Poezi nga Gena Morina Bajrami

Autorja, Gena Morina Bajrami

DOLLAPI I NËNËS

 

Gjurmët e viteve të mia

Gjeta ne dollapin tënd Nënë

Krenari e dhimbje, mall e lot aty pashë

Një myshk i hollë kish rënë mbi fotot dhe kujtimet e mia.

I preka një nga një e u mora erë

Dalngadalë duke mos prishur radhën e formën

I shikova dhe përkujtova

Dallgët e jetës sime, që valviteshin herë të rrëmbyera e herë të qeta.

 

Kishe ruajtur dhe numëruar me shumë kujdes

Minutat, orët, ditët, muajt, vitet

Edhe pritjet, ndarjet e takimet

Asgjë s’të kish shpëtuar nga ime jeta

Ëndërra, dëshira, shpresa

Arritje, gëzime e përqafime

Çdo gjë timen aty gjeta

Si një artiste e rrallë, mungesën time në një mozaik kishe ekspozuar

Çdo gjë që të hynte në një dollap

Kishe përgaditur e formësuar mjeshtrisht

Edhe lotët e mallin, mund t’i prekja me dorë

Ne një skulpturë kishe ngurtësuar.

E shkallmuar, me një peshë të rëndë faji për plagën e shkaktuar

Mbylla derën me rrëmbim

Dollapin të vetmuar e lash

Vetëm ne shoqerinë e lotëve e mallit

Dhe së bashku me 18 vitet e gurbetit tim

Kujtesa me kish tradhëtuar

Pluhur kish rënë mbi të

Me barrë të varur e myshk të ngjitur mbi supet e mia

U largova vrullshëm, gati e ngulfatur

Ah jetën time ma kish gllabëritur djalli

Tani sytë lotonin pa mbarim.

 

Manhattan, Korrik/2011

 

 

 

NUK DUA TË VDES

 

Dua të jetoj

Të zgjohem heret në agim

Ta prekë vesën e bardhë

Te pijë kafen e mëngjesit

Këngën e bilbilave ta dëgjoj

Në drekë ta ndjeje aromën e bukës së gatuar

Të puthë një fëmijë në ballë

Në mbrëmje duke perenduar ta shoh diellin

E natën vonë

Kur bota ne gjumë është thelluar

Atëherë, në qetësi, të sodis qiellin.

 

Dua të jetoj

Të marr frymë edhe njëherë thellë

Të ngopem me ajrin e lehtë pranveror

Në dimër si një fëmijë, të ha borën e butë

Në verë, kur vapa përvëlon, të pije ujin e kripur të detit

Të lagem e lagem qull të bëhem nga furtunat e të reshurat e shiut vjeshtor.

 

Dua të jetoj

Të ecë oqeanin vetë në këmbë

Dallgët e tërbuara edhe një here t’i kapërcej

Me krahët e mi mbi re të fluturoj

Të prekë me duart e mia yjet në qiell

E t’i numëroj një nga një

Dhe po t’më djegnin në pëllëmbë.

 

Dua të jetoj

Akoma

Jo, nuk dua të vdes

Kupton

Të lutem më dëgjo me kujdes

Edhe njëherë po e them

Nuk dua të vdes

Kujtimet e mia pa shkruar e thënë

Një fjalë të mirë te Ti pa lënë

Jo dhe jo

Akoma

Nuk dua te vdes!

 

Manhattan/ 7 nëntor, 2011

 

 

 

MALLI NË METROPOL

 

Era të solli prapë

Të barti mbi male e oqeane

Në mijëra net e qindra stinë u rrokullise

Dhimbjen prapë trembe

Me shkrepa gjigant herë pas herë u perleshe

Mbi gjethet e kalbura të vjeshtës mocme ishe shtrirë

Trupin tënd lakuriq hiri i ftohtë të kish mbështjellë

Mbi gurët e thepisur ishe zvarritur në gjunj

Për të ruajtur dheun e Dardanisë

Në një grusht

Vetëm shpirti të kish mbetur

T’vinte aromë hiri i mykur

Nga lotët e derdhur te te parëve

Pangrënë e papirë

Etjen të kish shuar, gjaku i virgjër i fëmijërisë.

