Policia nxjerr protestuesit nga ndërtesa e televizionit shtetëror serb në Beograd

Beograd, 16 mars 2019 – Protestuesit në Beograd që po kundërshtojnë, siç thuhet, sundimin autokratik të presidentit Aleksandër Vuçiq, të shtunën mbrëma, hynë në ndërtesën e Radiotelevizionit shtetëror të Serbisë, raportimet e të cilit ata i cilësojnë thellësisht të njëanshme.

Policia u fut në ndërtesë dhe i nxori prej andej grupet e protestuesve, përfshirë edhe disa udhëheqës opozitarë. Disa nga drejtuesit e protestave thanë më herë se nuk do të largohen derisa nuk u jepet hapësirë në lajmet qendrore të së shtunës.

Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, paralajmëroi përndjekjen e atyre që hynë në ndërtesë, ndërsa ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i tha televizionit pro qeveritar “Pink” se protestuesit janë ‘fashistë” dhe duhet të dënohen me ashpërsi.

Ky ishte incidenti më i rëndë pas disa muajsh protestash kundër presidentit serb. Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen tij, zgjedhje dhe medie të lira dhe më shumë demokraci.

Kritikët e akuzojnë presidentin Vuçiq për vendosje të autokracisë nëpërmjet kontrollimit të rreptë të medies dhe nxitjes së gjuhës së urrejtjes ndaj kundërshtarëve. Ai i ka hedhur poshtë këto akuza.

Protestuesit kërkuan liri të medies si parakusht për zgjedhje të lira e të drejta.

Protestat me sloganin “Një nga pesë milionë” filluan në nëntor të vitit të kaluar, me moton “stop këmishëve të përgjakura”, kur ndodhi një sulm fizik ndaj Borislav Strefanoviçit, udhëheqësit të partisë së vogël E Majta Serbe.

Ai ishte sulmuar nga një grup burrash me maska të zeza, më 23 nëntor në Krushevc, një qytet në jug të Serbisë dhe kishte pësuar plagë të lehta.

Në muajin dhjetor, presidenti serb tha se nuk do t’i përmbushë kërkesat e opozitës edhe, siç tha ai, “nëse në rrugë dalin 5 milionë”, por më pas ai tha se është i gatshëm ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Partitë opozitare thanë se do të bojkotonin zgjedhjet e tilla.

Ish nacionalisti i skajshëm, Aleksandër Vuçiq, thotë se synon ta anëtarësojë Serbinë në Bashkimin Evropian.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*