Plejadë mjeshtrash të muzikës popullore

Shënime për librin “Magjia e muzikantëve leskoviqarë”

 

Nga DHIMITËR SHTËMBARI

Ditët e fundit në Shqipëri doli nga shtypi dhe u hodh në qarkullim libri interesant “Magjia e muzikës leskoviqare” me autorë shqiptaro-amerikanët Kiço Dimçe, Jani Papandile dhe Niko Dako. Madje u bë edhe promovimi në Tiranë, ku morën pjesë lexues të shumtë, deri edhe personalitete të letërsisë e të muzikës.
Parathënien e këtij libri e ka shkruar i mirënjohuri, Pëllumb Kulla. “Ç’të them më tej për këtë libër të vyer?”- shkruan zoti Kulla. Dhe po vet përgjigjet: “Tërë lulet erëmira janë mbledhur në të”.

Çdo libër është një kopsht që mbillet për të tjerët, ka thënë një i mënçur. Dhe “kopshti” i këtyre tre autorëve është vërtet i pasur. Le të mos zgjatemi:
Zbritur thuajse dy shekuj më parë, edhe në krahinën e Leskovikut do të “takosh” tërë ata muzikantë, jehonën e tingujve të të cilëve të bëhet sikur e dëgjon edhe sot. Ky libër të thotë, se familja Tare që në krye të herës ka pas hedhur bazat e muzikës leskoviqare. Kryefamiljari – Asllan Tare dhe bijtë e vetë – Selimi e Hafizeja, përmes grupit të sazeve që krijuan ngritën në nivel të lartë interpretimin e këngëve popullore qytetare të krahinave juglindore të Shqipërisë.
I pari i familjes Tare ka qënë Enci, që pati dy djem: Asllanin dhe Selimin. Pasardhësit e Asllanit u bënë muzikantë me emër: Hafizeja, Ajdini dhe Veizi. Selimi – në gërnetë e në të kënduar, dhe Hafizeja me zërin e saj dhe me violinë mbeten majat e krijimit dhe të interpretimit të muzikës popullore qytetare në Leskovik e më gjërë.
Hafize Tare (Leskoviku) ka pas qënë violiniste virtuoze dhe këngëtare e talentuar në gjysmën e dytë të shekullit XX. “Ende sot flitet për veçoritë e zërit të saj dhe për vetë atë si nëpër një legjendë” shkruan muzikanti i njohur, akademik Vasil Tole. Hafize Leskoviku nuk arriti të martohej. Iu kushtua këngës e muzikës. Këndoi në Leskovik, në Ersekë e në Përmet dhe deri matanë kufijve të Shqipërisë. Dhe kudo la mbas emrin e saj të paharruar. “Hafizeja ishte një fat për ne, do të shprehej Artisti i Popullit, Mentor Xhemali. – Kjo këngëtare na ka nderuar me zërin e saj të bukur”. Ndërsa studiuesi i mirënjohur i folklorit, Bajram Lapi, ka shkruar, se Hafizeja “krijoi kohën e vetë në traditën muzikore qytetare dhe në kujtesën historike leskoviqare e më gjërë”.
Ka të dhëna që tregojnë, se edhe para Hafizes paska pas qënë një këngëtare shumë e mirë, Mitrie Lena, por, sikundër është dëgjuar të thuhet, kur paska dëgjuar këngën e Hafizes, ajo qënkej dorëzuar dhe e paskej ndërprerë jetën e vetë muzikore.
Kohë më parë është bërë e dijtur, se violina 130 vjeçare e Hafize Tares (Leskovikut), tashmë është në zotrim të Artur Zeqirit, i cili e ka pas ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, por nuk ia paska dhuruar atij institucioni nga që ka menduar se, nën zotrimin e vetë do të mund të ishte më e garantuar për t’u ruajtur.
Edhe Selim Tare (Leskoviku), vëllaj i Hafizes, ka pas qënë një mjeshtër i vërtetë si muzikant. Klarineta e tij, thoshnin ata që e dëgjonin, nuk nxirte tinguj, por zëra; zëra që këndonin, zëra që qanin, zëra që të dridhnin shpirtin.
