Plaka: Shqiptarët kanë ndjesi të veçantë për Murin e Berlinit

Plot 28 vjet pasi u ngrit, me 9 nëntor 1989, Muri i Berlinit u shemb, e bashkë me të u përmbys një filozofi e tërë që kishte sunduar dy realitete të ndryshme politike e shoqërore në Gjermani.

Këtë vit u shënua 28 vjetori i rrëzimit të Murit të Berlinit dhe kjo ngjarje e cila ka interferuar jo pak në zhvillimet e mëvonshme në Shqipëri vlen të analizohet në të gjithë rrafshet.

Në një bisedë me studiuesin e zhvillimeve në ish-Lindjen Komuniste, gazetarin Armand Plaka sjellim disa prej qasjeve që kanë shqiptarët ndaj kësaj ngjarjeje dhe lidhjen e saj me realitetin politik në Shqipëri.

Kjo javë përkoi me përvjetorin e 28-të të rrëzimit të Murit të Berlinit. Si duhet kujtuar ky moment në histori?

Në fakt askujt s’i ka shkuar ndërmend se pikërisht ky vit, megjithëse jo jubilar, shënon një rekord interesant në vetvete. Ai ndodhet në një largësi të barabartë kohore nga data e shembjes së Murit, po aq sa ç’ndodhej edhe vetë shembja nga ndërtimi i tij në vitin 1961.

Pra plot 28 vjet. Përtej kësaj, sigurisht se shembja e Murit të Berlinit, sidomos në realitetet e reja politike, ekonomike, kulturore e teknologjike me të cilat bota po përballet sot, shënon një pikë kulmore të historisë së njerëzimit, që paradoksalisht sado që largohemi në kohë, do të gjejë gjithnjë vend për t’u përkujtuar jo vetëm nga gjermanët, por e mbarë bota.

Vetëm se tashmë ka ardhur koha që ai të shihet me më shumë ngjyra e më kthjellët, për të kuptuar më qartë arsyet që çuan në rrëzimin e tij dhe daljen në pah edhe të rolit të protagonistëve “të fshehur”, e për më shumë, të vetë vlerave dhe mesazheve që ky akt përçon, si dhe për të parë se sa i jemi përmbajtur objektivave që lindën pas atij akti, pasi në këtë pikë tashmë ka shumë interpretime.

Po shqiptarët si e përjetojnë dhe çfarë qasje kanë rreth kësaj ngjarje me përmasa botërore?

Në fakt, konstatoj se shqiptarët reflektojnë një informacion disi të përciptë në lidhje me Rrëzimin e Murit të Berlinit, si nocion historiko-politik, paçka se nga ana tjetër, ata kanë një qasje e interpretim “të personalizuar” rreth tij.

Më konkretisht, dua të them se shqiptarët janë, le të themi, “të detyruar” të kenë një ndjesi, perceptim e vlerësim të veçantë për këtë ngjarje, duke pasur parasysh se rrëzimi i Murit ndikoi shumë sidomos në të ardhmen e tyre.

Ai pra çoi përpara ngjarje madhore, të cilat do të mund të kishin pasur një tjetër rrjedhë ndoshta, nëse nuk do kishte ndodhur rrëzimi i Murit të Berlinit në atë kohë e në atë mënyrë, dhe sidomos, mendoj unë, eliminimi brutal i ish-diktatorit rumun, Nikolae Çaushesku, vetëm dy muaj pas tij, çka jo vetëm “radikalizoi” qëndrimet e grupimeve opozitare e disidente në mbarë Lindjen ish-komuniste, por “kthjelloi” edhe mendjet e vetë kastave në pushtet në atë kohë, për të mos ushtruar më asnjë rezistencë ndaj proceseve demokratizuese.

Nga personazhet apo protagonistët të cilët keni mundur t’i takoni, çfarë ju kanë transmetuar dhe a ju ka mbetur në mendje ndonjë peng, apo moment që mund të veçoni?

Tri vite më parë, kam patur rastin të përshkruaj në një intervistë të gjatë për një portal të diasporës, jo vetëm momentin e takimit dhe bisedës që zhvillova me të ndjerin Gynter Shabovski, i cili për mua dhe jo vetëm, edhe pse ndoshta pa dashje, mbetet protagonisti real i asaj ngjarje madhore historike, por edhe të pohoja shumë detaje nga ajo çka përbënte në vetvete ish-RDGJ-ja dhe se cilat ishin tek e fundit, edhe arsyet që çuan së pari në ndërtimin dhe në fund, sigurisht, edhe në rrëzimin e Murit.

