Përplasje mes PDK-së e LDK-së për Dialogun me Serbinë

Prishtinë, 9 korrik 2018 – Qasja ndaj Dialogut me Serbinë, sidomos ndaj rolit të Presidentit Hashim Thaçi në këtë dialog, përplas krerët e dy partive më të mëdha politike, PDK-së në pushtet dhe LDK-së në opozitë.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli e ka sulmuar LDK-në që po kundërshton rolin udhëheqës të Thaçit në dialog, ndërsa për kryetarin e saj Isa Mustafa ka thënë se nuk ka fuqi ta marrë rolin e drejtuesit të dialogut.

Veseli ka thënë se koalicioni qeveritar do t’ia besonte Mustafës rolin e udhëheqësit të dialogut, por ai, siç është shprehur, “ka frikë të takohet me Vuçiqin”, prandaj prapë do ta kërkonte mbështetjen e PDK-së dhe të tij (Veselit).

Kryetari i PDK-së e ka akuzuar LDK-në se po i pengon proceset politike në Kosovë. Sipas tij, kjo parti e kishte penguar edhe formimin e ushtrisë së Kosovës dhe procesin e liberalizimit të vizave pëer qytetarët e Kosovës.

Akuzave të kryetarit të PDK-së u është kundërpërgjigjur kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti. Ai ka thënë se akuzat e Veselit flasin për frustrimin e drejtuesve të partive të koalicionit qeverisës, i cili nuk ka focën e nevojshme politike për të shtyrë përpara proceset jetike për të ardhmen e Kosovës.

Ai ka thënë se proceset shtetërore në Kosovë, përfshirë dialogun me Serbinë, duhet të udhëhiqen nga institucionet e shtetit të Kosovës.

“Kosova është shpallur shtet për të pasur institucione që e udhëheqin atë, e jo ekipe politike”, ka thënë Hoti.

“Rrugë tjetër nuk ka. Hedhja e topit tek opozita dhe fyerja e liderit kryesor të opozitës nuk i kontribuon situatës. Përkundrazi, tregon frustrim, dobësi lidershipi dhe dështim”, është shprehur ai.

Hoti e ka quajtur “non sens” akuzën se një parti opozitare po i pengon proceset politike dhe ka theksuar se koalicioni qeveritar nuk ka fuqi politike as legjitimitet  t’i shtyjë përpara këto procese, prandaj, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

“Nëse këto institucione nuk kanë fuqi politike dhe legjitimitet për të përfaqësuar shtetin e Kosovës, siç është situata tani, atëherë zgjedhjet e reja janë të domosdoshme për të nxjerrë institucione legjitime, përmes votës së qytetarëve”, ka thënë  Hoti.

Hoti ka sqaruar se LDK-ja nuk është kundër dialogut me Serbinë, por kërkon që ky dialog të zhvillohet në kuadrin e kornizave që do t’i caktojë Kuvendi i Kosovës. (r.m.)

Comment

*