Djali i vogël i Asllanit, pra vëllaj i vogël i Hafizes – Ajdin Tare (Leskoviku) nuk e zgjati shumë. Shkoi në Stamboll, ku e ndihmuan për të vazhduar shkollën e muzikës. Më 1915 shkoi në Bukuresht të Rumanisë, ku i vazhdoi më tej studimet e nisura. Këtu krijoi portretin e vetë prej artisti, i ndihmuar edhe prej mërgimtarëve shqiptarë, sidomos nga Petro Korçari e Themistokli Bozhani.
Më 1920 Ajdini kthehet në Shqipëri, ndërkohë që nga Amerika kishte mbrritur Banda Muzikore e “Vatrës”. Sikundër tërë pjesëtarët e kësaj Bande, edhe djali i Asllanit i kontribuoi Luftës së Vlorës. Dhe qendroi në përbërje të këtij formacioni muzikor deri në vitin 1926. Mbas këtij viti, së bashku me muzikantët e ardhur nga Amerika, shkoi sërisht në Nju Jork. Tashmë ai do të bëhej muzikant me emër. Thuhet që këtu ai ka kompozuar edhe një Himn të “Vatrës”, por që në fakt nuk gjëndet gjë e incizuar, përveç se njihet vetëm teksti i këtij Himni i krijuar prej Refo Çaparit.
Gjithmonë sipas librit interesant “Magjia e muzikës Leskoviqare”, në Nju Jork Ajdini krijoi një orkestër të nivelit të lartë, e cila jepte programe muzikore jo vetëm në salla me spektatorë nga komuniteti shqiptar, por edhe në ato me njerëz nga komunitete të tjera; greke, turke, bullgare, rumune etj. Madje, Ajdini arriti të krijonte një kompani, ku prodhonte pllaka muzikore në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera të Ballkanit. Kompania e tij “Ballkan Phonograph Record Co” u bë tepër e njohur.
Ata që e kanë pas njohur nga afër Ajdinin, tregojnë edhe për shpirtin e tij të lartë human. Mjafton të kujtojmë këtu ndihmën e madhe që i ka pas dhënë muzikantit të madh amerikan, me ngjyrë, Armstrong, menjëherë mbas daljes së këtij nga burgu. Le të kujtojmë këtu, se në këtë kohë Armstrongu do të bëhej trombisti më i famshëm i Amerikës.
Ajdini u nda nga jeta në vitin 1976, në moshën 81 vjeçare.
Pinjoll i mirënjohur i kësaj familjeje ka qënë edhe Veiz Tare (Leskoviku), djali i Novruz Tares, lindur në vitin 1947 në Tiranë. Duke trashguar talentin e të parëve të vetë, ky ka qënë një ndër këngëtarët e parë lirik të Teatrit të Operas e të Baletit në Tiranë. Ai pati luajtur në role kryesore në operat “Mrika”, “Skënderbeu”, “Rigoleto”, “Berberi i Seviljes” etj. U nda nga jeta në Gjermani më 23 mars të vitit 2011, në moshën 64 vjeçare, duke u varrosur në qytetin Heidelberg. Ky ka qënë një nga të fundit pinjoll të familjes Tare (Leskoviku), që ndoqi dhe e çoi më tej traditën muzikore të të parëve të vetë.
Libri “Magjia e muzikës leskoviqare” informon për traditën më të hershme të këngës e të muzikës së kësaj treve. Na çon në fund të shekullit XVII, duke na kujtuar se paska qënë një muzikant me emrin Muço, që paska dëfryer deri edhe Ali Pashë Tepelenën. Ca më pas, në mesin e shekullit XIX ka qënë i njohur klarinetisti Mulla Merko me të birin – Diamantin. Në vazhdim të tyre bënë emër mjeshtrat Merko Ibrahim Leskoviku. Bëhet fjalë për vitet 1835 – 1870. Sipas muzikantit të mirënjohur Bajram Lapi, në po këtë kohë në Stamboll jehonte muzika e klarinetës së Ferhatit nga fshati Barmash i Ersekës. Tingujt e klarinetave do të jehonin pa u ndërprerë në kohë, sepse mbas atyre të Merkos do të ishin ato të Apostol Jorgos (Leskovikut) (1855 – 1930). Pak më pas do të dëgjohej klarineta e usta Vangjel Jorgos (Leskovikut) dhe ajo e të vëllait – Mitros.
