Philip Giantris, shqiptaro-amerikani që kontribuoi për zhvillimin e vendit tonë

Filip Giantris u largua nga kjo jetë në datë 19 Tetor këtë vit, në një spital të Tiranës papritur në moshën 74vjeçare, duke lënë pas bashkëshorten, tre femijët dhe nipër dhe mbesa. I lindur në Worcester, Massachusetts në një komunitet të ngushtë shqiptarësh, nga prindër që emigruan në Shtetet e Bashkuara në fillim të viteve 1920, ku u rrit bashkë me vëllezrit dhe motrat me dashuri të madhe për rrënjët dhe kulturën e tyre shqiptare dhe për Kishën Ortodokse Shqiptare.
Diplomohet në Institutin Politeknik të Worcester në vitin 1965, në inxhinieri civile. Në këtë institut gjithashtu ai ishte anëtar i vëllazërisë Delta Phi Gamma dhe një anëtar i ROTC. Filipi merr edhe gradën si toger i parë pas diplomimit dhe shërbeu në Korpusin e Inxhinierëve të Ushtrisë Amerikane në Vietnam në vitin 1968. Pas kthimit nga Vietnami, ai mori Master në Biznes nga Universiteti i Bostonit.
Pasi punoi për 23 vjet për Metcalf & Eddy Inc. dhe pesë vjet për Bird Corporation. Në fillim të viteve 1990, Filipi hapi kompaninë e tij,një kompani konsulente, që shërbeu në të gjithë botën. Në vitin 2000, Filipi vendosi të ngrinte kompaninë e tij konsulente në Shqipëri, Value Add Management Services, një kompani e specializuar në menaxhimin e shërbimeve të sektorit të ujit me një staf totalisht shqiptar, me inxhinierë profesionistë, ekonomistë dhe specialistë të menaxhimit të biznesit.
Përtej qëllimeve të tij profesionale apo për përfitim, kthimi në Shqipëri për të ishte një synim i gjatë dhe premtim që i bëri nënës së tij për të ndihmuar Shqipërinë, atdheun e prindërve të tij. Në të njëjtin vit ai hapi kompaninë Value Add Management Services, e cila u bë forca parë lëvizëse për përmirësimin e standarteve në projekte madhore në fushën e menaxhimit të ujrave në Shqipëri. Paralelisht ai themeloi Shoqatën Ujësjellës Kanalizimeve të Shqipërisë (SHUKALB), ku shërbeu si Drejtor Ekzekutiv në mënyrë vullnetare.
Njohuria e tij unike për çështjet kryesore që përcaktojnë suksesin në sektorin e ujit, për qeveritë në të gjitha nivelet, e ka bërë atë dhe firmën e tij një burim këshillimesh të çmuara për qeveritë e Afrikës së Jugut, Rumanisë, Egjiptit, Izraelit, Kosovës, Malit të Zi, Libanit, Jordanisë , Filipinet dhe sigurisht Shqipërinë.
Filipi ishte i palodhur dhe i pasionuar për punën e tij deri në atë pikë sa ai do ta transmetonte këtë vision te të gjithë. Ai ndikoi në jetën profesionale të të shumë të rinjve dhe profesionistëve të tjerë në Shqipëri dhe në mbarë botën me shembullin e tij të përsosmërisë. Për Filipin, “vetëm më e mira ishte e mira e mjaftueshme”, dhe ai ishte një njeri që gjithmonë mund të gjente gjithçka më të mirë dhe më interesante në çdo gjë dhe gjithçka. Filipi ishte një njeri me integritet të lartë dhe i kaloi këto vlera tek stafi, miqtë dhe familja e tij.
Ai preku aq shumë njerëz me shembullin e tij të vendosmërisë, punës së madhe dhe etikës së biznesit, por edhe me dhembshurinë, kujdesin dhe dashurinë e tij. Ai mishëronte filozofinë: «Ndaj atij të cilit shumë i është dhënë, më shumë pritet nga ai» dhe Filipi kurrë nuk pushoi së ndihmuari njerëzit në nevojë. Veprat e tij filantropike ishin të panumërta. Ai ishte një kontribues i vazhdueshëm i Kishës Ortodokse në Shqipëri dhe “Shkollën Protagonistët”. Përveç kësaj, ndihmoi për të mbledhur fonde për institucione të ndryshme shqiptare me një fokus të veçantë në fëmijët – jetimoren në Korçë, Shtëpinë e Fëmijëve në Shën Vlash dhe Fondacionin Nënës dhe Fëmijës të Shqipërisë. Ai ishte gjithashtu një anëtar i Bordit të Institutit Harry Fultz.
Në vitin 2010 ai u nderua nga Presidenti i Shqipërisë me medaljen për “Merita të Veçanta Civile” për kontributin e tij në Sektorin e Ujit.
Filipi ishte një qytetar i botës dhe la një trashëgimi të rëndësishme për familjen, miqtë, kolegët e tij gjithashtu edhe për ne shqiptarët. Ai do të priste që të gjithë ne të vazhdonin trashëgiminë e tij dhe të shkonim: “Lart dhe më lartë!”
Nga Erlet Shaqe

Comment

*