Poezitë e Kozeta Zylos janë si ikona malli për të gjithë lexuesit

Nga Luigj Çekaj

(Fotografia lart: “Vjosa” – vepër e piktorit dhe artistit Astrit Tota)

 

Ti lexues e ke zemrën plot jetë, krenari, dashuri si retë, prandaj per ty këto këngë

Walt Whitman

Megjithëse unë personalisht, nuk jam kushedi se çfarë ndonjë analist i përkryer dhe aq më pak një teoricien i stisur, por nga përvojat e mia në botën letrare dhe sidomos në vlerësimin e poezisë si gjini më vete, kam besuar gjithmonë se vetë poezia nuk mund të klasifikohet kurrsesi as si poezi “primitive,” as si poezi “moderne,” por as edhe “post-moderne,” siç është bëre zakon ta quajnë tani së voni.

Përkundrazi duke mos guxuar të thyejnë rregullat e traktatit të artit të vet nëpërmjet zëvendësimit të vargjeve dhe të mjeteve të tjera stilistike me asnjë lloj shpikje të re, ajo është ashtu siç është shkruar dhe quajtur këtu e mijëra vjet të shkuara dhe do të vazhdojë të shkruhet dhe të quhet vetëm, Poezi, e cila pak më thjeshtë është materia dhe ideale e të gjitha këngëve.

Në faqen 1511 tek “Fjalori i Gjuhës së sotme shqipe” me rreth 41000 fjalë i hartuar nga Akademia e Shkencave të ish RPSh-së me Kryeredaktor Prof. Androkli Kostallarin, termi poezi në kuptimin e saj të katërt është shpjeguar si diçka e bukur dhe fisnike, që ndikon thellë në zemrën dhe në ndjenjat e njeriut dhe që frymëzon dhe të rrëmben! Ndërsa po aty vetë poeti është cilësuar si një njeri i ndjeshëm që priret nga e bukura dhe frymëzohet lehtazi. Pavarësisht nga këshilloj përcaktimesh tepër të thjeshta, por që së paku i kupton lexuesi dhe ngjajnë paksa konkrete dhe qe ka me shumice; qindra thëniesh të ndryshme në lidhje me këtë art marramendës siç e ka quajtur gjithkush. Për mendimin tim më afër shpjegimit relativ të efekteve shpirtërore që shkakton poezia e fuqishme te njeriu, qëndron krye-poeti i Spanjës Frederiko Garcia Lorka, i cili na ka kumtuar: “Më pyetën njëherë se si është poezia dhe mua mu kujtua një miku im dhe iu përgjigja: “Poezia! Poezia është bashkimi i dy fjalëve, për të cilat njeriut si kishte vajtur mendja kurrë që mund të bashkoheshin dhe që përbejnë si diçka, “punë misteri”. Sa më tepër i shqipton, aq më shume mbresa të përftohen. p.sh. Me që mu kujtua ai miku im, do të thosha se: Poezia është një si një dre i plagosur!…”

Këtë thënie nga Garcia Lorka, të cilën unë e kam cituar diku edhe në një shkrim tjetër në librin: “Nënë, Ti hije e kaltër prej loti” ja kam dërguar në vend të autografit poetes Kozeta Zylo dhe e kam ripërsëritur këtu me shpresë se do të ndikojë pozitivisht në psikologjinë e krijuesve me të rinj…

Për këtë arsye le të shohim me kujdes shpërthimin më origjinal të Federiko Garcia Lorkes në poezinë e tij të famshme “Nokturn, nga Ura e Brooklynit.”

“Një ditë kuajt do të jetojnë nëpër taverna!

Një ditë tjetër do të shohin ringjalljen e fluturave të prera copash,

Si vezullojnë unazat, dhe si çelin trëndafilat nga gjuha jonë.”

Dhe tani për pak analogji: le ta krahasojmë këtë shpërthim me poezinë e poetes sonë të talentuar Kozeta Zylos, nën titullin: “Të çmendurit e vitit.”

Xhamat u plasaritën nga krrauvire korbi/ dhe bashkë me erën sollën gjëmimin/ duart i drejtova lart nga Zoti/ mëkatarët t’i falte, të marrëve shërimin/.

Kështu qe skenat e papritura, vargjet befasuese dhe metaforat e ndërtuara thjesht me fantazi në të pestë librat e Kozetes me poezi, jo vetëm që nuk mungojnë por ato mbeten të pranishme, kudo. Nga ky fakt, detyrohemi të mendojmë se kjo Poete është njëra nga më të mirat poete shqiptare këtu në ShBA, ku jetojnë dhe krijohen vepra artistike edhe nga disa poete e shkrimtare te tjera.

