Posta dhe Qeveria e fajësojnë njëra-tjetrën për humbjet e kësaj kompanie

Prishtinë, 17 mars 2018 – Qeveria dhe Posta e Kosovës vazhdojnë të përplasen rreth ligjshmërisë së kërkesës së Postës për mbulimin e humbjeve të kësaj ndërmarrjeje nga buxheti i Kosovës.

Sipas zyrtarëve të Qeverisë, kjo kërkesë e Postës së Kosovës nuk është ligjore, pasi janë anashkaluar institucionet kompetente për këtë çështje. Ndërkaq, përfaqësuesit e Postës e thonë të kundërtën.

Posta e Kosovës dikur konsiderohej ndër kompanitë më fitimprurëse në vend. Por, tani ajo ndodhet në një situatë të vështirë financiare. Madje, nga muaji i ardhshëm, thuhet se do të rrezikohen edhe pagat e punëtorëve të saj, për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Për këtë arsye, Bordi i Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje ka kërkuar nga Qeveria që t’i mbulojë humbjet financiare.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Qeveria është aksionare e kësaj kompanie dhe ka obligim të subvencionojë në situata të vështira, por paraprakisht nevojitet plotësimi i disa kushteve ligjore për një kërkesë të tillë.

Ministri Lluka sqaron se për t’u njohur në mënyrë zyrtare me humbjet financiare të Postës, kërkesa duhet të kalojë nëpër disa mekanizma që e mbikëqyrin këtë institucion, e të cilët, sipas tij, janë anashkaluar.

“Përderisa kërkesa nuk ka kaluar tek Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, (ARKEP), për ne nuk është valide, sepse ashtu edhe shihet në ligj. Forma se si ne i llogarisim ato humbje, atëherë duhet të shkojë përmes disa kanaleve, të filtrohet dhe të konfirmohet nga ARKEP-i se ato humbje janë të vërteta dhe të pasqyrohen dhe ne mandej marrim për bazë pasqyrën financiare të Postës, së bashku më rekomandimin e ARKEP-it, që rekomandojnë të subvencionohet apo në këtë formë e konfirmojnë atë pjesë të humbjes”, thotë ministri Lluka.

Por, zyrtarë të Postës thonë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa është ligjore.

“ Kërkesa është dërguar tek Autoriteti (ARKEP)”, thuhet në një përgjigje të shkurtër të Arsim Mehmetit, zyrtarit për Marrëdhënie me Publikun në Postën e Kosovës.

Mirëpo, ndryshe thonë zyrtarë të Autoritet Rrefullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare ARKEP). Ata konfirmojnë se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë apo shkresë nga Posta e Kosovës për konfirmimin e humbjeve komerciale.

Lidhur me këtë çështje, ARKEP-i është informuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), përmes komunikimeve zyrtare dhe medieve elektronike në vend.

Nazim Rahimi, udhëheqës i Sektorit të Shërbimeve Postare në ARKEP, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, thotë se “në bazë të ligjit aktual, ARKEP-i është përgjegjës për mbikëqyrjen e realizimit të shërbimeve universale dhe shërbimeve tjera postare në përgjithësi për territorin e Republikës së Kosovës”.

Gjendja e rëndë financiare në Postë, sipas një komunikate për media, është pasojë e humbjeve financiare që ka Posta për ofrimin e Shërbimit Postar Universal dhe mosshlyerjes së obligimeve financiare për shërbimet që i ofron për operatorë të caktuar.

Posta e Kosovës është e obliguar me ligj të ofrojë Shërbimin Universal Postar, pa marrë parasysh koston dhe humbjet e vazhdueshme për vite të tëra. Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës është e obliguar me ligj që t’i mbulojë humbjet në këtë shërbim. Për këtë ekziston edhe një marrëveshje ndërmjet Postës dhe Ministrisë për Zhvillim Ekonomik në vitin 2014. thuhet në komunikatë.

