Pozita e opozita firmosin marrëveshjen e bashkëpunimit për reformën zgjedhore

Tiranë, 14 janar 2020 – Reforma Zgjedhore në Shqipëri do të përfundojë para datës 15 mars.

Kështu thuhet në dokumentin e nënshkruar nga përfaqësuesit e opozitës jashtë parlamentit, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili,  dhe bashkëdrejtuesit të Komisionit të Posaçëm të Kuvendit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari.

Palët kanë rënë dakord për formimin e një Këshilli Politik, me përfaqësues të të gjitha palëve, i cili do të mblidhet gjatë këtij muaji.

Në dokument thuhet se palët e përfshira angazhohen në proces do t’i adresojnë me konsensus të gjitha çështjet lidhur me administrimin e zgjedhjeve, të cilat janë objekt pune i Komisionit të Reformës Zgjedhore, përfshirë edhe rekomandimet e OSBE/ODHIR-it.

“Për çështjet që nuk do të gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe ndihmë nga ekspertët ndërkombëtarë”, thuhet në dokument.

Projekti përfundimtar, i dakordësuar mes palëve, do të miratohet nga Kuvendi, ndërsa shumica parlamentare angazhohet të plotësojë kërkesën që e shtroi më parë gjatë ditës kryetari i PD-së, Lulzim Basha, pasi do ta miratojë atë pa ndryshime në komision dhe seancë plenare. (r.m.)

Comment

*