Plesch: Tensione ndërmjet liderëve të Kosovës dhe aleatëve perëndimorë

Uashington, 12 janar 2018 – Gazetarja amerikane Valerie Plesch e ka cilësuar përpjekjen për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kosovë si “krizën më të madhe ndërmjet liderëve të Kosovës dhe aleatëve perëndimorë, prej përfundimit të luftës”.

“Do të thoja se situata është e tensionuar ndërmjet Kosovës dhe aleatëve dhe mbështetësve të saj më të mëdhenj në 18 vitet e kaluara”, ka tënë Plesch në një intervistë për radion Evropa e Lirë.

“Mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës dëshirojnë të shohin se Kosova po ka sukses dhe përfundimisht dëshirojnë të shohin se po lëvizë përpara lidhur me përkushtimet e veta për hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës”, ka shtuar ajo.

Pesch ka thënë se emisarët e Francës dhe Gjermanisë që erdhën në Kosovë të mërkurën ua kanë tërhequr vërejtjen liderëve të Kosovës se anulimi i Dhomave të Specializuara do të prodhojë konsekuenca serioze për udhëheqjen e Kosovës.

Megjithkëtë, ajo shpreh bindjen se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë mbështetjen dhe investimet në zhvillimin afatgjatë të Kosovës.

“Mendoj se Shtetet e Bashkuara janë këtu për të mbetur. Ato po e ndërtojnë ambasadën e re këtu në Prishtinë, një ambasadë shumë të madhe dhe mendoj se kjo është shenjë e qartë se Shtetet e Bashkuara do të mbesin këtu dhe investojnë për të ardhmen e Kosovës’, ka theksuar ajo. (r.m.)

Comment

*