Policia e Kosovës bastisi zyrat e Kryqit të Kuq të Serbisë në Kosovë

Prishtinë, 14 shtator 2017 – Policia e Kosovës i ka shoqëruar tre zyrtarë të Kryqit të Kuq të Serbisë në Kosovë. Shoqërimi i tyre është bërë gjatë një operacioni të zhvilluar të mërkurën në mbrëmje në Graçanicë, në Dragash dhe në Gorazhdec të Pejës.

Mediet serbe raportojnë se gjatë operacionit të policisë së Kosovës janë shoqëruar në polici sekretarin e Kryqit të Kuq të Serbisë në Graçanicë, Sveta Zhiviq, sekretarin e kësaj organizate në Dragash, Zeqir Zurapi, dhe sekretarin e organizatës në Gorazhdec të Pejës, Moma Dashiq.

Të tre të ndaluarit janë marrë në pyetje e pastaj janë lënë të lirë.

Gjatë bastisjeve në Graçanicë dhe në Dragash policia i ka konfiskuar vulat e Kryqit të Kuq të Serbisë, ndërsa në shtëpitë e të ndaluarve ka konfiskuar dokumente të ndryshme.

Policia e Kosovës të mërkurën në mbrëmje e ka bastisur edhe zyrën e koordinatorit të kryqit të kuq të Serbisë për Kosovë, në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe në zyrën e komunës paralele serbe të Obiliqit, në fshatin Plemetin, ku ka konfiskuar dokumente të ndryshme.

Kryetari i komunës paralele serbe të Pejës, me zyrë në Gorazhdec, Millosh Dimitrijeviq, dhe sekretarët e Kryqit të Kuq të Serbisë në Novobërdë, Dragan Stojanoviq, në Viti Tomisllav Rakiq dhe në Obiliq, Zoran Vasiq, janë thirrur për intervistim në polici sot (e enjte).

Policia e Kosovës nuk ka dhënë ende njoftim zyrtar lidhur me operacionin dhe me shoqërimin e zyrtarëve të kësaj organizate paralele që vepron nën petkun e organizatës humanitare.

Por, burime brenda policisë kanë bërë të ditur se gjatë operacionit janë gjetur materiale dhe të dhëna personale të shtetasve të Republikës së Kosovës, të mbledhura në mënyrë të paligjshme. (r.m.

Comment

*