Poezia që u vlerësua me çmimin: “Dea, Hyjnesha e Butrintit”

Poezia: Saranda, Dea dhe Joni

Nga Keze Kozeta Zylo

u vlerësua me çmimin: “Dea, Hyjnesha e Butrintit” në konkursin poetik prej 100 poetësh nga e gjithë bota shqiptare në Sarandë nën drejtimin e kryetarit të Bashkisë së Sarandës dhe aktorit Anastas Nika.

 

 

Saranda, Dea dhe Joni

 

Saranda me flokët e kaltra si ujëvarë,

Pikturon Long Island të Nju Jorkut si një bukurane e rrallë,

Shemra e saj ka zbritur këtu me shkallaret e qiellta,

Dhe prek mijëra zemra sa të florinjta aq dhe të diellta.

 

Sarandën,të paktën një copëz mitologjike,

Ia rrëmbeva Atdheut dhe e ngjiza në mitrën biologjike,

Të dëgjohej emri i saj sa të tundej dhéu,

Se 40 shenjtorët kanë vetëm fuqi Antéu.

 

Ju betohem emri i saj përmendet mijëra herë,

Dhe mijëra herë ajri mbushet me cicërrima,

Se ky emër ka mallet si sythet në pranverë,

Që ujiten me stërkalat e Jonit nëpër oshëtima.

 

Saranda më vjen me ca trille nimfash joniane,

Qe i çmend të “paditurit” për këtë perlë në Jug,

Më besoni që i parfumos si një manushaqez Naimjane,

Dhe qëndroj buzë Atllantikut herë si perendeshë e herë si murg…

 

Emrin e saj në shkollë e këndojne si një lirikë korale,

Që e sjellin nëpër hapësirë me fluturime pindarike,

Në mushkërite e ajrit Saranda është bërë virale,

Sepse është emër shenjtorësh me fuqi mitike.

 

Me fije të shndritshme e qëndis emrin tënd,

Nuk munden gjilpërat të pranojnë pëlhurë tjetër,

Ti vallëzon kaq me trille në këtë vend,

Sa tokë e qiell i ul në gjunjë, patjetër…

 

Kam filluar ta ndjej se si të huajtë kanë rënë në dashuri,

Dhe luajnë me xixëllonjat që u tregojnë shenjëzat antike,

Në qiellin Nju Jorkez ngrihet Burtrinti me moshë sa guri,

Në këtë amfiteatër luhet drama më e madhe nga vendet tragjike.

 

Më përthyhen kujtimet ditëve të diellta dhe me shi,

Dhe ngjallem nëpër tempujt e statujave të lashta,

Sarandës si vend i shenjtë i falem veç si një Perendi,

Natyrisht dhe amerikanët që u magjepsën me bukuritë e rralla…

 

Në se Van Gogu do kishte vizituar Sarandën,

Padyshim do kishte realizuar pikturën më të famshme në botë,

E sigurtë se kushdo që e vizitoi i thuri ma te bukurën kangë,

Kangë që do të këndohen buzë Jonit të kripur, përjetë e mot.

 

Me emrat e bukur Dea, Saranda dhe Jon,

E ndeza si fishekzjarre qiellin e Manhattanit mbret mbi fron,

Sikur 40 herë si gjyshe t’i përmend emrat e tyre gjatë ditës,

Domosdo shenjtorët do më shfaqen si vetëtimat e dritës.

 

Saranda gufmon natën në shezlonin e Hënës së blunjtë,

Dhe përhumbet ditën në kurbën e dielltë që bie mbi Jon,

Një fragment dashurie mund të thyhet në urën e drunjtë,

Por janë miliona që puthiten ethshëm pranë syrit tonë…

 

Saranda! Ti ke tingullin më magjepsës në botë,

Melodia tënde më josh si Orfeu kur luante me harpë,

Dhe më rrënqeth si legjendat antike nëpër Jon,

Me më të bukurin emër, si kurorë princeshe mbi ballë.

 

Gusht, 2020

Staten Island, New York

 

 

 

Comment

*