Përplasje rreth marrëveshjes për emrin e Maqedonisë

Shkup, 14 qershor 2018 – Marrëveshja Tsipras – Zaev për riemërtimin e republikës ish-jugosllave të Maqedonisë ka hasur në kundërshtime si të opozitës maqedonase dhe presidentit, po ashtu edhe të një numri protestuesish, të cilët nuk duan që vendi i tyre ta ndryshojë emrin.

VMRO-DPMNE, më saktë nënkryetari i saj, kërkon në rrjetet sociale mbështetjen e qytetarëve për ta penguar ndryshimen e emrit.

Në kuadër të këtyre zhvillimeve duket se në mënyrë indirekte është përfshirë edhe qeveria bullgare, teksa kryeministri Bojko Borisov dhe ministrja e jashtme Ekaterina Zaharieva kanë anuluar, sipas agjencisë bullgare të lajmeve BGnes, takimin e paraparë për nesër me presidentin maqedonas Gjorgje Ivanov, i cili ndodhet në Sofje. Qeveria bullgare, sipas zyrtarëve të ministrisë bullgare të punëve të jashtme të cituar nga angjencia, nuk sheh arësye të jetë e shfrytëzuar për debate të brendshme politike në Shkup. Zoti Ivanov tha dje se nuk do ta nënshkruante marrëveshjen e kryeministrave Zaev dhe Tsipras, sepse ajo ishte e dëmshme, sjpas tij, për kombin maqedonas.

Nga ana tjetër, edhe në Athinë kanë vazhduar përplasjet; opozita greke synon ta bllokojë marrëveshjen e arritur me Shkupin, të cilën drejtuesi opozitar Kirjakos Micotaqis i Demokracisë së Re e quan të dëmshme. Ai ka paralajmëruar një mocion votëbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Alexis Tsipras.

Megjithatë, sipas medias në Athinë, marrëveshja pritet të nënshkruhet këtë fundjavë në rajonin e Prespës në Greqi, në një ceremoni ku janë ftuar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guteress me ndërmjetësin Metthew Nimetz, si dhe zyrtarët e lartë të Komisionit Evropian, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm maqedon Nikolla Dimitrov, i cili mwndohet se ka patur meritë për arritjen e marrëveshjes, ishte në Berlin, ku u prit nga kolegu i tij gjerman Heiko Maas, ndërsa kryediplomati gjerman e ka inkurajuar për vazhdimin e Maqedonisë në rrugën e integrimit evropian.

“Në jemi në rrugën e duhur për t’i dhënë fund një problemi që qëndronte si gur në rrugën tonë dhe vështirësonte përparimin tonë. Pritja e gjatë ka shkaktuar disa kriza në vendin tonë, por siç thuhet, mos lejo asnjë krizë të kalojë sepse mund të marrësh mësim të mirë prej saj”, – u shpreh ministri maqedonas.

Dimitrov tha se vendi i tij do t’i kryejë detyrat që kërkon BE jo për kalkulime të brendshme politike, por për të ardhmen e Maqedonisë.

Ministri Maas tha se kancelarja gjermane ishte mjaft e përfshirë në komunikimin me palët për arritjen e marrëveshjes, një çështje kjo sipas tij, tepër e vështirë dhe me emocione tek të dyja palët.

Heiko Maas tha se ia vlen ndekja e rrugës evropiane. Ne nuk duam, shtoi ai, që të tjerët të përhapin interest e tyre në rajon.

Autoritetet në Shkup shpresojnë se në samitin e pritshëm të Natos Maqedonia të marrë ftesë për anëtarësim e po ashtu edhe nga Bashkimi Evropian datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

(Isak Ramadani, Zëri i Amerikës)

Comment

*