Poezia e Elida Rustës, si poezi e ekzaltimit shpirtëror dhe shenjtërimit fjalë

Tendencë tjetër e autores është përshfaqja e formave dhe imazheve të sjellura jashtë zhargoneve e rregullave fikse, por thjesht si rrjedhë e një logjike të arsyeshme…

Agron Shele

“Jam dikund
mes diellit që m’pat qorrue
e minutës çmendun,
që m’bani me harrue verbimin.”

Jam dikund, diku, përmes diellit që verbon mijëra shikime rrezesh, minutës që ndoshta çmendet zenitit të tij dhe që të kujton të harrosh verbimin, pra të çelësh sytë e mendjes e të vëzhgosh, të kuptosh, të shndrisësh dhe jetosh atë shpërthim hapësinor që ndodh përbrenda egzaltimit të një shpirti poetik, për të bukurën, estetikën, harmoninë e ngjyrave dhe mistizmin që shtyn përherë drejt asaj imagjinate, e cila të mrekullon, befason por dhe nxit drejt skajshmërisë dhe viciozitetit shtjellë që rrethon me gjithë ditëhijet e mbart gjurmët më të thella të vetëdijes. Kështu vjen me poezinë e saj autorja Elida Rusta, natyrshëm, në referim me përjetimin dhe emocionet, ardhur si nga mitika nëpër ato lëndinaja të pafundme, drejt fluiditetit mendim, absorguar me vizionet, tejkaluar vetvetes, rrëmbyer dalldisë pasion e derdhur valëmuzash të krisura, të thyera kornizave kohë. I gjithë ky frymëzim duket sikur stiset e mbruhet përmes fantazi zanash, që ngre shtat në të ftohtat ujëra bore e ashtu krenarisë hijshme përflasin atë botë përrallore, me kraharorë pëllumbash të bardhë, me egërsinë e klithmave thirrje honeve të harresës, me sy ngjyer në qiell e sjellur në krahë engjëjsh netëve më të errëta për të zbardhur terret njerëzore. Në artin e saj shikon të ndizet një rrebelim që shkon gjer tek vetë idhujt, këto ikona të ngritura në kolona memorie e ndjekur hijëzimit të lënë pas, ndjek një lakonizëm që është përherë në lëvizje e dualizëm gjendjesh, kupton përpjekjen për të kapërcyer gjithë rrathët enigmatikë e prej aty të shkëpusë të padukshmen, të papercepetueshmen dhe gjithë ky sigmatizim, vetëm e vetëm për të qendërzuar botën përmes konceptit të një lirie të pafund, pa komplekse e pa kufij. Tendencë tjetër e autores është përshfaqja e formave dhe imazheve të sjellura jashtë zhargoneve e rregullave fikse, por thjesht si rrjedhë e një logjike të arsyeshme, që derivon aspekte metafizike, diku shndërruar në frymë për të prekur tiset e zverdhura të stinës, diku tjetër në ujë për tu shndërruar në stërkala valësh, diku tjetër në një copë meteori të thyer e kryqëzuar trupit të tokës, diku tjetër brengë e brengës së saj për atë paskohë që parakalon syve gri e stampon pa reshtur dhimbjen. Larmia e vetë jetës është mozaiku i ngjyrimeve të kësaj telajo të hapur, e cila për çdo herë duket se këndvështrimi më i parë e paraqet me gjithë shkëlqimin dhe ndriçimin e duhur, por kur detajon gjurmët e penelit të duhet se ke gabuar, diçka është këputur, mungon, është zbehur në trajta e forma konfrontuese me arsyen dhe me shqetësimin që karakterizon çdo qenie të një ndjeshmërie të tillë estetike, humbet nëpër atë qerthull dhe kërkon e kërkon të mbivendosë pamje e vizione, për të përftuar të përkryerën. Hapësira krijuese e Elidës ka figuracion dhe simbolikë, ka mesazhin e thellë dhe dashurinë njerëzore, ka ëmbëlsinë e gjuhës në gegnisht dhe metaforikën fjalë, vjen përmes nënidesh dhe me filozofi, realizon përthyerjen e kuptimeve me mbyllje kulminante të vargjeve për të dhënë tjetër dimesion, tjetër paraqitje grafike, tjetër grishje për lexuesin, stilistikë kjo që jo vetëm e veçon por dhe identifikon si një kreaturë me botë të gjerë e vizionare.
“ E gjeta dallndyshen e Shirokës,
në orën shtatë të ditës re,
t’pashëtitun,
t’parritun,
tuj u dridhë si shelg i vjetër,
etheve t’ftohta t’stinës.”
Dallëndyshja e Shirokës vjen në këtë poezi, pa falmeshndet n’Atdhe, e pashëtitun, e parritur, tuj u dridhë si shelg i vjetër, etheve t’ftohta t’stinës. Por në kuptimin më të thellë aty kemi një paralelizëm midis asaj dëshire e mallit të patreguar të mërgimtarit ( Dallëndyshja e Shirokës), i cili gjente paqen dhe tek një shpes i lirë, që do arrinte të kapërcente dete e male për të çuar falmeshëndetet e tij. Për ta bërë më elegjike këtë dhimbje, poetja perifrazon me zogun shtegëtar që i thërmon zemrën, që nuk gjen limanin e andrrës, të shpresës së atyre syve që e presin në kthim, duke e lënë atje mes dherash të tjera, me krahë të kryqëzuem përjetë në pritje. E gjithë kjo poezi është ngritur në himn, si një simfoni dhimbjeje, për ditët e pritjes, por dhe ditën e re që duhej të niste ndryshe, e cila e gjen me zogun e shpresës të thym, të rrëzue dhe e dridh si shelgu lot akullit të stinës.
Në një tjetër poezi autorja sikurse çdo intelektuale e përgjegjëshme deshifron kohezionin përjetues, përditësinë jetë, që zgjohet në mënyrë kaotike, me sklepa të rënduar grisë jetë dhe e cungume.
“Andrra lojcake
përplaset në realitetin shkamb..
Mue m’vret vetja
në drejtësinë e cungueme
të kësaj bote të rrejshme.”

