Portugalia donte ta zgjidhte statusin e Kosovës brenda vitit 2007

Ruben Avxhiu

Por pastaj u vonua në njohjen e republikës së re

 

10 vjet më parë, Portugalia pati radhën që të merrte në duar presidencën e BE-së për gjysmën e dytë të vitit 2007.
Vendi që më vonë do ta njihte pavarësinë e Kosovës, vendosi tonin e duhur në bllokun atëhere ende 25 vendësh duke shpallur edhe njëherë Planin Ahtisaari si platformë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
“Nëse do ta shihja këtë çështje të zgjidhej në gjashtë muajt e ardhshëm, do të ishte e rëndësishme për të gjithë Europën”, tha me këtë rast Ministri i Jashtëm portugez Luis Amado. “Por është një situatë komplekse. Nuk po përpiqm që ta shmang problemin. Përkundrazi, dua të përqendrohem në këtë çështje”.
Figura nga Gadishulli Iberik ishin kyçe në këtë proces. Njëri prej tyre, gjithashtu portugezë po luante një rol të rëndësishëm: Jose Manuel Barosso ishte Presidenti i fuqishëm i Komisionit Europian. Spanjolli Havier Solana, që në 1999 kishte qenë Seketar i Përgjithshëm i NATO-s, tani ishte shefi i politikës së Jashtme të BE-së.
Ata kishin takuar kryeministrin e atëhershëm Agim Ceku dhe Presidentin Fatmir Sejdiu për të diskutuar fatin e Kosovës dhe mundësinë e një raundi të fundit bisedimesh me Serbinë.
Në fund, puna e Kosovës nuk do të zgjidhej gjatë presidencës portugeze por një muaj e gjysëm më vonë, në shkurt 2008.

Luis Amado, ministri i Jashtëm portugez (2006-2011)

Për ironi, dy vendet iberike refuzuan të bashkohen me europianët e tjerë për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
Portugalia e njohur vetëm në tetor 2008, duke u bërë vendi i 48 njohës. Spanja gjithnjë e më e shqetësuar nga planet e Katalonjës për t’u shkëputur në mënyrë të njëanshme dhe me një ministër të Jashtëm jashtëzakonisht filoserb, ishte ndikimi që vonoi më së shumti Portugalinë.
Përveç presionit spanjoll ishte edhe ai rus. Mirëpo, Rusia humbi peshën e saj kur aneksoi Abkhazinë dhe Osetinë Jugore duke cituar Kosovën. Lisbona e njohu Kosovën si një gjest solidariteti me Perëndimin.
“Pavarësia është e pakthyeshme”, tha Louis Amado. “E drejta ndërkombëtare nuk e zgjidh dot një problem politik dhe se njohja është e rëndësishme për të forcuar lidhjet brenda NATO-s dhe BE-së përballë agresionit rus në Gjeorgji”.
Kjo deklaratë e ministrit të Jashtëm vinte një vit e çerek pas deklaratës së tij për statusin e Kosovës si president i radhës i BE-së. Një vonesë që nuk i shërbeu askujt.
Spanja ende nuk e ka njohur Kosovën, ndërsa Katalonja ende nuk është shkëputur prej saj gati një dekadë më pas.

Comment

*