Peticionet për bashkim familjar si dhe përditësimet më të fundit lidhur me kualifikimin për vizë

Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Pyetje nga lexuesi:

Përshëndetje avokat,

Kam dërguar aplikimin për green card në shtator 2020. Si bazë për këtë aplikim është fakti që jam i martuar me një nënshtetas amerikan. Kam lexuar rubrikën tuaj të disa muajve më parë ku thuhej që ata si unë duhet të paraqesin një formular që dëshmon që kam një sasi të mjaftueshme parash. E ka ndryshuar presidenti Biden këtë ligj?

PD

Queens, New York

Jo.  Presidenti Biden nuk i ka ndryshuar rregullat që kanë të bëjnë me mbështetjen financiare, ndaj dhe duhet të jeni të përgatitur që në intervistë, t’i jepni përgjigje pyetjeve që lidhen me gjendjen tuaj financiare. Shumica e emigrantëve që bëjnë bashkim familjar duhet të përdorin formularin e garancisë I-864, Affidavit of Support për të treguar që kanë mbështetjen financiare të nevojshme dhe që nuk ka të ngjarë që t’i kërkojnë qeverisë së SHBA-së mbështetje financiare. Ky rregull ka egzistuar prej shumë kohësh.

Peticioneri që del garant, ose ndonjë person tjetër që bëhet garant dhe që pranon të ndajë përgjegjësinë dhe detyrimet përkatëse me peticionerin, mund ta mbështesë emigrantin në fjalë deri në jo më pak se 125% të shumës së të ardhurave që bie në nivelin e varfërisë, gjatë gjithë periudhës që parashikon garancia. Nëse nuk keni vartës të tjerë dhe nuk keni paraqitur dokument që garanton mbështetje financiare për ndonjë emigrant tjetër, familja juaj (ku përfshihen dhe prindërit) konsiderohet një familje prej katër personash. Të ardhurat që kërkohet të keni duhet të jenë minimumi $21,550.00 (Shiko formularin I-864P).

Presidenti Trump jo vetëm që e mbajti rregulloren për dokumentin që garanton mbështetje financiare, por administrata e tij shtoi dhe një pengesë tjetër financiare për marrjen e green card-ës. Tani duhet të paraqesësh dhe formularin Form I-944, Declaration of Self-Sufficiency (deklarata që mund të mbash veten financiarisht).  Një personi mund t’i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara ose marrja e green card-ës nëse nëse ai ose ajo “ka të ngjarë që në çdo kohë të kthehen në barrë publike”. Bëjnë përjashtim nga ky rregull kategori të caktuara personash si p.sh. azilantët dhe refugjatët. Ndonëse ligji i emigracionit nuk e përkufizon shkoqurazi termin “barrë publike”, në vendimet e mëparshme me këtë term nënkuptohet dikush “që varet ose ka të ngjarë të varet kryesisht” nga “ndihma publike në të holla për të siguruar të ardhurat” ose ka të ngjarë “të mbahet me shpenzimet e qeverisw nw njw institucion ku do të ketë nevojë për kujdes për një periudhë afatgjatë”. Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) i kërkohet që vendimet e marra lidhur me barrën publike t’i bazojë në faktorë si mosha, gjendja shëndetësore, statusi familjar, asetet, gjëndja financiare, arsimimi dhe aftësitë. DHS-ja do të marrë gjithashtu në konsideratë përfitimet publike që janë marrë ose po merren aktualisht.

Nëse keni paraqitur aplikimin për Green Card, (Formularin I-485, Application to Register Permanent Residence or Adjust Status) pas 24 shkurtit, 2020, atëherë mund t’ju kërkohet të paraqisni dhe formularin I-944 (Declaration of Self-Sufficiency). Nëse keni aplikuar pas 13 tetorit, 2020, DHS-ja mund t’jua refuzojë formularin I-485 nëse në momentin e aplikimit nuk keni paraqitur formularët e tjerë si dhe dokumentat provë bashkë me formularin I-485.

Më datë 2 shkurt 2021, presidenti Biden lëshoi një urdhër ekzekutiv që parashikon vetëm një ndryshim të menjëhershëm që ka të bëjë me barrën publike si arsye për të mos u pranuar të futesh në Shtetet e Bashkuara. Urdhri ekzekutiv nuk prek kërkesën aktuale për të paraqitur formularin I-944 (Declaration of Self-Sufficiency), së bashku me formularin I-485. Aktualisht, formulari I-944 kërkohet kudo në SHBA. Derisa administrata e presidentit Biden të bëjë ndryshime të mëtejshme, aplikantët duhet të paraqesin formularin I-944 së bashku me aplikimin për ndreqjen e statusit (I-485).

Së shpejti, bashkëshorti do të paraqitet në ambasadën e SHBA-së për intervistën për vizë. A do t’i kërkojë ambasada të paraqesë formularët e rinj?

BD

Greenwich, CT

Urdhri ekzekutiv i presidentit Biden nuk e prek proklamatën për sigurim shëndetësor (Health Insurance Proclamation), një rregull ky i kohës së ish-presidentit Trump sipas të cilit aplikantët për vizë emigruese duhet t’i tregonin Departamentit amerikan të Shtetit që ishin në gjendje të merrnin sigurim shëndetësor brenda 30 ditëve nga momenti që kishin hyrë në SHBA ose që ishin në gjendje të paguanin shpenzimet që mund të dilnin lidhur me kujdesin shëndetësor. Sidoqoftë, gjykatat kanë pezulluar hëpërhë zbatimin e këtij rregulli. Pyetësori i Barrës Publike DS-5540 nuk kërkohet për momentin. Gjykata Federale e Qarkut në Nju Jork udhëzoi DOS-në të mos “zbatojë, përdorë, vërë në jetë ose trajtojë si në fuqi” rregullin që lidhet me përdorimin e barrës publike si arsye moskualifikimi për vizë. Meqenëse qeveria nuk e apeloi këtë vendim, DS-5540 nuk kërkohet.

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet e vazhdueshme dhe do të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjeve tuaja në rubrikat e ardhshme. Adresa elektronike është [email protected]

Comment

*