Poezi me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Julia Gjika

FLAMURTARES KOSOVARE*

Nuk dija asgjë për ty

deri ditën e demonstratës,

as emrin.

Me emër të ri të thirrën:

FLAMURTARE”.

Më erdhe pranë Ylfete,

të ndjeva frymëmarrjen.

Kur ngrite lart flamurin,

shpalose dëshirat rinore.

Kur plumbat të goditën,

u drodhën zogjtë e ikën,

u këputën petalet e marsit,

u përflak drita e diellit,

dhe e gjithë Kosova.

I fale trupin, emrin,

Flamurtare e Lirisë”.

Kosovës i linde

të reja Shote Galica.

Mars – Prill, 1981.

– – – – – – – –

* Kushtuar dëshmores Ylfete Humolli, nxënësja që i doli para tankut sërb e mbështjellë me flamur.

 

IBRAHIM RUGOVËS

Atë që askush nuk e shihte,
Ti e pe, ende udhën pa e nisë:
Qiellin e kaltër përtej reve,
Kosovën, në krahët e Lirisë.

Tek shkëmbinjtë rplasen valët
Era shkon e vjen si e marrë.
Njerëzit, gurët edhe drurët
Kanë ankth, kanë acar.

Zjarrin që të digjte në zemër,
Si trim e durove pa ankim.
Deri në shtratin e vdekjes
Me dashurinë fole, i urti Ibrahim.

Të ftohta ditët e atij Janari,
Të ftohta muret nëpër oda,
Luadhet e malet e Kosovës,
Mbuluar nga ngrica e bora.

Nata harron të largohet,
Shpirti po ikën ca nga ca.
Zemra dhe truri i munduar,
Në duart e natës dhimbjet i la.

Lot i fundit i jetës rrëshqet
Njeriun e Madh paqja mbështjell.

Janar, 2006

 

GËZIMI I FITORES

Mezi e pe ditën.

Mezi e ndave nga nata e gjatë.

Mezi erdhi Fitorja.

S’ishin pak tragjeditë,

humbjet, dhimbjet s’ishin pakë.

Kjo ditë Kosovë,

i ngjan stinës së pranverës.

Gëzimin solli,

me kthimin e dallëndysheve,

me kthimin e yjeve në qiell.

Si një trup i vetëm ke dalë

nuk të nxënë sheshet.

Nëpër botë,

me kohë u shitën biletat.

Rrugë të reja gjetën dasmorët,

për të ardhur te ty.

Eshtë e diel,

Qielli është i kaltër,

Fytyra jote shkëlqen.

Pritja ishte e gjatë, përtej durimit.

Me zë te plotë, me zë të fuqishëm shpërthen.

Me korin e ëngjëjve,

me fuqinë e dallgëve të oqeanit.

Rruga e gjatë e mundimeve

mbeti pas.

Fitorja është ulur

pranë sofrës së madhe, Dardani

buzëqesh me fytyrën e heronjve.

Eshtë e diel,

Shpirtrat gëzojnë

Toka dhe Qielli kanë festë

Në varrezat, martirët

të qetë janë tani.

Asgjë nuk vajti dëm

As gjaku i derdhur.

Ata që e dinë se çfarë ndodhi dje,

nën këtë qiell,

ndoshta nuk dinë shumë,

ndoshta pak, shumë pak dinë.

Por qielli yt i di të gjitha.

Ky qiell di kaq shumë.

Ndaj sot nuk mbahet,

derdh dritë e ngrohtësi.

Pranvera rrit barin e ri, me shpejtësi.

E gëzofsh Fitoren Kosovë !

Shteti më i ri në Botë.

Bota të njohu KOSOVË!

Shkurt, 2010.

One Response to “Poezi me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës”

Read below or add a comment...

  1. Ferhat Ymeri says:

    Poezi shume te bukura. Faleminderit e pergezime, Julia Gjika!

Comment

*