Politika shqiptare, një kënetë që duhet tharë

Prel Dedaj

Falenderim dhe “këshillë” për Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikēs në Shqipëri, Zonjën Yuri Kim.

 

E nderuar Zonja Ambasadore !
Ju përgëzoj për iniciativën që keni ndërmarrë duke inkurajuar dialogun politik në Shqipëri, për të realizuar një reformë zgjedhore që të çojë vendin në zgjedhje të lira e të ndershme.
Ndoqa komentet e mediave në Tiranë, sipas të cilave, ju keni trazuar ujërat atje.
Jo zonja ambasadore ! Atje nuk ka ujëra. Është koment mediash të blera, që synom manipulimin e realitetit, qoftë edhe me këtë fjali tinzare: trazim ujrash.
Ka një kënetë e cila nuk ka pse trazohet se vetëm kutërbon erën e keqe që ka. Ajo kënetë duhet tharë.
Fakti që ju e keni vendosur në vëmëndjen dhe përparësinë Tuaj, me mbush me shpresë që Shqipëria mund të arrijë një ditë të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme.
Boll është tolerur politika e Tiranës me terma përkëdhelës e mesatarizues, pas çdo palë zgjedhjesh. Termat e ODHIR-it për “zgjedhje më të mira se të mëparshmet”, apo për “zgjedhje të pranueshme”, kanë qënë shpikje allashqiptare, pasi në të drejtat kushtetuese të të gjitha vendeve të botës ka vetëm një definicion për zgjedhjet: Ose janë të lira, ose NUK JANË TË LIRA; ose janë të ndershme, ose NUK JANË TË NDERSHME.
Vetë mesatarizimet kanë qënë pandershmëri ndaj shqiptarëve, të cilët sot, po fajësohen përditë e më shumë për gjendjen, pasi askush në botë nuk e kupton se si duron një popull ca politikanë, koherenca e të cilëve në 30 vite, është në fakt NDALIM I KOHËS !
Në Tiranë ligjet bëhen me “shtigje”.
Askush nga ata politikanë “fitues” e “humbës”, nuk synon se si të rritet vetë politikisht, por thjesht se si të dëmtojë tjetrin.
Ndaj ligjet janë aq me të meta që çojnë në rezultate të pavërteta.
Zonja Ambasadore !
As sheikë në Arabinë Saudite, nuk kanë pushtet sa Kryeministri i Shqipërisë.
Ky nuk zgjidhet: Thjesht zgjedh dhe imponon zgjedhjen për këdo.
Populli nuk ka asgjë në dorē, ndaj ikën si asnjë popull në Europë.
Ju lutem zonja ambasadore, vazhdojeni insistimin Tuaj.
Detyroji të bëjnë një reformë zgjedhore që t’i kthejnë pushtetin popullit. Populli të zgjedhë !
Kod zgjedhor me Lista të hapura, Proporcional Kombëtar dhe prag jo më shumë se 2%.
Atëherë do shohin shqiptarët se si do rrinë politikanët para tyre, dhe do kuptojnë edhe pse kryeministri i tyre ka kohë që mbath atlete, të cilat janë për të ecur me vrap, apo në rastin e tij, për të IKUR.

Me respekt për Ju,
Prel Dedaj, qytetar amerikan, ish Kryetar i Partisë Demokratike, PUKË.

Comment

*