Philips: Nuk ka njohje të reja me idenë e ndërrimit të kufijve

Prishtinë, 8 nëntor 2018 – Profesori i Universitetit Kolumbia, David Philips, tha se idetë për ndryshimin e kufijve mes Kosovës e Serbisë, të cilat po plasohen nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndikojnë negativisht në procesin e njohjes së shtetit të Kosovës.

Në një intervistë për “Jeta në Kosovë”, Philips ka thënë se në këtë situatë nuk do të ketë njohje të reja.

“Nuk do të ketë njohje të mëtutjeshme. Nuk mund të përfshij çdo vend të botës, por pse ndonjë vend do ta njihte Kosovën tani, kur ndodhin këto negociata të paqarta. Ata janë duke bërë përpjekje të mira, po mundohen shumë. Sipas mendimit tim, do të jetë shumë e vështirë që të bindet ndonjë vend për ta njohur Kosovën. Çfarë do të shihni është se vendet do të largohen. Do të ketë tërheqje të njohjeve sepse ata do të shohin gjendjen në Kosovë dhe do të thonë ‘ky nuk është një vend i qëndrueshëm, ata nuk mund të arrijnë marrëveshje madje as ndërmjet vete’. Kjo mosmarrëveshje në publik e diskrediton Kosovën si vend”, ka thënë Philips.

Ai ka folur edhe për qëndrimin amerikan lidhur me dialogun dhe lidhur me idenë për ndryshim të kufijve.

(Kallxo.com)

Comment

*