 

U ktheve furishëm

Si një lugat

Më dole përballë

Në Times Square

Pranë vatrës sime të ftohtë

Solle dheun e vjetër

Bashkë me eshtrat e të parëve

Të qeshurat e të qarat

Ninullat e fëmijerisë m’i këndove

Pandryshuar, si ngaherë

Me zemër të zjarrtë, shpirt të tendosur

Hirin e mocëm

M’u para këmbëve të mia e përplase

Atë e hodhe troc

Si në kohërat e vjetra

Atëherë, kur aromë bozhuri e bliri vinte

Me paraqitjen tënde të rrallë

Valsin tënd të famshëm, madhërishëm vallëzove

Kullës Rockefeller nostalgji i zgjove

Artistët në Broadway t’kishin zili.

 

U ktheve prapë

Këtu në vendin tim të ri

Ku shtatëmijë e shtatëqindë cudira n’sekond ndodhin

Ball lartë e zemër Atlantiku

Tërë globi flet gjuhën e tij

Më dha bukë e dinjitet

Gjaqet ballkanike të lashta pushoi

Vetëm një gjë është për cudi

Lulet janë pa aromë

Zogjët këndojnë në tjetër zë

Bora nuk ka bardhësi

Fushat e malet janë bërë një

Dielli nuk dihet kur lind, as kur perëndon

Kur është ditë, kur është natë

Yjet nuk ndricojnë

Qiellin nuk e shoh

Betoni cdo gjë gllabërinë

Me rrokaqiejt bashkë marrim frymë.

 

U ktheve

Pa me pyetur

Më gjenë apo nuk më gjenë

Jam apo nuk jam

Dua apo nuk dua

Ndjejë apo nuk ndjejë

Kur komplet jam tjetërsuar

Prej agimit deri ne errësirë

Fantazmat e operave më rrethojnë

Fëmijët më flasin në tjetër gjuhë

Carnegie Hall asimilimin më këndon

Me zerin e tij të thellë, të vdekurit nga varri zgjon

Noli, “Mbaje nënën të fortë”, m’qorton

Central Parku kundërmon erë deshirash që bertasin

Wnderra amerikane vazhdimisht n’vesh përshpëritë

Lumi Hudson i mbytur nga vaji i shtegëtarëve

Gurgullon miliona zërash të pa kuptuar

Statuja e Lirisë pak matanë lumit, e trishtuar

Zgjatë dorën e saj të gjatë t’u fshijë lotët të posaardhurve

E vetmja, që më në fund, metropolin qetëson.

 

Kthehesh

Kur unë krejtësisht jam mjegulluar

Nuk di se kush kam qenë, as kush jam

N’shurdhmemece jam shndërruar

Nuk dua të flas, as të dëgjoj

Kur dhe gjaku i mocëm zien n’Dardani

Ajri e uji i tij është turbulluar

Burrat janë bërë gra, gratë burra

Të pangopurit marrin bukën të pangrënëve

Shërbëtorët pa pervojë, përpos shtëpive, fshijnë dhe trurin

Imitatorët përendimin kopjojnë mbrapshtë

Roni dhe Rini, m’shikojnë t’hutuar

Shkojnë e vijnë n’atdheun tim

Një fjalë t’gjuhës nënës nga moshatarët pa mesuar.

 

E ti mall

Kthehesh tani

Kur dhe zemra pushtetin krejtësisht humbi

Nuk di qenien time më cka dirigjon

Kur dhe me të afërmit u bëmë të panjohur

Me të panjohurit u bëmë miq

Kur dhe vendi im m’u bë i huaj

Askush nuk më njeh, askend nuk e njoh

E prushin Tend n’kocka e ndjejë

Kur mendova që ndoshta tashmë je katandisur

Ti, prapë kthehesh, pa mëshirshëm

Sepse don t’më kthesh prapë n’udhëkryq

Tash, që jam verbuar, e nuk dua të shoh

E që jam shurdhuar, nuk dua të dëgjoj.

