Policia teston shkallën e sigurisë në zyrën e kryeministrit të Kosovës

Prishtinë, 9 gusht 2018 – Policia e Kosovës ka thënë se ka testuar sigurinë në zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj, mirëpo nuk ka dhënë detaje nëse ka parë ndonjë lëshim të sigurisë.

Më herët, gjatë ditës, është raportuar se në zyrën e kryeministrit është futur një sasi eksplozivi, për ta testuar shkallën e sigurisë. Policia nuk i ka konfirmuar dhe as nuk i ka mohuar raportimet e tilla.

“Nuk bëhet fjalë për ndonjë tentim sulmi apo për hyrje të ndonjë mjeti eksplodues në objektin në fjalë, por ju informojmë se Policia e Kosovës në vazhdën e inspektimeve periodike, me qëllim të avancimit të punës, profesionalizmit, si dhe vlerësimin e punës dhe gatishmërinë e zyrtarëve policorë që janë të angazhuar në ofrimin e sigurisë së objekteve policore dhe institucioneve shtetërore, si dhe testimin e nivelit të funksionalitetit të pajisjeve të sigurisë në dispozicion, ndërmerr edhe testime simuluese të situatave nga më të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Policia ka thënë se nëse rezulton se sistemi i sigurisë në zyrën e kryeministrit Haradinaj ka dështuar, atëherë do të marrë masa disiplinore ndaj zyrtarëve policorë të ngarkuar.

“Varësisht prej rezultateve dhe të gjeturave nga këto inspektime (testime) dhe pas analizave të mirëfillta, PK-ja planifikon trajnime adekuate për stafin e angazhuar, inicion kërkesa për blerjen e pajisjeve më të avancuara dhe që do t’i përgjigjen kohës, apo në rast të ndonjë lëshimi eventual ndërmerr masa disiplinore ndaj zyrtarëve policorë”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të tilla edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me qëllim të konstatimit nëse në ndonjë hallkë e sistemit të sigurisë mund të përdoret nga kriminelët. (r.m.)

Comment

*