Pëson dhimbje në gjoks – operohet nga zemra, kandidati presidencial, Bernie Sanders

Nga Ruben Avxhiu

Senatori amerikan Bernie Sanders ka ndaluar përkohësisht fushatën e tij për President pasi u shtrua urgjent në spital ditën emartë me dhimbje në gjoks.

Mjekët kanë vendosur dy stenta, pasi gjetën një bllokim në arterie.

“Senatori Sanders është duke komunikuar me stafin dhe është në formë të mirë”, tha në një deklaratë për median këshilltari kryesor i fushatës, Jeff Weaver. “Ai do të pushojë për disa ditë. Po i anullojmë takimet dhe mitingjet zgjedhore deri në njoftimin më të afërt, si dhe do të vazhdojmë t’ju japim të rejat më të fundit”.

Lajmi vjen, vetëm një ditë, pasi të dhënat e tremujorit të tretë financiar dëshmuan se Bernie Sanders kishte mbledhur më shumë fonde fushate se çdo kandidat tjetër demokrat. Ndonëse i vetmi që merr dhurime vetëm nga njerëzit drejtpërdrejt e jo në salla të mbyllura e privatisht, duke injoruar tërësisht firmat e fuqishme, Sanders ka fituar këtë tremujor garën e financimit.

Media dhe anketimet duket se janë përqendruar më shumë në javët e fundit te rivalja e tij e krahut të majtë, Elizabeth Warren, e cila është ngritur në krye të anketimeve dhe ka marrë mbështetje të mëdha publike, përfshi edhe nga Partia e Familjeve Punëtore në Neë York.

Mirëpo, rezultatet e mbledhjes së fondeve treguan se vetëm në këtë muaj, Sanders ka mbledhur mbi 25 milionë dollarë që janë më shumë sesa ka mbledhur Warren në dy tremujorët e parë së bashku. Nëse Warren ka menduar se e ka fituar “miniprimaren” e të majtës amerikane me Sandersin atëhere ajo është nxituar.

Nga ana tjetër, kjo ngjarje shëndetësore mund të vërë në dyshim vazhdimin e fushatës nga Sanders. Ai është 78 vjeç dhe mjekët mesiguri e kanë këshilluar që të mos rikthehet në garë. Këto fushata janë tepër kërkuese fizikisht e mendërisht për të mos folur pastaj për vetë punën e Presidentit të SHBA-së.

Senatori nga Vermonti i duhet të marrë këto ditë një vendim të madh. Për momentin, rivalët e tij në garën presidenciale po i dërgojnë mesazhe duke i uruar shërim të shpejtë.

Ndërkohë, një urim ka ardhur edhe nga Kosova. “Duke i uruar Bernie Sanders, një shërim të shpejtë e të plotë. Bota ka nevojë për zëra si i juaji, qendro i fortë!”, i ka shkruar në rrjetin social Tuitër, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Comment

*