Vini re vargjet në poezinë: “Psherëtimat!”: “Psherëtimat tona të largëta/ i hodhëm si fishekzjarr në qiell/ si për të ngrohur netët e acarta/ dhe botën që ka kohë pa diell.” Prandaj kjo poezi është shumë e arrirë, dhe më solli jo krejt rastësisht në mëndje ndoshta dhe vargun më të bukur të letërsisë botërore, sipas analistëve, i cili përkon me revoltën poetike që vetë Dielli i bën Zeusit diktator dhe që ndodhet i shkruar diku tek “Odiseja” e Homerit në formën e një kërcënimi të ashpër, kur Dielli i flet tiranit: “Në ferr do të zbres/ që të shndris vetëm të vdekurit.” Në këtë revoltim universal të paparë dhe pa dëgjuar deri më sot në të gjitha kryeveprat ne poezi botërore. Dielli nuk i thotë Zeusit se do të iki në kozmos. Sfide që do të ishte krejt normale, por e paralajmëron egërsisht se do të zbriste poshtë tokës, që të ndriçonte vetëm të vdekurit duke e lenë botën e të gjallëve në errësirë. Kohe, kur dihej se nga mungesa e dritës si burim gjithë jete, do të rrezikohej deri në zhdukje edhe vetë ekzistenca e racave njerëzore.

Një tjetër motiv të cilin poetja jone Kozeta (Keze) Zylo, e ka te gdhendur mjaft bukur në art, është “Motivi i dashurisë” në radarin poetik, të cilit i përfshihen disa dashuri: si dashuria për Nenë-n dhe për Atdheun, dashuria deri në pafundësi për familjen dhe për vendlindjen, si dhe dashuria për të gjithë njerëzit që e meritojnë këtë dashuri të sinqertë poeteje, zemra dhe poezitë e së cilës të kujtojnë edhe një kapele të vogël Kishe ku Zoti, Shenjtorët, Engjëj dhe Perënditë rrinë e shfaqen aq shpesh sa unë përveç poetit Naim Frasheri nuk njoh asnjë vjershëtor tjetër si Ajo!

Si mjeshtre e ringjalljes së nostalgjive për njerëzit dhe vendin e shqiponjave poetja shfaqet qartazi në poezinë “Më zhuriti malli për ju”. Është një poezi, që jua kushton ditës së takimit me shoqet dhe shokët e shkollës. Le ta lexojmë në këtë strofë, si: “ Më zhuriti malli në heshtje te ju/ trokitje zhurmash në shpirt përplaset mendimi/ ku frymon dashuria gojë mjaltë po ashtu/ për rininë e artë më përvëlon kujtimi…”

Ky konstatim në dukje i thjeshtë, por me një vërtetësi gati si biblike më ka dhënë emocione të fuqishme, pavarësisht nga emigrimi këtu e njëzet e katër vite të shkuara që mos të humbi kurrë lidhjet me të afërtit e mi të cilat mbeten të pazëvendësueshme. Do të veçoja emrat e Kolec Shoshit dhe Bepin Delisë, të poetit Alfred Çapaliku, mikut të vjetër Dr.Agim Neziri dhe Bepin Paci në Itali. Kusheririn tim si shok Tonin Pal Cekaj etj, etj… me një fjalë, dua të theksoj se të gjithë ne emigrantët pa dallim duhet të mos harrojnë se nga vijnë dhe se të gjitha rrugët e kujtimeve tona më të bukura dhe të dhimbshme na çojnë veç drejt Shqipërisë.

Madje, në këtë vështrim më lejoni të sjellë një detaj nga jeta ime në emigrim: Kur mësuesi ynë i gjuhës ruse prof. Tefe Prela më lajmëroi se sapo kishte vdekur në Shqipëri Dr. Pjeter Pepa dhe me dha numrin e telefonit te familjes se tije, e cila jetonte ne Tirane, unë me urgjencën më të madhe, e thirra dhe e ngushëllova “për krye shendosh” bashkëshorten e Dr. Pepa, Valerien, të cilës përveç ca fjalëve të domosdoshme, që fliten ne raste te tilla mortesh, i thashë se humbja e doktorit është edhe humbje e të gjithë letërsisë dhe diplomacisë shqiptare, aktiviteti i të cilit u shqua dhe arriti pikën e vet më të lartë veçanërisht gjatë kohës kur Dr. Pepa shërbeu si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Vatikan të Romës.