 

Kthehesh

Malli im i lashtë

E prapë do të rikthehesh

Ti mor kryenec

Pa më pyetur fare

Kam forcë apo jam ligështuar

Peshën tënde mbi supe t’mbajë

Ti s’pate mëshirë ndaj dhimbjes kurrë

As atëherë, kur zemra pushtetin mbante

As tash, që gati kam harruar dhe emrin tim

Por, e di

Vetëm Hiri im në grushtin Tend

Ty, do të tretë

E atëherë

Era do të bartë

Lehtë, e lehtë

Pa u ndier

Atje, në gjenezën time

Unë, nga lart, ne qiellin e kthjelltë, do te tallem me ty

Do te qesh

E Ti, poshtë në humnerë, skuqur nga turpi

Do të qash!!!

 

Manhattan, New York / 8 dhjetor, 2011

 

 

 

EPITAF

 

Më shkele këmbët, por gjurmët më kanë mbetur

Më preve gishtërinjt, por botën në pëllëmbë e kam

Më kape gershetin, por mendja rrënjë m’ka degëzuar deri në qiell

Më ra në zemër, por zjarr mora nga ti për të parë dhe ëndrrën tënde

Më hodhe në baltë, te puthë dhe ashtin e mykur

Idhtësia e tij përjetësisht më zgjoi nga gjumi

U ngrita, për herë të fundit, t’mos shkelem më.

 

Dhe, udhëtimi im filloi

Lexova gjitha epitafet një nga një

Mite e legjenda

Të shkruarat e të pa shkruarat

Të thënat e të pathënat

Të djeshmen, të sotmen, të nesërmen

Që nuk ia arrite t’i flakësh dot

Të gjithë heronjtë fillova të gjurmoj

Gjeta të gjithë eshtrat e tyre, t’rinj e t’vjetër

Përpos moteve, dallgët nuk dallonin

Të njejtin terror e tmerr u lexoja në ball

Me t’njejtin petk malli mbështilleshin

Gjakërat n’heshtje ende u rënkonin

Të trishtonin me sytë e tyre të hapur

Wndrrat e tyre hije mbi supe ju kishin varë

Grushtat u kishin mbetur të mbyllur

Gjunjët të shtrënguar

Të mbledhur, gjysmë shtrirë

U ngulfata nga trishtimi

Ofshamat kisha frikë t’i lëshoja

Ngulshimi më kish kapërdirë

Tym i mocëm klithte nga plagët

Shpërndahej dhe jashtë varreve

Një pjesë të gjallëve ju mbulonte trupat

Pjesës tjetër vetëm sytë.

 

Dhe, u ngrita me llahtari nga vendi

Lëmashku i eshtrave, ngjyrë e pendë mu bë

Iu drejtova gjakpirësit me këta rreshta

Mor vampir i ndyer

Kurrë  nuk do t’ia arrish farën të më tretësh

Sepse shumë vonë ke ardhur në varret e mia

Gjembat e tyre tani, një planet kanë gllabëruar

Thikat e juaja me mirë vezullonin nga largësia

Dhe rrënqethjet e dhembjes vinin më të mëdha

Me thepat e gurëve shtypës, mendjet e tyre mprehën

Djersët e tyre qanë akullin e egër

E thyen derën e ngrirë

Të vjetër, sa një plak shekullor

As tokës së tyre bukën kurrë s’ia ndanë

Filmat e tu gjakepirës në rrënjët e dhëmbëve mbajnë

Deri n’eternitet do të mbetesh kasapi i shpirtit tyre

Se ti ra, që dje, sot, e nesër

Frymojnë e s’dinë a thua valle kanë jetuar

Mendojnë e s’dinë se cka të kujtojnë

Përpos, eshtrave dhe Ty, vrasësin e ëndrrave

Që me lotët e tyre edhe sot ushqehesh

Zjarri i tyre përjetësisht do të kallë

E vatrat e tyre do të pikojnë Yje mbi atdhe!