Kurse roli i ARKEP-it, si rregullator, sipas marrëveshjes, është për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e realizimit të marrëveshjes, vetëm në pjesën që i referohet ofrimit të shërbimeve universale dhe të rezervuara postare, përkatësisht çështjes së tarifave, raportimeve dhe publikimit të informacioneve të shërbimeve, thekson Nazim Rahimi.

Por, ministri Valdrin Lluka, konsideron se fajtor për gjendjen e krijuar në Postë është edhe menaxhmenti i kësaj kompanie. Ai thotë se faktori njeri ka bërë gabime të vazhdueshme në këtë ndërmarrje, me punësimin e numrit të madh të punëtorëve, madje edhe të pakualifikuar, me një pagë mesatare prej 850 eurosh.

“Ka pasur mbipunësim dhe me rroga të larta. Ana tjetër është se mund të bëhen politika tjera për ta ndihmuar Postën në rritjen e të hyrave. Qeveria e Kosovës ka marrë obligim që të shikojë shpërndarjen e skemave sociale. Ne kemi rreth 28 skema të ndryshme sociale, ku vetëm disa prej tyre shpërndahen përmes Postës së Kosovës. Pse të mos shpërndahen shumica apo të gjitha, gjë që do të ndihmonte Postën të inkasonte më shumë mjete dhe të rriste të hyrat dhe kështu të ndihmonte mbulimin e shpenzimeve”, deklaron ministri Lluka.

Sipas zyrtarëve të Postës së Kosovës, kjo nëdrmarrje i ka 1.015 punëtorëv.

Në anën tjetër, ekspertë të ekonomisë ia adresojnë Qeverisë një dozë të fajit për situatën e rëndë financiare të Postës.

Muhamet Sadiku, profesor i ekonomisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Posta e Kosovës është ndërmarrje publike që gjendet nën ombrellën e Qeverisë së Kosovës dhe për këtë duhet të japë përgjegjësi edhe Qeveria. Prandaj, sipas tij, kërkohen hapa konkretë të ekzekutivit që Posta të shndërrohet në biznes të suksesshëm.

“Fajtori për një situatë të tillë dihet. Janë të gjithë ata që në mënyrë institucionale e kanë mbuluar funksionimin në Postë. Ata janë të parët që duhet të përjetojnë llogaridhënien, sepse për një kohë të gjatë jemi mburrur me sukseset e PTK-së, kurse tani flasin për probleme financiare”, vlerëson Sadiku.

Posta e Kosovës ka operuar në sistemin e Postës dhe Telekomit të Kosovës, por në vitin 2012, me një vendim të Qeverisë, Posta është ndarë nga Telekomi dhe është themeluar si Ndërmarrje Publike.

Të hyrat e Postës së Kosovës për vitin 2017 kanë qenë mbi 11 milionë euro.

Posta e Kosovës i është nënshtruar dy herë procesit të privatizimit, por të dy herat Qeveria ka dështuar ta përmbyllë me sukses këtë proces.

Në vitin 2013, ishte shpallur tender për shitjen e 75 për qind të aksioneve të Postës e Telekomit të Kosovës. Fituese e tenderit ishte shpallur kompania “Axos – Capital”, e cila kishte ofruar 277 milionë euro, por kontrata me këtë kompani nuk nuk u realizua asnjëherë. Kompania fituese e ka paditur Qeverinë e Kosovës dhe tani çështja është dërguar në gjykatën e Arbitrazhit.

Qeveria e Kosovës e ka përzgjedhur kompaninë “Paton Box” si përfaqësuese të saj ligjore në kontestin gjyqësor me kompaninë “Axos”. (r.m.)

One Response to “Posta dhe Qeveria e fajësojnë njëra-tjetrën për humbjet e kësaj kompanie”

Read below or add a comment...

  1. Hajn Hajn says:

    Humbjet i ka shaktuar kjo:

    Z MOBILE……e cila i fiton 35 Milion ne vit.
    469 automjete menagjeriale!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
    Qiraia per objekte koti qe nuk kane as je funkcion 120 mije euro ne muaj.

    U kry.

Comment

*