Me Valerijan në fakt, megjithëse e kam pasur për katër vjet me radhë shoqe klase në gjimnazin “Jordan Misja” dhe ashtu siç ndodh sot në poezitë e poetes Kozeta Zylo, për herë të fundit kishim biseduar njëzet e pesë vjet më parë. Mirepo Valeria, pamvarsisht nga halli qe e kishte gjetur, nuk vonoi shumë të më dërgonte me postë nga Shqipëria kryeveprën e të shoqit, librin: “Dosja e Diktaturës” me këtë shënim:

“Z. Luigj Çeka, Nju Jork,

mikut tim dhe të familjes sime i cili i provoi mbi shpatulla pasojat e regjimit komunist”.

Miqësisht Valeria Pepa.. Tiranë, vjeshtë 2013.

Njëherë tjetër, Valerija më tregoi në telefon se si nga të gjithë shokët dhe shoqet tona të dikurshme, deri tani kishin vdekur Hajro Hallumi, Idriz Alia, Dr. Sabrije Çela, Afërdita Rifat Rusi, e ndoshta dhe ndonjë tjetër, por që ajo se dinte.

Poezia “Më zhuriti malli për ju” është kaq tronditëse, e pa pritur dhe e trishtuar sa me të drejtë edhe kjo poetja jone! (Kozeta Zylo) na vargëzon fjalët me mjaft dhimbje, si çiltërsi fëmije!.

C’kujtoni se do të shënojë; qe mora pendën ne dore, ka pyetur Walt Wetmani lexuesit. Dhe ja si na është përgjigjur vete keshtu:

“Do të shënoj dy burra të thjeshtë që pashë sot në skenë/ Në mes rrëmetit ndarjen e miqve të dashur/ Njeri që mbetej, u varë në qafën e tjetrit dhe e puthi me mall, Tjetri që ndahej shtrëngonte pas vetes atë që i mbeti në krah…”

Pasi t’i keni lexuar me vëmendje këtë cikël me poezi të zgjedhura në librat e poetes K. Zylo që mbajnë tituj të dhembshur si: “Monumenti i Lotit”, “Pranverë pa Mimoza”, “Mjellmat po të Vijnë”, “Një fjongo Dielli nga Nju Jorku”, “Kujtimet si Fletëz Libri”, do të bindemi se poezitë e saja nuk janë si ca akuariume me peshq dekorative dhe as si kopshte me trëndafila; por janë si ca ikona malli per Shqiperine! Per te mos thënë të fundit fare; se mua shpesh herë më janë dukur edhe si fusha beteje, ku në çdo varg dhe në çdo rimë, më e fituar se çdo gjë tjetër del Gjuha jonë e bukur, Gjuha Shqipe,! Njëra nga më të lashtat e kontinentit të vjetër, i cili akoma nuk po i pranon si duhet, transformimet e shkëlqyera te Shqiperise sonë te Re

Nëntor, 2017

New York

Këze Kozeta Zylo

 

 

 

Një cikël me poezi te zgjedhura nga poetja Keze Kozeta Zylo.

 

LOTI PIKTURË

 

Në trokun e kalit,

Gjej gjurmën e zverdhur,

Të Tepelenës sime,

Zbrazur perjetësisht,

Nga kalorësit e ikur!

E kam lënë pikën e lotit,

Pranë gurit të sofatit,

Në portën e shtëpisë sime,

Ndërtuar në lashtësi!

Hej udhëtar!

Në të rëntë rruga andej,

Fotografoje lotin tim,

Në pikturë do jetë kthyer,

Ndoshta nga më të çmueshmet,

Deri më sot,

Në muzeumet e botës!

 

Manhattan, 2005

 

 

E fundit që jep shpirt…

 

Zërin se kam bilbil, të të kendojë mbi degë,

As si i ëmbli Naim, të të mjekojë buzën e çarë,

Por po të fal sythin e fjalës, që çel në pranverë,

Dhe Hënën tek parku, që të prêt me aq mall.

 

Dhe shfaqesh ti pranë pemëve të heshtura,

Me vjeshtën e florinjtë, që gjethet rrëzon,

Në kujtimin e bukur, lotëve të patretura,

Brenda gjoksit të Hënës, veç ti qëndron.

 

E mbështjellë kujtimin me të butin mëndafsh,

Dhe vesh pemën e zhveshur, nudo nga vjeshta,

Si shenjtore e heshtur, mes kopshtit qëndron,

E fundit që jep shpirt, është vetëm shpresa!