Ironizimi që i bëhet kësaj lojcake andrre është therëse, fragmentizon denatyrimin njeri në një relitetit të grishtë, me mure kudo, në kokë e në qiell, për të kufizuar dhe rrënuar shpresën e brishtë fshehur pas fasadave të rrejshme të kësaj bote. Diçka është këputur, nuk funksionon dhe për më tepër është pushtuar nga etja dhe lakmia, ndërsa virtyti, etika dhe mirësia po ngushtohen përherë e më shumë, duke mbjellur një të nesërme më pragmatike dhe shumë më të zymtë. Shqetësimi i autores është më se i drejtë, pasi humbja e ekulibrave të tillë po produkton qenie amorfe, të shkëputura nga hallkat harmonike të shoqërisë, ku për fat të keq qenia humane ka humbur sensin dhe shikohet si një objekt nga i cili mund të ushqesh instiktet e tjera të egra jashtë arsyes.
Poezia lirike thuajse zë peshën më të madhe të krijimtarisë së autores dhe e ardhur me elokuencë, sharm dhe ndjenja të holla estetike bën që ky motiv i pastër shpirtëror të ngrihe në kulme të tjera dhe ngjyrime shumë më tejçuese.
“Dashnia t’merr përdore,
ta then qafën.
S’asht lojë për t’dekun,
veç vallëzim hyjnish.
Duhet me u qorrue
për me pa yjet.”
Në pak vargje kupton se si autorja e përmbledh ndjenjën më të thellë njerëzore, dashurinë, këtë bashkëudhëtare të pandarë të jetës, që të rrëmben dhe të humbet në të tjera hone, gati të pavetëdijshme e si në vallëzim yjesh ndizet, digjet e më pas shkrihet froneve më të bukura të hyjnive. Ky përjetim zgjat si në rrethet danteske, ku dhe ferri kapërcehej për të parë Beatriçen, apo tragjizmit shekspirian që veç kupa e helmit mund ta qetësonte tundimin dhe pasionin e çmendur, për të vazhduar më pas në të tjera e të tjera episode që e zbresin si një hënë dhe e përjetësojnë në një gjurmëvalë.
Leximi i poezive të autores Elida Rusta është më shumë se një proçes reflektimi, për atë se çfarë fuqie ka arti dhe për më tepër vetë poezia, e cila në çdo varg ka një botë, ka një hapësirë, ka një zhvillim, ka një ngjyrim jete, që me kohën nuk di të zbehet, por veç të shndrijë magjinë dhe fuqinë e shenjtërimit fjalë.

*Elida Rusta është antare e Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave prej gushtit 2017

Comment

*