 

Janar/2012, Manhattan, New York

 

 

 

FOL

 

Deri kur do të zgjas kjo heshtja jote

Me vite e dekada po të pres

Vetëm një fjalë të më thuash

Mjaft mendove e u c’mendove

Theje kete akull që të ka ngrirë

Si mund të të njoh, kur një fjalë s’ke ndërruar

E dëgjon, ja dhe vdekja në derë  po troket

C’do të shkruaj për bashkëudhëtarin tim

Cka ka dashur apo cka ka urryer

Po hape gojen mor burrë

Mos ke frikë

Nuk më tremb dot fjala jote

Heshtja jote më shumë po më mbytë

Se sa tërë cmenduritë e kesaj bote

E din ti këtë

Në cdo heshtje, një shekull jete po vdes!

 

Më trego për bashkëkohësit e tu

Pasardhësve enigmat tua zbardhim

Mos ke frikë

Sado të hidhura të jenë ato

Ata do t’i perqafojnë deri n’amshim

Si suvenire të arta n’muze do t’i ruajnë

Hapi ato dyer të celikta

Ja, vdekjen prapë e dëgjova duke trokitur

Nuk di se për kend po troket tash

Për mua apo për pasardhësit

Se ti ashtu – kështu deri tash ke qenë i vdekur

Thuaje të vërtetën bile njëherë

Mos më lë dhe mua të vdes, në botën tënde të heshtur

Ende nuk është vonë të dijmë

Kemi ekzistuar apo s’kemi ekzistuar aspak

Sido që të tingëllojë, vetëm gënjeshtër mos të jetë

Se a kemi jetuar për të vdekur

Apo kemi vdekur për të jetuar

Nuk ke nevojë të brengosesh tani

Pasardhësit këtë më së miri mund ta vlerësojnë.

 

 

Vetëm fol të vërtetën

Ti, dëshmitar i kohës sime

Se toka të mbajti të heshtur

Por varri këtë kursesi nuk do ta durojë.

 

Shkurt, 2012 /Manhattan, New York

 

 

 

TI, MREKULLIA IME

 

Sot, derisa shikoja veten në pasqyrë, mendoja

Vallë, si ka mundësi njeriu të jetoj

Me një copëz zemre të plasaritur

Tani, kur flladi i nënës krejtësisht të mungon

E shpirti lëngon për ajrin e frymën magjike të saj

Që nuk e gjenë më dot

Por vazhdon prapë në heshtje

Të rrugëtosh vetëm me zërin

Që ndoshta ndonjëherë mund ta dëgjosh

Në ëndërrat e natës

Qe si formula matematikore, kur të zgjohesh nga gjumi

Orvatesh t’i shtjellosh

Në ato pak sekonda

Lufton, t’i plotësosh tërë këta shekuj

Të boshatisur pa Të

Si ka mundësi

Si ka mundësi të jetosh

Pyetem, pyetem e pyetem.

 

Dhe, prapë rishikoj veten në pasqyrë

Por, kësaj rradhe, dicka tjetër shoh

Një fytyrë e ëmbël  që më dha jetë

Shikimin e saj më kish ngulitur

Si dy yje gjatë natës, sytë i shkëlqejnë

Ngrohin tërë qenien time, sikur t’isha strukur në gjirin e saj

Lehtas, njëra dorë më rrëshqet mbi gjoks

Dëgjoj tani, të rrahurat e saj, që formësuan qenien time

Bien si këmbana e m’tingëllojnë të bukurën melodi

Fjalët i rradhiten njëra pas tjetrës

Si telat e një kitareje, më drithërojnë tërë shtatin

Që të gjallërohem, e të qëndroj në këmbë

E përmalluar ngritem, m’hapen flatrat që pat qëndisur në mua

Që të fluturoj mbi re

Ndjenja pranverore fillojnë t’më bucasin madhërishëm

Zot, sa e fuqishme paskësh qenë dashuria e shpirtit të saj

Cdo uratë më vjen sikur një trumpetë në hapat e rrugëtimit tim

Që shkatërrojnë cdo të keqe rreth meje, e ngrisin vetëm mirësi

Të dua, e do të dua deri në pafundësi o Nënë

Ti ishe, je dhe do të jesh, cdo herë e imja Mrekulli!

 

8 Mars, 2012/Manhattan, New York

 

Comment

*