 

Gjithë trojet kanë Vlorë

 

Brenda ninëzes së syrit, më shfaqet Vlora kuq e zi,

Plaku Ismail Qemali, më hap flamurin me magji,

Më bekon me fjalë Perëndie, më ndez dritën mu në sy,

Ah kjo dritëz Pavarësie, verbon botën për çudi!…

 

Dritë e tij si vetëtimë ka vënë shenjëzat në udhëkryqe,

Aty ku Atdheut tim, i kyçin “planet” në sëndyqe,

Ah këto plane ogurzeza, seç po thuren nga tradhtarë,

Sa dhe Hënën e tmerrojnë, ngjyrë veremi ajo ka marrë…

 

Por s’duron Is Boletini, vjen si shqipe me Flamur,

Prej Kosove i vjen Vlorës, toskë e gegë porsi nur,

Dhe me ngjyrën e Flamurit e skuq detin mes për mes,

Hedh bajlozët si në legjenda, shpirt katran e të pabesë…

 

Dhe atëhere Hëna ndizet, nën ullinjtë si portokalle,

Jep shkëlqimin mbi flamur, labëroshkat hedhin valle,

Ndërsa burrat rëndë, rëndë, Monumentit vënë kurorë,

Pavarësisë i bëjnë roje, se gjithë trojet kanë Vlorë…

 

NË ACARIN E SHKURTIT

 

Ma grise qiellin e shpirtit i rëndi trishtim,

Me natën e ikjes zemrën ma plogështon,

Është ecje e fundit bulevardit tim,

Në acarin e shkurtit pishat i kundroj.

Eh, ndarje e hidhur, e rënda ndarje,

C’më gjete ca qoshëza në dhomëzat e shpirtit,

Seç rrinë të strukura, të rreshkura pa frymëmarrje,

Si ca dru të djegura, mbetur në ngjyrë hiri.

Edhe kur avionit shkarazi do t’i hipi,

Me këmbët zvarrë, rrugëve të përbaltura,

Me vete do të marr krahët e hallakatura,

Që s’dinë ku do të përplasen tutje në Perëndim!

 

Tiranë, 27 Shkurt, 1997

 

 

PËR HISE VUAJTJEN

 

Tash e sa mot me sëmbon,

Se e paskemi për hise vuajtjen,

Nëpër këmbët që na merren,

Kur ecim sokakeve të botës,

Me pelerinën e bërë copë nga plumbat,

Ku duken njollat e murrme,

Si harta e Shqipërisë,

Kafshuar e përtypur,

Sa s’ka një thërrime për bè!

Veç një ditë nga uria e madhe,

Në se nuk më ngop buka e sofrës sime,

Për ju dhe për mua do të jetë vonë,

Tepër vonë,

Ku unë të lyp, mos e dhëntë Zoti!

Tek ata që na e lanë për hise vuajtjen…!

 

 

BUZË MJALTA DASHURI

 

Buzë mjalta dashuri,

E dehur mbeta puthjeve të tua,

Si një lule më vesit agut tënd,

E aromën përhap lëndinave të zjarrta,

Nektarin e dashurisë pimë valëve të trupit,

E në ishujt e pashkelur,

Bëhemi Zot për atë vend!

 

 

Streha hyjnore

 

Në 70 vjetorin e nënës sime

 

Në të ndarë një fjalë s’më the,

Më le peng, fijëzat e shpirtit,

Me to thura një folezë,

Strehën më hyjnore të vitit…!

 

Cfarë mendonin sytë e tu,

Nën qerpikë dot s’ti pashë,

Ndërsa dhimbjet përvëlonin,

Mbi nënkresë lotët lashë.

 

Si një ëngjëll vjen nga qielli,

Ulesh pranë pa thënë një fjalë,

Lë një dritëz midis territ,

Sa më djeg i shkreti mall…!

 

6 Maj, 2009

 

 

MË ZHURITI MALLI, PËR JU!

 

Më zhuriti malli në heshtje për ju,

Si krrokama në shpirt përplaset mendimi,

Ku frymon dashuria e përkulet mosha,

Për rininë e artë, më përvëlon kujtimi!

 

Në këtë peizazh pranvere me gjethe të çelura,

Më pikon loti për kalanë e Elbasanit,

Kur kujtoj takimin e 1 Korrikut,

Një tis kotësie merr largimi i Emigrantit!

 

Ah, kjo ditë e sotme zhurmon në qenien time,

Trazon mendimet dhe kujtimet për ju,

Pushton Profesorët që me shpirt ligjëruan,

Të pakapshen e prekën, kthyer ne tabu!

