Përpjekjet e Fishtës dhe Koliqit për shpëtimin e Norbert Joklit

Frank Shkreli

Izraeli dhe bota hebraike në përgjithësi shënojnë Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Holokaustit duke filluar nga mbrëmja e ditës së Hënë të 20 Prillit e deri të Martën me 21 Prill.  Është kjo një ditë solemne që përkujtohet eliminimi i 6-milionë hebrejve gjatë Holokaustit.

Fund javën që kaloi, Qendra e njohur Hebraike në Nju Jork “The Temple Emanu-El Streicker Center”, në përgatitje të shënimit të kësaj dite përkujtimore, e ftoi Ambasadoren e Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Besiana Kadare, në shërbimet e ditës së Premte, për të folur, siç thuhet në njoftim, mbi historinë e “pabesueshme dhe kryesisht të panjohur”, se si Shqipëria u bë një vend i sigurt strehimi për hebrenjët gjatë Holokaustit.

Gjatë fjalimit të saj, Përfaqësuesja e Përhershme dhe fuqiplotë e Shqipërisë pranë OKB-së foli për ndihmën që kanë dhënë shqiptarët e rëndomtë, pa dallim, për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.

Shefja e Misionit të Shqipërisë pranë OKB-së foli gjithashtu edhe për rolin që kanë luajtur “autoritetet zyrtare” të qeverisë shqiptare në atë kohë në Tiranë, të cilat, siç tha ajo, kanë refuzuar të dorëzonin nazistëve listat me emra hebrenjësh. Pa përmendur emra konkretë, ambasadorja shqiptare foli për “guximin moral të shqiptarëve”, duke i cilësuar përpjekjet e autoriteteve dhe të shqiptarëve të thjeshtë për shpëtimin e hebrenjëve në Shqipëri, si një “trashëgimi qytetërimi dhe një mësim për brezat e ardhshëm”.  Ajo përmendi veçanërisht rolin e ambasadës shqiptare në Berlin, e cila, siç tha ambasadorja Kadare, në atë kohë lëshonte viza për hebrenjtë e kërcënuar nga cilido vend evropian, gjë që mundësonte largimin e tyre për në vende të sigurta për ta, përfshirë edhe Shqipërinë.

Mund të jem gabim, por është hera e parë që dëgjoj një zyrtar/e të Shqipërisë post-komuniste që pranon, duke përmendur rolin që ka luajtur qeveria shqiptare dhe përpjekjet e autoriteteve të asaj qeverie për të shpëtuar hebrenjtë nga likuidimi fizik, roli i të cilëve ende, zyrtarisht, konsiderohet si një tabu në Shqipëri.  Është meritë e ambasadores Kadare që të pakën e përemendi publiksiht këtë të vërtetë historike, megjithëse tërthorazi.  Është kjo një temë që nuk duhet harruar. Roli dhe përpjekjet e autoriteteve shqiptare të asaj periudhe duhet kujtuar, për hir të së vërtetës historike, por edhe si një “trashëgimi e qytetërimit dhe si një mësim për brezat e ardhshëm”, siç u shpreh ambasadorja Kadare.

Kemi të bëjmë me njerëz guximtarë e trima, me personalitete shqiptare që, megjithëse shërbenin në një qeveri mike me Gjermaninë naziste të asaj kohe, për shpëtimin e hebrenjve rrezikuan jo vetëm pozitat që i kishin, por mund të rrezikonin edhe jetën, gjatë Hollokaustit, për shkak të përpjekjeve tyre për të shpëtuar hebrenjtë nga zhdukja fizike, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit dua të përmend përpjekjet e Ernest Koliqit dhe të At Gjergj Fishtës për të shpëtuar jetën e Norbert Joklit, albanologut të njohur austriak, me origjinë hebraike, i cili konsiderohet edhe si njëri prej themeluesve të albanalogjisë moderne.  Ai vdiq në muajin maj të vitit 1942, në rrethana ende të panjohura, pasi kishte marrë urdhër nga nazistët që të largohej nga Vjena brenda 30 ditësh.

Si albanolog i njohur, Norbert Jokli kishte miqësi dhe mbante lidhje të ngushta me intelektualët më të njohur shqiptarë të kohës, si: At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica, Aleksandër Xhuvani e shumë të tjerë.  Thuhet se Jokli ishte admirues i madh, ndër të tjerë, i Fishtës, Konicës e Naimit, por edhe i traditës bektashiane.  Në shënimet rreth tij, thuhet se ai i njihte mirë veprat e Jeronim De Radës dhe ishte simpatizues i Koliqit dhe i Dom Lazër Shantojës, publicistit dhe përkthyesit të veprave të shkrimtarëve të mëdhenj gjermanë, priftit të parë katolik të vrarë nga një skuadër pushkatimi e regjimit të Enver Hoxhës, në mars të vitit 1945. Thuhet se Norbert Jokli e vizitoi vetëm një herë Shqipërinë, me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë. Au u prit me nderime të mëdha dhe u adekorua me çmimin e lartë kombëtar “Urdhni i Skenderbeut”.

