Përpjekja e fundit në Amerikë për të ndaluar pavarësinë në Kosovë

Ruben Avxhiu

Igëllbërger, si Sekretar Shteti në detyrë, duke qendruar mbas Presidentit Bush. Pas tij, gjenerali Kolin Pauëll, që do të bëhej edhe vetë një ditë Sekretar Shteti, nën presidencën e Bushit të Ri.

10 vjet më parë, ish-Sekertari i Shtetit, Lawrence Eagleburger doli nga kapitujt e mbyllur të historisë për t’i bërë Beogradit edhe një shërbim të fundit.
Së bashku me diplomatin John Bolton dhe ish-Ndihmës-Sekretarin e Mbrojtjes, Peter Rodman, shkruan një artikull në “The Washington Times” ku i kërkonin Presidentit W Bush të rishikonte vendimin e tij për Kosovën.
Sipas tyre pavarësia e Kosovës nuk ishte në interes të Shteteve të Bashkuara dhe përbënte një provokim të panevojshëm për Rusinë.
Një vend i zhytur në korrupsion dhe me një ekonomi që nuk do të ngrihej kurrë në këmbë, ata parashikuan që Kosova do të mbetej një shtet jofunksional dhe një problem i përhershëm për Amerikën.
Egaleburger që dikur kishte shërbyer si Ambasador në Beograd, ishte zv-Sekretar Shteti kur filloi kriza jugosllave. Për shkak të njohjes së rajonit, ai u caktua si këshilltar personal i Presidentit Bush për Jugosllavinë.
Ky vendim u kritikua ashpër nga diasporat shqiptare, kroate e boshnjake në SHBA, me argumentin se Eagleburger kishte punuar me vite privatisht në Jugosllavi dhe kishte konflikt interesash personale me detyrën që po merrte.
Në fakt, frika e tyre u vërtetua njëfarësoj, për shkak se SHBA ngurroi të njihte pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë për gati një vit pasi u shkëputën nga Jugosllavia. Nuk dihet nëse apatia amerikane për Jugosllavinë në vitet 1990-1992, ishte vetëm për faj të Eagleburger-it, po shqiptarët dhe kroatët nuk kishin besim të ndikimi i tij.
Ata u alarmuan akoma më shumë kur Eagleburger zëvendësoi James Baker në postin e Sekretarit të Shtetit. Megjithatë, për hir të të vërtetës, kongresisti Engel, që qysh atëhere kishte krijuar lidhjet me shqiptarët, parashikoi se Eagleburger do të ndryshonte qendrim nëse merrte postin më të lartë të diplomacisë amerikane. Ashtu ndodhi. Eagleburger u radikalizua kundër Beogradit, në muajt e fundit të administratës Bush.
Madje, përpara se Presidenti George HW Bush të bënte Kërcënimin e tij të famshëm të Krishtlindjeve në 1992, që nëse Serbia hapte luftë në Kosovë, SHBA do të ndërhynte, këtë kërcënim Beogradit ia kishte bërë vetë Eagleburger. Edhe pas largimit nga pushteti, ai mbeti mbështetës i një ndërhyrjeje ushtarake në Bosnje për të detyruar serbët që të bënin paqe.
Ashtu si kishte parashikuar kongresisti Engel, në momentin që vihesh në krye të diplomacisë amerikane nuk përfaqëson më pikëpamjet e tua, po ato afatgjata të Shteteve të Bashkuara. Një shembull ky i jashtëzakonshëm i traditave dhe institucioneve amerikane.
Mirëpo, pavarësia e Kosovës, mesa duket mbeti gjithësesi një vijë e kuqe, të cilën Eagleburger nuk mundi ta kalonte apo ta pranonte. Në pension. I shkëputur nga lidhjet profesionale me Departamentin e Shtetit. Dhe nën ndikimin e miqve të tij të vjetër serbë ai doli edhe njëherë në skenë për të bërë thirrjen bashkë me Ambasadorin Bolton që Kosova të mos mbështetej për statusin e pavarësisë.
Tani, pas një decade të plotë, e dimë se historia nuk u ka dhënë të drejtë. Kaosi që ata parashikonin se do të ndodhte në Ballkan prej pavarësisë së Kosovës, nuk ka ndodhur. Serbia dhe Kosova janë bashkë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Rusia dëshmoi se planet e saj agresive ndaj fqinjëve nuk do të ndaloheshin çfarëdo që të bënin amerikanët në Ballkan, kurse Kosova nuk është kthyer në një shtet të dështuar, megjithë problemet reale e serioze të korrupsionit dhe ekonomisë së brishtë. Ajo mbetet një shtet tipik eurolindore e ballkanik, në këto drejtime.
Kosova feston javën që vjen 10-vjetorin e pavarësisë së saj. Eagleburger vdiq në 2011. (Ruben Avxhiu/Illyria)

3 Responses to “Përpjekja e fundit në Amerikë për të ndaluar pavarësinë në Kosovë”

Read below or add a comment...

  1. Llazar Vero says:

    Nje artikull me peshe, nga e cili perhere ke dicka per te mesuar.

  2. sami repishti Ph.D. USA says:

    Falemnderit per kete shrrim me vlere dhe korrekt. Presim edhe shume te tjere si ky: kompetence dhe saktesi.

  3. Sadik Elshani says:

    Per shkak te idhjeve te tij me Serbine, perkrahjes qe i ka dhene ai Serbise, e kane quajtur “Lawrence of Serbia”, ngjashem me “Lawrence of Arabia”. Ne vitin 1991 Lawrence Eagleburger nuk ka qene ne pension, por ka qene Zevendes Sekretar i Shtetit (20 mars 1989 – 8 dhjetor 1992). Pra, ka qene zevendes i James Bakerit. Ndersa nga 8 dhjetori i vitit 1992 gjer me 20 janar te vitit 1993 ka qene Sekretar i Shtetit. Vetem per saktesim – vleret e shkrimit qendrojne.

Leave a Reply to Llazar Vero Cancel reply

*