“Populli të sheh lakuriq, sikur edhe me teneqe të vishesh”

-Një vështrim mbi librin me aforizma të Dritëro Agollit-

Nga Fuat Memelli
Sa herë lexoj letërsi artistike, prozë apo poezi, nënvizoj pjesët që më pëlqejnë. Është ky një zakon i hershëm që nga vitet ei rinisë. Pjesëve të nënvizuara, i kthehem herë pas here, për t’i shijuar përsëri. Kështu më ndodhi edhe me librin me aforizma ( thënie të mënçura) të Dritëro Agollit me titull “Nulla dies sine linea”(Asnjë ditë pa një vizë (ose pa një linjë). Aforizmat Tolstoi i ka quajtur ”mënçuri e vërtetë, pa shumë fjalë”. Titullin e librit “Nulla dies, sine linea”, i cili është pak i veçantë dhe jo i kuptueshëm për një lexues të thjeshtë, e shpjegon vetë Dritëroi. Këto fjalë janë përdorur nga Plini, historian dhe mendimtar romak, për piktorin e famshëm të Greqisë antike Apelles, që jetoi në shekullin e katërt para erës sonë, i cili ishte mik dhe portretist i Aleksandrit të Madh. Duke lexuar librin, i cili është botim i vitit 2017, mund të them se pothuaj të gjitha thëniet, i kam nënvizuar. Nuk po e theksoj këtë për të lartësuar veprën, pasi ajo flet vetë. Pas çdo thënie, ndien kënaqësi për fjalët e zgjedhura për të shprehur në pak fjalë një mendim filozofik, për nuhatjen e autorit duke vëzhguar fenomenet e ndryshme që shfaqen në jetën shiptare e më gjerë, që nga politikanët e deri te njerzit e thjeshtë. Shpesh Dritëroi godet me “shuplakat” e humorit, pasi siç dihet, kjo ka qënë një gjini e preferuar e tij, ka qënë një nga “armët” që e ka përdorur si në letërsi, edhe në bisedat e ndryshme. Tek shkruaj këto rradhë më kujtohet thënia e tij para 20 e ca vjetëve për demokracinë tonë të shtrembëruar, të cilën e quajti atë “shkërdhatokraci”.
Aforizmat e këtij libri, janë shkruar ndër vite nga Dritëroi. Ato i gjen te romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”” Njeriu me top” “Trëndafili në gotë” te drama “Fytyra e dytë”, etj. Siç shprehet vetë Dritëroi “pa kuptuar janë mbushur fletorka”. Studjuesi i njohur Shaban Sinani, i cili i bën një analizë të thelluar kësaj vepre shprehet : “Ky është një libër i pangjashëm me të tjerë, jo vetëm në kornizë të veprës së Dritëro Agollit, por në gjithë letërsinë shqipe fund e krye”. Thëniet përshkohen nga figura të bukura si metafora etj dhe tingëllojnë si poezi. Shumë prej tyre kanë si “shtrat” folklorin tonë. Siç shprehet autori “unë të vetmen kredi që mar, e mar nga kredia që më jep Banka e Folklorit”. Me disa thënie Dritëroi vesin e keq të njeriut, gënjeshtrën. Ai është i sinqertë, kur një njërën prej tyre thotë:” Unë e kam gënjyer gruan time vetëm në fushën e rakisë dhe të duhanit”.
Thëniet ndarë në 15 kapituj, sipas tematikës, duke filluar që nga Atdheu, pushteti , politika; natyra , shoqëria, morali; jeta , vdekja, feja; miqësia, dashuria martesa; puna, pasuria, varfëria; ….gjuha, fakti, gazeta; letërsia , arti ,filozofia ,etj. Libri pa dritën e botimit në vitin 2017. Nuk u botua më parë, pasi Dritëroi kur ishte pyetur për botimin e aforizmave, nga vajza e tij, Elona, në pranverën e vitit 2016, qe ishte përgjigjur: “Jo, jo. Nuk janë gati”. Ai deshte t’i rikthehej përsëri, të “krasittëe” ndonjërën, ta zbukuronte ndonjë, ta hiqte fare ndonjë tjetër, por…nuk mundi, pasi e thirri përjetësia. Pak muaj pas ndarjes nga jeta, bashkëshortja e tij , Sadija, Elona tok me studjuesin Shaban Sinani, u morën me këtë punë dhe ia dhanë lexuesit. Nuk po zgjatem, pasi nuk dua të merem me analizën e veprës, të cilën e kam bërë me mjeshtëri Shaban Sinani, ndoshta edhe të tjerë profesionistë. Për ta shijuar sado pak ju lexues, po i bashkëngjis këtyre rradhëve vetëm disa nga thënie, të mara në kapituj të ndryshëm. Lexojeni dhe do të shijoni fjalën e mënçur të Dritëroit. Kur ta mbaroni librin, do të thoni :” Të lumtë mëndja dhe pena, i paharruari Dritëro!”.


*Parlamentin pse nuk e quajmë, pallavrament.
*Në luftën politike, shpesh qëllohet rabecka me top.
*Në gjirin e natës, zgjohet dita.
* Fleta është gjuha e pyllit.
*Më thuaj me cilin pi, të them se ç’meze ha.
*Vetëm vdekja e realizon planin qind për qind.
*Zoti nuk shkon në Parlamentin e Shqipërisë, pasi ka frikë se ha ndonjë grusht.
*Miku sytë i ka në tavolinë, veshët në kuzhinë.
*Zhveshja e gruas nga çitjanet, i ngjan zhveshjes së hënës nga retë.
*Ishte i lodhur si presh i zier.
*Të varfërit hanë sasi, të pasurit cilësi.
*Në pleqëri bëjmë llogarinë e viteve të djegura të rinisë sonë.
*Shekujt janë gjerdanë vitesh të varur në gjerdanin e kohës.
*Vetmia nuk ka dhëmbë, por ha veçanërisht pleqtë.
*Na vjen keq për ditën që iku se nuk i dhamë gjë me vete.
*Vetëm kafshët nuk gënjejnë.
*Nuk di të luajë valle, thotë dyshemeja është e shtrembër.
*Sheqeri i frazës, shton diabetin e mendimit.
*Mendimet i ka pus të thella, por kovën që i nxjerr e ka të shpuar.
*Mund të jesh më ditituri, por s’mund të jesh më i miri.
*Pjatalëpirësi është më i mirë se sahanlëpirësi.
*Shumë veshë specializohen për të dëgjuar, në rradhë të parë pronarin dhe shefin.
*Formalist: kokër are, pa thelb brenda.
*Vetëm të shpresosh do të thotë të ngrohësh duart në dritën e yjeve.
*Shpresa na i bën me dorë edhe kur jemi në shtratin e vdekjes.
*Më mirë të vuash nga plaga në trup se nga plaga në shpirt.
*Në ujë noton vetëm trupi, në raki noton edhe trupi edhe mëndja.
*Pija në fillim zbraz xhepin, pastaj trutë.
*Poezia e parë lindi kur njeriu filloi të mërzitej.
*Kënga e gëzimit dhe kënga e trishtimit, kanë të përbashkët mallin.

Comment

*