“Poetja Elida Rusta nuk urren, ajo ka shpirtin që lufton e që dashuron”

U promovua në Shkodër vëllim i i dytë i poetes Elida Rusta “Ëngjëjt nuk mbahen për dore”. Dramaturgu dhe shkrimtari Fadil Kraja tha se “urrejtjen nuk e sheh në asnjë poezi të saj” dhe se “kjo është e bukura, është e madhërishmja e atyre që duan ta kuptojnë shpirtin e Elidës, të pastër në thellësi dhe kaltërsi”

Elida Rusta ka promovuar në Shkodër në hollin e teatrit “Migjeni” librin e dytë me poezi me titull “Ëngjëjt nuk mbahen për dore”.

Në një ambjent të ngrohtë me prani të dashamirësve të poezisë, është folur për këtë libër, raportoi Anila Dushi nga Shkodra.

Dramaturgu dhe shkrimtari Fadil Kraja ka theksuar se “çdo gjë ka në poezinë e saj. Mungon vetëm një gjë; dhe, kjo është urrejtja. Urrejtjen nuk e sheh në asnjë poezi të saj. Dhe kjo është e bukura, është e madhërishmja e tyre që duan ta kuptojnë shpirtin e Elidës, shpirtin e madh, shpirtin e gjerë, shpirtin që gjuan, që vuan, që lufton, që dashuron. Shpirtin e pastër të saj, të pastër në thellësi,të pastër edhe në kaltërsi”.

Studiuesi e kritiku letrar Zija Vukaj shprehet se në poezitë e Elidës ka një vrazhdësi të bukur dhe një bukuri të vrazhdë.

Albert Vataj , studiues thekson se Elida shkruan për shumë pak njerëz,për ata që e ndjejnë dhe lexojnë. Elidën mund ta lexosh si një Bibël”.

Vetë poetja Rusta shprehet se libri i saj me poezi trajton tema të ndryshme sociale.

“Poezitë e mia kanë tema sociale,trajtohet hijeshia njerëzore, dashuria sublime,synimi i së bukurës”. Arti, thotë Niçeja, ka lindur për të bërë të përballueshme jetën në tokë”. Ka gjëra që të bëjnë të ëndërrosh, pa ëndrra nuk ka paqe sociale, nuk ka kënaqësi”, thotë Rusta.

Në librin e Elida Rustës janë përmbledhur rreth njëqind poezi të cilat autorja i ka shkruar në dhjetë vjetët e fundit. Tematikë e këtij libri është dashuria ndërsa libri i parë i saj mban titullin “Njëmijë vjet Ajkunë”.

Comment

*