Muzika leskoviqare e vazhdoi rrjedhën e vetë me klarinetën e Vasil Janushit (Podës) dhe të djalit të tij – Vangjelit. Ky i fundit ka marrë titullin Artist i Merituar.
Mjeshtri i klarinetës, Vangjel Jorgo (Leskoviku) është lindur në vitin 1906. Ai pat krijuar një orkestër me emër, në të cilën bënin pjesë edhe i vëllai – Mitroja në violinë, Todo Gulo e Kolo Nake. (Tregojnë, se pikërisht kjo orkestër ka pas qënë edhe në dasmën e Ahmet Zogut).
Një tjetër orkestër e njohur e po kësaj periudhe ka qënë ajo e përbërë prej muzikantëve Vasil Janushi, vëllait të tij – Llazoja dhe nga Ligori e Kolo Nake. Vlen të theksohet fakti, se Vangjel Janushi (Poda) ka qënë në orkestrën e Ansamblit Artistik të Ersekës “As e vogël, as e madhe”, që bëri emër në mbarë Shqipërinë gjatë viteve 1970 – 1990.
Një emër i madh i muzikës leskoviqare, gjithmonë sipas librit të autorëve Kiço Dimçe, Jani Papandile e Niko Dako, mbetet Gaqo Lena, lindur në Leskovik në vitin 1926. Në të ritë e vetë këtij muzikanti iu desh të lëvizte për punë në Ersekë, Përmet e Korçë, për të mbrritur përfundimisht në Tiranë, falë talentit të padiskutueshëm.
Në vitin 1961 Gaqo Lena u bë pjesë i Ansamblit të Ushtrisë Popullore, ku vazhdoi deri sa doli në pension. Me rastin e ndarjes nga jeta të këtij mjeshtri të madh, akademiku Vasil Tole ka pas shkruar në gazetën “Shekulli”, se “…emri i tij (Gaqo Lenës – shënimi im) shkon e renditet mes të mëdhenjve Selim dhe Vangjel Leskoviku, Mehdi Përmeti. Laver Bariu dhe Çoban Lela”.
Në periudhat e mëvonshme, mbas viteve gjashtëdhjetë, kemi edhe mjeshtër të tjerë të muzikës leskoviqare, si Taqo Josifi, Kiço Jorgo e të tjerë.
Vargu i emrave të muzikantëve popullorë të Leskovikut do të bëhej i gjatë po të përmëndeshin të gjithë, por le të mjaftohemi me ato të më të njohurve, si të Koço Vasil Stajos, Andon Mihal Rrushit, Spiro Llazar Zavalanit, Aleks Xhelilit, Artan Stajos, të arsimtarit me kontribut të shquar në fushën e kulturës – Thoma Totojanit e të mjaft të tjerëve.
Gjatë dekadave të fundit rrethi i Ersekës ka nxjerrë, me kuptimin e plotë të fjalës, kolos të muzikës shqiptare, sikundër thuhet në librin për të cilin shkruajmë, të tillë si Aleksandër Peçi, Aleksandër Lalo, Aleksandër Vezuli, Kristo Kote e Vladimir Kotani, të cilët meritojnë një tjetër shkrim të plotë.
Nuk mund t’i mbyllim këto shënime pa thënë dy fjalë për Athinanë, të ëmën e Kiço Dimçes, për këtë Zonjë – Kujtesë sikurse e quan mjeshtri i penës, Pëllumb Kulla, e cila ka sjellë prej galerisë së thellë të kohës thesare të çmuara të folklorit leskoviqar.
Ndërkohë, do të ishte i paplotë ky shkrim pa shënuar diçka edhe për sponsorizuesin e këtij libri, shqiptaro – amerikanin aktiv, zotin Aleksandër Poreçi. “Bashkëpunimi me autorët e librit “Magjia e muzikës Leskoviqare”, shkruan në hyrje të librit zoti Poreçi, bëri që të marrë angazhimin për financimin e botimit të tij; këtë ua dedikoj prindërve të mi, Persofoni dhe Petro Poreçi”.

Ajdin Asllan Tare

Gaqo Lena

Comment

*