Përplasje të forta mes policisë dhe banorëve në zonën e Astirit në Tiranë

Tiranë, 12 nëntor 2019 – Përplasje të forta në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e “Astirit” në Tiranë, ku Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, (IKMT) kishte planifikuar nisjen e prishjes së disa godinave, që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së re. Sipas IKMT-së janë 33 ndërtime që parashikohet të prishën në këtë fazë. Për 21 prej tyre është zbatuar procedura e shpronësimeve ndërsa të tjerat mësohet se janë skualifikuar nga mundësia e legalizimit. Forcat e shumta të policisë të cilat u shfaqën në mbështetje të ndërhyrjes së Inspektoriatit, hasën në një kundërshtim të fortë të disa prej banorëve.

Sipas një njoftimi të Policisë së Tiranës “një grup banorësh kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë. Banorët kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba moltov punonjësit e Policisë, të cilit ishin planizuar me shërbim. Si pasojë e sulmit mbi Policinë janë plagosur 5 punonjës të Policisë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak”.

Për të sprapsur banorët që kundërshtojnë ndërhyrjen, policia ka përdorur dhe gazin lotsjellës. Disa banorë meshet se janë shoqëruar në komisariat. Gjendja më pas është qetësuar dhe nuk janë rregjistruar më përplasje të tjera. “Policia e Shtetit u bën thirrje banorëve të distancohen nga dhuna dhe të mos bien pre e provokimeve, pasi do përballen me pasojat ligjore. Gjithashtu, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që janë prezent tek Unaza e Re, të mos nxisin banorët për të sulmuar forcat e Policisë dhe të shmangin deklaratat disinformuese”, nënvizon deklarata e policisë.

Presidenti Ilir Meta u rreshtua në krah të banorëve. Përmes një postimi në Facebook ai shprehet se është “e papranueshme dhuna e përsëritur sot ndaj banorëve të Unazës së Re, të cilët protestojnë në mbrojtje të shtëpive dhe të pronave të tyre. Arroganca përballë mjerimit dhe traumës që po u shkaktohet këtyre familjeve për muaj të tërë është e patolerueshme”, shkruan Kreu i Shtetit ndërsa i bën thirrje banorëve “të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve dhe palët të ulen menjëherë në dialog”.

Përfaqësuesë të opozitës ishin gjatë ditës në zonën e Astirit, ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha, viztoi të plagosurit në spital. “Janë dhunuar në mënyrën më barbare. Kam parë disa të moshuar në moshën mbi 70 vjeç, të gjakosur nga dhuna me shkopinj dhe me grushta. Gra të alivanosura nga përdorimi genocidal i gazit lotsjellës. Pra, janë një numër i madh banorësh të lënduar, të traumatizuar”, tha zoti Basha sipas të cilit “ky është një skenar i përgatitur me kujdes dhe ka një qëllim dhe vetëm një qëllim, të çonte drejt gjakosjes së qytetarëve, drejt përçarjes së qytetarëve, të çonte drejt konfrontimit me forcat e rendit për të fshehur vjedhjen e madhe që Edi Rama, Erjon Veliaj dhe të tjerët që kanë planifikuar tek i ashtuquajturi projekti i Unazës së Re”.

Tensionet në këtë zonë të kryeqytetit vijojnë që prej vitit të shkuar, kur nisën ndërhyrjet e para për ndërtimin e Unazës së re. Projekti u ndërpre, pasi u zbulua se në njërin prej Loteve, kompania fituese DH Albania kishte falsifikuar dokumentat e paraqitura në garë. Më pas, autoritetet ndryshuan dhe projektin, ndërsa zhvilluan një tender të ri.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*