Policia e Kosovës ndalon 27 migrantë nga Afganistani, Siria dhe Libia

Prishtinë, 12 nëntor 2019 – Policia e Kosovës ka konfirmuar se 27 persona, shtetas të huaj, për të cilët dyshohet se vijnë nga Siria, Afganistani dhe Libia, kanë hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës dhe kanë kërkuar azil.

“Patrulla e Stacionit Policor në Fushë Kosovë ka njoftuar Drejtorinë për Migrim dhe te Huaj, se te rrethi në Fushë Kosovë ka takuar 27 persona shtetas të huaj, që dyshohet se vijnë nga nga Siria, Afganistani, Libia të cilët kanë kërkuar azil”, ka thënë policia për Radion Evropa e Lirë.

Sipas policisë, ata janë vendosur në Qendrën e Azilit dhe po trajtohen sipas Ligjit për Azil.

Vendet e Ballkanit kanë shërbyer si korridor për shumë migrantë që kanë ikur nga zonat e luftës dhe nga varfëria. Ata përdorin territorin e këtyre vendeve për të arritur në vendet e Evroës.

Agjencia Evropiane e Kufijve, Frontex, vazhdon bashkëpunimin me disa vende të Ballkanit, përmes kontrolleve të përbashkëta kufitare.

BE-ja vendosi të dërgojë njësitet e saj kufitare në këto vende, pas fluksit të migrantëve në të ashtuquajturin “Korridori i Ballkanit”. (r.m.)

Comment

*