit e tij.

“Pas emisionit ‘Pressing’ në T7, kandidati i listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Haki Abazi është sulmuar rëndë nga kandidati i AAK-së, D. Molliqaj dhe shoqëruesit e tij. Ky sulm banditesk i ka shkaktuar lëndime fizike z. Abazi, dhe për këtë menjëherë kemi njoftuar policinë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

“Tash po e kuptojmë se sllogani i tyre propagandistik ‘guxim dhe dije’, po nënkupton që guximin e paskan banditët, a dijen injorantët.

Kjo parti pret që policia të marrë masa ndaj Molliqajt dhe ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta largojë nga lista e kandidatëve për deputetë.

“Presim nga policia të marrë masa ndaj tyre. I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Gjatë debatit televiziv që ka degraduar me dhunë fizike, Molliqaj e Abazi e kanë sulmuar ashpër njëri-tjetrin verbalisht. Ata kanë shkëmbyer edhe akuza të rënda dhe fyerje të ukëta në adresë të njëri tjetrit. Gjatë përplasjes verbale janë apostrofuar edhe familarët e njëri-tjetrit. (r.m.)

Comment

*