Ernest Koliqi, ish-ministër i Arsimit, në revistën “Shëjzat” 1-4 dhe 5-8 të vitit 1972, ka përshkruar shkurtazi përpjekjet e autoriteteve të atëhershme shqiptare për ta shpëtuar albanologun e njohur Norbert Jokl nga “fati mizuer që ia këputi jetën”, siç shprehet Profesor Koliqi. Si një provë të përpjekjeve të tij dhe të të tjerëve për të shpëtuar jetën e Joklit, ai e ka botuar letrën origjinale të Ministrisë së Arsimit të cilën e drejtonte ai dhe vendimin e datës 6 tetor 1941 të Këshillit të Ministrave që Norbert Jokli të emërohej “Organizatuer të Bibliotekave Shqiptare”, me qëllim që atij t’i mundësohej largimi nga Vjena për në Shqipëri, për t’i shpëtuar jetën nga nazistët.

“Mjerisht, ky emrim i marrur nga autoritetet shqiptare me qëllim për t’ia kursyer albanologut të madh vuajtjet dhe mbarimin tragjik, nuk solli rezultatin e dëshiruar. Por, kjo tregon për mik, simbas zakonit shqiptar, edhe qeveria e asokohëshme e vendit tonë nuk dreshti me ia hy nji pune që mund të acaronte marrëdhëniet me ndonji prej autoriteteve të fuqishme”, shkruan Koliqi.

Letra e ish-Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqit drejtuar Norbert Joklit

 

Ndër intelektualë shqiptarë të kohës, përfshirë Lasgush Poradecin e të tjerë, që ishin angazhuar për të shpëtuar jetën e albanologut të njohur duke e strehuar në Shqipëri, ishte edhe At Gjergj Fishta. Në një letër të datës 23 shtator 1939, drejtuar ish-ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Franceso Jakomonit, Fishta i kërkonte të mundësonte që Jokl të sillej në Shqipëri,

“Ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Europë, Profesor Norbert Jokli, me kombsi çfute, që, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit të Vjenës e profesor gjuhsije në të njajtin universitet. Tashti, më shkruen prej Vjenet, se autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem që të largohet, mbrenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut”, i shkruante Fishta Jakominit.

 

Fishta i shkruante Jakominit se do të ishte fatkeqësi për gjuhën kombëtare shqipe në qoftë se Norbert Jokli do të detyrohej ta braktiste Evropën. Ai i bënte thirrje zyrtarit të lartë italian, “në emën të t’ gjithë intelektualëve shqiptarë”, që të merrte “në konsideratë dashamirse këtë propozimin tem” ashtuqë “Shkelqësia e Juej të mundet me gjetë mundsinë e t’a bajnë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty nji vend, edhe pse jo aq fitim prues, megjithate të pershtatshëm për famën e tij si shkenctar e gjuhëtar i shquem”, përfundon At Gjergj Fishta letrën, dërguar Francesco Jakomonit, në përpjekje për të shpëtuar jetën e mikut të tij të ngushtë, Norbert Joklit.

Në Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit, me përvujtëni kujtojmë njërin prej më të mëdhejve albanologë, Norbert Joklin, dhe miqtë e tij të kohës – ndër më të mëdhejntë intelektualë shqiptarë – të cilët me gjithë rreziqet që mund t’u kanoseshin, megjithëse u munduan ta ndihmonin, fatkeqësisht, nuk ia dolën ta strehonin atë në Shqipëri dhe as t’ia shpëtonin jetën mikut të tyre të shtrenjtë dhe dashamirësit të madh të fisit shqiptar.

Për hir të së vërtetës historike, kujtojmë e nuk harrojmë, por edhe falënderojmë shqiptarët e rendomtë dhe autoritetet shqiptare të asaj kohe për guyimin dhe kurajon e tre civile, përbalalë rreziqeve.  Kujtojmë veçanërisht, Norbert Joklin, këtë dashamirës të fisit shqiptar, për jetën dhe veprën e tij kushtuar gjuhës dhe kulturës dhe historisë së fisit të lashtë shqiptar.

Kujtojmë dhe falënderojmë së bashku me Drejtorin e Komisionit Hebraik Amerikan, David Harris,  që në deklaratën që bëri dje me rastin e Ditës Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit, i vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë për mbrojtjen e hebrenjve.

“Ne kujtojmë guximin e Danimarkës, por edhe të Shqipërisë, Bullgarisë dhe Finlandës, për përpjekjet e tyre të jashtzakonshme në mbrojtje të komuniteteve të tyre hebraike.  Ne kujtojmë shembullin e mijëra Personave të Drejtë, të cilët rrezikuan edhe jetën e tyre, ashtuqë të tjerët të mund jetonin”, ka tha Harris.

 

Comment

*