Peter Beyer emërohet raportues për Kosovën në Këshillin e Evropës

Strasburg, 14 nëntor 2019 – Komiteti për Çështje Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e ka emëruar gjermanin, Peter Beyer, si raportues për situatën në Kosovë.

Peter Beyer është deputet i parlamentit gjerman, dhe i takon partisë demokristiane të kancelares, Angela Merkel.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka mirëpritur zgjedhjen e ligjëvënsit gjerman, Peter Beyer si raportues për Kosovën në Këshillin e Evropës, duke uruar që ky vendim të jetë një rifillim i mbarë i angazhimit evropian në Kosovë.

“Uroj që ky vendim të jetë një rifillim i mbarë i angazhimit evropian në Kosovë, me qëllim të avancimit të rrugëtimit të Kosovës drejt integrimit të plotë në familjen evropiane”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

I interesuar për këtë pozitë ka qenë edhe delegati rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksei Kondratev.

Mirëpo, paralajmërimet për mundësinë e emërimit të tij, kishin ngjallur reagime të shumta në Kosovë, për shkak të, siç ishte thënë, veprimeve të tij të mëparshme “duke shkelur të drejtat themelore të njeriut” dhe paragjykimet ekstreme ndaj Kosovës

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli paralajmëroi se Kosova do të refuzojë të bashkëpunojë me senatorin rus.

Po ashtu, edhe zëvendëskryeministri në qeverinë në largim të Kosovës, Enver Hoxhaj ka shkruar në Twitter se Këshilli i Evropës është vënë para dilemës që të zgjedh në mes të një ish-spiuni rus ose një anëtari të respektuar të Bundestagut që të jetë raportues për Kosovën.

Ndërkohë, më shumë se 40 organizata të shoqërisë civile në Kosovë kanë përkrahur letrën e dërguar Këshillit të Evropës, Asamblesë Parlamentare dhe Komitetit për Çështje Politike duke i bërë thirrje që të parandalojnë përzgjedhjen e delegatit rus të Asamblesë Parlamentare, Alexei Kondratiev në pozitën e raportuesit për Kosovën.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare, qëllimi i së cilës është të mbështesë të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në kontinentin e Evropës.

(REL)

Comment

*