 

Si kryqëzim në shpirt më rri dita e sotme,

Nën qiellin e madh të trishtimit,

Ndoshta thurr si Penelopa natën,

Dhe ditën mallkoj, fantazmën e largimit.

 

Por s’mund të jem e qetë në takime brezash,

Si pasqyra magjike më vinë buzëqeshjet tuaja,

Trazuar në heshtje me Valët e Shkumbinit,

Ruajtur në shkronja, në librin e Kostandinit!

 

Vazhdoj të shkruaj por pika e lotit dendësohet,

E zhurmshëm pikon mbi vargjet e mia,

Largoj fotografitë se mos më prish ngjyrat,

Të vetmet kujtime, RELIKE, nga largësia!

 

 

Kushtuar shokeve të kursit të Letërsisë dhe pedagogëve të Elbasanit,

Nëtakimin pas 28- vjetësh në Elbasan

1 Korrik, Manhatan, 2006

 

Të çmendurat e vitit

 

Sot çuditërisht një re e pikëlluar,

Breroi shi mbi qepallat e dimrit,

Në baladat dhe ëndrrat me to e vetmuar,

M’u ndërzyen erërat, të çmendurat e vitit!

 

Xhamat u plasaritën, nga krrauvira korbi,

E bashkë me erën, sollën gjëmimin,

I drejtova duartë lart nga Zoti,

Mëkataret t’i falte, të marrëve shërimin…

 

Janar, 2010, New York,

 

Gjethet që preknin më butë se buzët e njoma

 

Vjeshta erdhi me gjethen e verdhë,

duke pikturuar oborrin tim,

me një tapet të florinjtë veshi gjithçka,

sa dhe zemren time, paksa me trishtim.

E magjepsur shtrihem e tëra,

mbi gjethet si zemrat me vena, që zhurmojnë nën mua,

kurrizin më përkëdhelin me fëshfërimën e tyre,

papritur një gjethe këputet nga pema dhe më thotë: “të dua”!

Oh, ç’më kujtove vjeshtën e Tiranës sime,

ku në këtë stinë gumëzhinte shkolla,

rëniet e gjetheve nga pemët atje,

preknin më butë se buzët e njoma.

Gjethja e bronxtë me vjeshtën e artë,

të shton xhelozinë paksa për gjithçka,

t’i lyen flokët në ngjyrën e grunjtë,

si per t’i thënë Hënës, kam ngjyrën tënde, mos m’u nda!

E përshëndes vjeshtën me flokë të kuqërremta: Mirë se erdhe!

Gjethen e sapo rënë e stampos në dritare,

Dielli i përhimtë rrezaton nga kapilarët e gjethes,

si dehje të romancës sime, luajtur në kitare.

 

Staten Island, shtator 2005

 

 

 

 

Atdheu im me indiferencën e “Zotave” më çmend…

 

Shpesh hidhërohemi sokakeve të botës,

si zogj të pikëlluar me pendë të ngrira,

Korbi i zi i nxjerrë sytë kohës,

dhe verbon turmat me tru të mpira.

 

Eci mes tyre pa anë e pafund,

si i eturi për ujë në shkretëtirë,

kërkoj një pikë ujë, por se gjej askund,

në Diellin që djeg pa Lindje dhe Perëndim…

 

Brenda syve të mi mund të ringjallen ëndrra,

ëndrra të “çmendura” që s’realizohen kurrë,

sepse Kali i Trojës ka fshehur gjithçka brenda

sa del në mejdan me puthje mbyt çdo burrë…

 

Atdheu im me zëra të mekur dhe vullkanikë,

jam loti tënd në dhimbjen e pafund,

Dante Aligeri mund të ngelej pa mend,

dhe s’do të shkruante kurrë Komedinë Hyjnore

me aq mund.

 

Atdheu im jam plagë e kuqe në trupin tënd,

hemorragji e trurit që derdhet kuturu,

peizazh që skuqet dhe mplaket në atë vend,

Sirenat venë kujet në Jonin blu.

 

Atdheu im më huton me ndërrimin e orëve,

Kur natë ëshë këtu, dritë hapet tek ty,

Mes reve të egërsuara moteve,

Shkruaj librat e pakëndueme që s’lindën aty.

 

Atdheu im me indiferencën e “Zotave” më çmend

të ikurit i harron si plaçka të hedhura në germadhë,

por harpa e zemres sime bie vetëm për atë vend,

se Atdheu gjithmonë ka një strehëz që të mban gjallë.

 

Fund qershori, 2017

Staten Island, New York

 

 

Comment

*