Pompeo: Marrëveshja me Greqinë i hap rrugë hyrjes së Maqedonisë në NATO dhe BE

Uashington, 12 janar 2019 – Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e përshëndeti udhëheqjen shtetërore e politike të Maqedonisë për miratimin e amendamenteve kushtetuese që mundësojnë ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë për emrin.

“Udhëheqësit e Maqedonisë demonstruan largpamësi, kurajo dhe vendosmëri në përpjekjet për një zgjidhje të mosmarrëveshjes për emrin që do t’i hapë tani rrugën Maqedonisë që të zërë vendin që i takon në NATO dhe Bashkimin Evropian si Republika e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratën e sekretarit Pompeo.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë këtë si “shans historik për të rritur stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien në gjithë rajonin”.

Marrëveshja e Prespës do të hyjë në fuqi kur të miratohet edhe nga parlamenti i Greqisë. Me këtë marrëveshje Maqedonia do të pagëzohet Maqedonia e Veriut. (r.m.)

Comment

*