Pa dashur aspak të sfumoj rolin primar politik të “peshave të rënda” si ish-Presidenti amerikan, G. Ë. Bush (i vjetri), ish-lideri i fundit i BRSS-së, Mihail Gorbaçov e për më tepër, arkitektin e Ribashkimit Gjerman, ish-kancelarin e ndjerë, Helmut Kohl, veç të ndjerit Shabovski, gjithashtu, në vazhdën e studimeve apo qëndrimeve të mia në Berlin përgjatë viteve, kam pasur rastin të takoj edhe ish-kryeministrin e fundit, apo le të themi, të parin e zgjedhur në mënyrë demokratike të ish-RDGJ-së, Lothar De Meziere, i cili ishte pjesëmarrës në raundet e takimeve të famshme që në historiografi tashmë njihen si “2+4”, ku merrnin pjesë sikurse dihet, përfaqësuesit e dy shteteve gjermane dhe ato të katër fuqive të mëdha, pa bekimin e të cilave, nuk mund të merrte dot udhë pra vetë procesi i Ribashkimit Gjerman.

Po ashtu,edhe shumë figura të tjera të rëndësishme siç ishte ish-kryetarja e Dhomës së Popullit, dmth. e Parlamentit të fundit të ish-RDGJ-së, disidentë nga koha e ish-regjimit të vjetër, të cilët më pas ishin kthyer në ikona të shoqërisë civile, apo pjesëmarrës aktivë në politikë, deputetë të të gjitha fraksioneve në Bundestagun Gjerman, ish-ministra federalë, gazetarë, artistë etj, çka për mua formësonin një tablo të gjallë të zhvillimeve të atyre viteve, të cilat dukej sikur po i prekja me dorë.

Një peng më ka mbetur që edhe pse erdhi një herë të vetme në Shqipëri, nuk munda t’a takoj dot Mihail Gorbaçovin, apo dhe vetë ish-Kancelarin Kohl sa ishte gjallë, sikurse më vjen mirë që dikur si punonjës i Fondacionit “Konrad Adenauer”, propozova gjatë një seminari, që në Tiranë të kishim edhe ne një copëz nga Muri i Berlinit, përballë të cilit sot të rinjtë shqiptarë ndoshta kalojnë pa e kthyer kurrë kokën e pa e vrarë mendjen se çfarë përfaqëson.

Si njohës i mirë dhe studiues i botës gjermanike dhe ish-Lindjes në përgjithësi, si ka ndikuar kjo periudhë për Gjermaninë? Po për ne shqiptarët?

Pavarësisht disa kritikave që vijojnë të ngrenë krye ( të artikuluara kryesisht nga nostalgjikë të regjimit të vjetër në ish-pjesën lindore të Gjermanisë ) në lidhje me Rrëzimin e Murit dmth. Ribashkimin Gjerman dhe pasojat që la pas, nuk ka dyshim se këto dy akte madhore historike, mbeten një sukses i papërsëritshëm i politikave vizionare dhe triumf i vlerave euro-atlantike, duke sjellë me vete shumë përfitime, në radhë të parë për popullin gjerman.

Ato kontribuan nga ana tjetër fuqishëm, për formësimin e një klime të re në Europë, duke siguruar të paktën për këto vite që po jetojmë, një paqe afatgjatë ( çka shpresojmë të jetë e tillë edhe në vijim), por edhe më shumë zhvillim e përparim shoqëror, demokraci e mirëkuptim.

Nga ana tjetër, duhet pohuar se bota ka ndryshuar shumë nga ajo ditë dhe sfidat sa vijnë e shtohen, duke marrë përmasa globale, ndërsa konstatojmë se Rusia tashmë nuk është më ajo që ishte në vitet ’90, kur me disa koncesione financiare, pranoi një tërheqje pa zhurmë (por me dinjitet) nga ish-Gjermania Lindore.

Balancat e djeshme e potencialet jo vetëm ushtarake, duket se kanë pësuar shumë ndryshime, ndërsa krizat e shumëanshme, dukut sikur po e krisin besimin në themelet e botës që po jetojmë. Sidoqoftë, Rrëzimi Murit, sidomos për shqiptarët, një popull të ndarë padrejtësisht nga historia dhe që u desh të vuante pasojat e një diktature nga më të pashembulltat, shërbeu e shërben si një shembull konkret e motivim shtesë për të arritur objektiva e ëndrra të menduara të parealizueshme.S

Comment

*