Politikanët shqiptarë dhe edukata e sjelljes me median

Ruben Avxhiu

Një kujtesë për politikanët e Shqipërisë. Sidomos atyre që janë në pushtet, zyrtarë e përfaqësues institucionesh.
Është detyra juaj që të ruani sekretet e shtetit, të ligjit, të hetimeve etj. Kjo nuk është puna e gazetarëve.
Mbase është harruar në Shqipërinë e korrupsionit masiv dhe gansterizmit të politikës dhe biznesit, të grabitjes së fjalës së lirë dhe vrasjes të së drejtës së autorit, po gazetarët në vendet demokratike janë në anën e popullit. Puna e tyre nuk është t’ju mbrojnë të ruani sekretet, por t’i zbulojnë publikut atë që fshihni.
Për të dhënë një shembull konkret, nëse zbulohet një sekret shtetëror, ligjin e ka shkelur e ka ai që e ka nxjerrë, jo ai që e ka botuar. Ai që e ka botuar ka bërë detyrën e tij, ai që nuk e ka ruajtur dot nuk e ka bërë. Ky i fundit mund të nxirret para ligjit, kurse gazetari jo.
Ky konflikt i fundit i kryeministrit shqiptar me një gazetë gjermane është vetëm një nga shembujt e një lufte që vijon në çdo vend të botës. Ajo që e shquan rastin e Shqipërisë është sigurisht banaliteti karakteristik i situatës.
Është absurde që kryeministri në vend që të kapet me prokurorinë që nuk paska ruajtur dot provat e saj, nxehet me gazetarin gjerman që ka bërë atë që duhet të bëjë çdo profesionist i medias, në vendin e tij.
Asnjë nga zbulimet e gazetës “Bild” nuk e vë në dritë më të keqe kryeministrin Edi Rama sesa reagimi i tij ndaj këtyre zbulimeve.
Në vend që të ftojë menjëherë drejtësinë që të veprojë duke filluar hetimin dhe procedimin e kujtdo, duke filluar nga vetja. Në vend që të fillojë një hetim se si ndodh që dokumentet rrjedhin në mënyrë flagrante nga arkivat e institucioneve në dorë të medias. Në vend që të nervozohet se pse nëse këto kanë qenë në duart autoriteteve shqiptare pse ka vepruar drejtësia. Në vend që të flasë hapur për kompromiset e tij me elementët e inkriminuar që ia kanë përbaltur me fjalët dhe veprimet e tyre sukseset politike e zgjedhore shumë më tepër sesa opozita. Në vend që të rishikojë me sinqeritet sesi “rilindja” e premtuar, jo vetëm që nuk erdhi po ka ripërdorur dhe rifreskuar të njëjtat metoda kërcënimi e imponimi për sigurimin e votës. Kryeministri shqiptar kërcënon gazetarin që ka botuar zbulimet.
Kjo nuk është ndonjë gjë e paparë për botën shqiptare. Madje është vijueshmëri e reagimit të politikanëve shqiptarë, që nga letra higjenike e “The New York Times”, nga Sali Berisha, te fletushka majtiste e “Mother Jones” nga Ilir Meta etj.
Ironia e kësaj sjelljeje është që në fund nuk dëmton këto burime, po thjesht i fton ato të gërmojnë më thellë.
Mënyra se si funksionon me media që nuk janë blerë e shtypur nga politika e biznesi si në Shqipëri është që reagime të tilla nga politikanë vetëm sa tregojnë se ka shumë më tepër për të zbuluar në veprimtarinë e tyre. Është një thirrje për sfidë që të zbulojnë më shumë.
Rama duhet të rikthehet mbase te reagimet e tij të para ndaj “Bild”, e të kujtojë se një reagim ndoshta më pozitiv e më pak paranojak mund të kishte shmangur vendimin e gazetarit dhe gazetës për të gërmuar më thellë.
Nuk kam ndonjë vlerësim të madh për nivelin e “Bild”-it, po gazeta është duke bërë atë që do të bënte çdo medium që respekton veten kur ia vënë në dyshim ndershmërinë e saj në raportim.
Në Shqipëri, një sulm ofendues nga politikani sinjalizon një rrezik. Në botën demokratike sinjalizon një ftesë për të kërkuar më shumë.
Brenda pak ditësh, një gazetar pak i njohur ka fituar emër mes kolegëve të tij reporterë. Kërcënimi për padi, po sidomos padia vetë do t’ia rrisë edhe më shumë emrin.
Sigurisht reagimet e politikës janë gjithmonë kujtesë e jetës së gazetarit në Shqipëri. Media është bërë prej kohësh thjesht një bisht i politikës. Jo për shkak të animeve politike, se njëanshmëritë janë pjesë e jetës. Po se paaftësia për të mbështetur pa u lajkatuar, apo për të kritikuar pa denigruar po kthehen në virtyte në zhdukje.
Këto zbulime vijnë në një kohë kur Shqipëria po hyn në një krizë kushtetuese të paparë ndonjëherë. Mungesa e papërgjegjshmërisë e të gjithë faktorëve politikë mund të krahasohet vetëm me vetëkënaqësinë e ndjenjën absurde të superioritetit moral që shpalosin.
Unë kam qenë kundër rënies së qeverisë, jo se Rama nuk e meriton të rrëzohet po se shpërblimi i braktisjes së parlamentit do të krijonte një precedent që do të dëmtonte të ardhmen e demokracisë në Shqipëri. Demokratët e LSI nuk do të duan ta dëgjojnë këtë argument derisa të jetë radha e tyre në qeveri, dhe të jenë socialistët ata që do të provokojnë rrëzimin e qeverisë, jo me votën e popullit, por duke dalë për të gjetur fatin në rrugë.
Mirëpo, regjistrimet e bisedave nga “Bild” duhen shqyrtuar me kujdes. Sa më shumë implikim të drejtpërdrejtë të kryeministrit në to, aq më e rëndësishme bëhet dorëheqja e tij, pa të cilën nuk mund të ketë një hetim të lirë të shkeljeve të ligjit. Nuk mund të ketë një ristartim të demokracisë në vend. Është një nga ato momentet kur opozita nevojitet në parliament dhe jo në rrugë, që së bashku me socialistët e guximshëm, ambiciozë apo thjesht të pakënaqur e hakmarrës, të mund të ndihmonte në ristartimin e një procesi të rregullt, duke instaluar një qeveri të re në Shqipëri dhe hartimin e legjislacionit me garancira për zgjedhje të reja të parakohshme.

One Response to “Politikanët shqiptarë dhe edukata e sjelljes me median”

Read below or add a comment...

  1. Sali Bollati-SHQIPTAR ÇAM says:

    Shkrim shume kuptimplote. Veçse ata qe duhet te njhen me te, jo vetem nuk ju pelqen por as gjejne kohe per tu njohur. Ata jane te vetekenaqur nga te paberat qe I bejne atij popullit te supervarferuar Dheme pasurite e vjedhura perdite ju vete mendja se ku do I fshehin.

Comment

*