Plotësojini ato gjashtë kushte!

Ruben Avxhiu

Pse Partia Demokratike duhet të bëjë çmos për ta futur Astrit Patozin në garë

 

Mund të mos jesh përkrahës i Partisë Demokratike por çdokujt që i dhemb demokracia në Shqipëri shpreson për një opozitë të fuqishme e të shëndetshme.
Rezultati skandaloz i PD-së në zgjedhjet e fundit, mosbesimi i theksuar i votuesve të saj tradicionalë, përçarja mes figurave kryesore, kriza e udhëheqjes, frika për një të ardhme post-Berisha po gërshetohen të gjitha duke vënë në dyshim jo vetëm të ardhmen e partisë por edhe të demokracisë shqiptare.
LSI në rrëmbmin e saj të fundit kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste shpalli ambicjet e saj për t’u bërë një nga dy partitë kryesore shqiptare. Ndonëse sulmet e saj ishin kundër Ramës, ato realisht kërcënuan PD-në. LSI do të rivalizojë shumë shpejt me PD-në si zëri kryesor i opozitës.
Ndoshta mantra që Shqipëria nuk mund të ketë tri forca politike vendimtare nuk është sfiduar ende me daljen e LSI-së në skenë, nëse fundi i ndryshimit do të jetë thjesht zëvendësimi i PD-së me LSI-në në dyelin e madh politik shqiptar.
E vetmja gjë që e ka mbrojtur PD-në nga ekspansioni majtist ka qenë etiketa “e djathtë”. Po elektorati shqiptar po e shpërfill ideologjinë e vetëshpallur të partive sepse vetë legjitimiteti i tyre është në pikëpyetje.
Në korrik 2013, PD nuk duhej të kishte mbajtur siç e mbajti garën për kryetar. Ai rrezikoi seriozisht legjimitetin dhe integritetin e saj me një garë të pabarabartë. Shqiptarët e kanë respektuar Sali Berishën pavarësisht nga mënyra jo gjithmonë demokratike me të cilën ka mposhtur rivalët e tij. Po ai duhet të hapë rrugën për një pasues që e fiton vetë garën në mënyrë legjitime. Përndryshe, PD nuk do të merret me kurrë seriozisht, deri sa Berisha të dalë vërtet nga skena politike dhe i zgjedhuri i tij të provojë që mund të qendrojë vetë në këmbë.
Lulzim Basha ka të drejtë të mendojë se nuk kanë treguar ndaj tij respektin që kanë gëzuar tradicionalisht kryetarët e partive në Shqipëri. Që i është vënë fjala në dyshim shumë lehtë dhe se shumë figura të njohura të partisë nuk e kanë parë asnjëherë si dikush që ka meritura vendin e Berishës.
Po kjo nuk do të ndryshojë deri sa ai të dëshmojë se mund të fitojë në një garë të barabartë. Një rizgjedhje nga pozita e kryetarit vetëm sa do t’ia theksonte problemin e legjitimitetit. Basha e ka gjetur zgjidhjen duke mbledhur sa më shumë figura të reja, pa një memorie të gjatë përpara 2013. Po me këtë vetëm sa ka izoluar veten nga problemi i legjitimitetit.
Ai nuk ka rrugë tjetër. Duhet të panojë sfidën dhe rrezikun e garës pa ndihmën e Berishës ose kundër dëshirës së Berishës, ose do të mbetet në krye të një partie në tkurrje.
Astrit Patozi, një nga figurat më korrekte dhe të papërlyera të Partisë Demokratike ka dalë sot me gjashtë kushte për të pjesëmarrje në garën për kryetar.
Ato gjashtë kushte mund të hapin rrugën që të rimëkëmbet PD-ja. Ato nëse zbatohen mund të sjellin një garë reale që do të rivitalizojë partinë në sytë e militantëve të saj të lodhur e të painteresuar.
Një kryetar si Patozi do të ishte një ngjarje e madhe për demokratët. Do të ishte një lëvizje e befasishme për dy forcat e tjera politike rivale. Do të jepte shpresë për rimëkëmbje historike të partisë.
Po 6 kushtet dhe kandidimi i ish-deputetit të larguar pa të drejtë duhet të jenë lajme të mira edhe për Berishën e Bashën. Të gjitha arritjet e Berishës do të errësohen nëse ai nuk siguron të ardhmen e partisë që ka drejtuar për çerekshekulli. Të gjithë ish-kryetarët imagjinojnë një zëvendësues që është shumë i ri dhe jo po aq i mirë sa ata. Është deri-diku njerëzore.
Disa kritikë e akuzojnë Berishën si të korruptuar që ka më shumë interes të zgjedhë një njeri që do të mbrojë përfitimet materiale të klanit të tij sesa që do të shpëtojë vërtet partinë.
Berisha ka një rast të sfidojë kritikët e dyshuesit duke lejuar vërtet një garë ku ai lejon të fitojë më i forti. Çdo kandidat që fiton me votën e tij nuk do të jetë kurrë mjaftueshëm i fortë për të mundur Ramën e Metën. Ai duhet të lejojë kryetarin e ri të meritojë fitoren.
As Basha, as Selami, e as Patozi nuk do të braktisnin Sali Berishën nëse do të fitonin pa ndihmën e tij. Kryetari historik duhet të ketë besim te zgjedhja e anëtarëve demokratë. Nuk ka fitues legjitim që do t’ia refuzonte respektin dhe ndikimin. Po gara duhet të jetë e pastër.
PD nuk mund ta trashëgojë njeri me një firmë të vetme. Ose nëse Berisha është i vendosur t’ia falë dikut, atëhere le të mos bëhen zgjedhje fare. Nuk do t’ia kundërshtojë njëri zgjedhjen. Ajo që shqiptarët nuk durojnë dot është një pseudo-garë. Ata janë më të gatshëm të pranojnë diktatin e udhëheqësit historik që emëron një pasues, sesa talljen me garën demokratike.
4 vjet më parë, Sokol Olldashi nuk do të kishte as ankesën më të vogël, nëse Berisha do të deklaronte se nuk do të kishte zgjedhje dhe se Basha do të ishte zëvendës i tij. Po pseudogara nuk mundi Sokolin. Ajo mundi PD-në dhe vetë shanset e Bashës për një udhëheqje të respektuar.
PD duhet të bëjë çmos që ta fusë Patozin në garë. Jo vetëm se do të ishte një kryetar i shkëlyer po të fitonte po sepse e ardhmja e saj varet nga aftësia për të realizuar një garë të vërtetë të besueshme.
Partia që i solli demokracinë Shqipërisë ia ka borxh historisë që të sjellë demokracinë edhe brenda vetes.

One Response to “Plotësojini ato gjashtë kushte!”

Read below or add a comment...

  1. Thanas L. Gjika says:

    Fjale te arta: “Partia qe i solli demokracine Shqiperise, ia ka borxh historise qe te sjelle demokracine edhe brenda vetea.”

Comment

*