Përpjekjet për zhbërjen e Speciales, mund të kenë konsekuenca të paparashikueshme

Prishtinë, 11 janar 2018 – Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala, i ka hedhur poshtë deklaratat e Kryetarit të Kuvendit e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, se LDK-ja po u gëzohet arrestimeve që do t’i kryejë Gjykata Speciale.

Shala ka thënë se përpjekjet për fajësimin e një subjekti politike lidhur me këtë çështje është i dëmshëm për raportet politike në Kosovë.

“Çdo interpretim që fajëson, pa asnjë dëshmi dhe pa të drejtë, një subjekt politik lidhur me këtë çështje, është tepër i dëmshëm për raportet politike në vend. Ne nuk guxojmë të kthehemi vite prapa e të përsërisim akuza që nuk qëndrojnë”, ka thënë Shala, në një intervistë për Gazetën “Express”.

“LDK-ja e ka sqaruar disa herë qëndrimin saj lidhur me këtë çështje. LDK-ja nuk ka qenë iniciatore dhe as që ka mundur të jetë. Gjykata Speciale ka qenë dhe është përtej fuqisë sonë”, ka theksuar ai.

Shala ka thrksuar gjithashtu se përpjektet për zhbërjen e Gjykatës Speciale mund të kenë konsekuenca të paparashikueshme për Kosovën.

“Është shumë e qartë se ky mekanizëm është një nga kushtet themelore për Kosovën në rrafshin e mbështetjes dhe të partneritetit ndërkombëtar. Çdo veprim që nuk e merr parasysh këtë fakt, mund të jetë tepër i dëmshëm për interesin e Kosovës. Kështu që, edhe përpjekjet për ta zhbërë, mund të sjellin konsekuenca të paparashikueshme”, ka thënë ai.

Shala ka thënë se ende nuk ka informacion nëse përpjekja për zhbërjen e Gjykatës Speciale do të përsëritet me fillimin e sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës. Por, ai e ka vlerësuar të rëndësishme që kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli kanë dhënë shenja për “njëfarë tërheqjeje”

“Kuvendi është në periudhë pushimi, deri më 15 janar, dhe ne nuk kemi asnjë informacion lidhur me këtë çështje. Por, me sa kemi parë ditëve të fundit, ka një lloj tërheqjeje të Qeverisë dhe të kryetarit të Kuvendit nga kjo nismë. Kjo ka rëndësi të veçantë, meqë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit janë kryetarë të subjekteve politike, deputetët e të cilave janë prapa kësaj nisme”, ka thënë ai.

Shala është pyetur edhe lidhur me refuzimin e vizës amerikane për Kryeministrin Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se ky refuzim është pasojë e veprimeve të pamatura të kryeministrit, qysh prej marrjes së mandatit.

“Për fat të keq, refuzimi i tillë e atakon drejtpërdrejt funksionin e kryeministrit dhe është i dëmshëm jo vetëm për kryeministrin. Mendoj se përfaqësuesit politikë dhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës duhet të jenë të matur e të kujdesshëm. Refuzimi i tillë duket të jetë pasojë e një numri veprimesh të pamatura të kryeministrit dhe të Qeverisë që nga dita e parë e mandatit”, ka thënë ai. (r.m.)

Comment

*