Pozita i quan joseriozë zërat për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Prishtinë,  9 nëntor 2017 – Partitë në pushtet janë të bindura se ngritja e një mocioni të mosbesimit për Qeverinë Haradinaj nga ana e opozitës nuk do të ketë sukses.

Deputetë të AAK-së i thanë Radio Kosovës se iniciativa të tilla nuk janë aspak serioze. Edhe njohës të rrethanave politike theksojnë se Kosovës nuk i duhen zgjedhje të reja edhe për një kohë, për shkak të proceseve që duhet të kryhen nga qeveria aktuale.

Rasim Selmanaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se iniciativa të tilla nuk janë aspak serioze. Ai i quan paralajmërimet e tilla si pjesë të fushatës zgjedhore për balotazhin që do të mbahet më 19 nëntor.

“Këto iniciativa janë kryesisht në frymën e fushatës zgjedhore, e sidomos tani para balotazhit dhe jo një iniciativë serioze. Sidoqoftë, e drejta për mocion ekziston dhe partitë opozitare mund ta provojnë kur të dëshirojnë, por Qeveria Haradinaj po vazhdon të punojë mirë dhe është e qëndrueshme sa i përket numrave në kuvend”, tha Selmanaj.

Nezir Kraki, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Parisit, tha se hyrja e Kosovës në një proces të ri zgjedhor vetëmsa do të shkaktonte ngecje në shumë fusha. Ai tha se qeveria aktuale duhet të kryejë shumë procese, kurse rrëzimi i saj do të krijonte një cikël të ri bllokade të paktën edhe për dy vjet të tjera.

“Të gjitha vonesat që janë shkaktuar gjatë qeverisjes së Isa Mustafës, siç është ratifikimi i demarkacionit, ngecja e bisedimeve me Serbinë, ngecja totale me serbët e veriut dhe të gjitha këto dosje të mëdha që na kanë bllokuar në Kosovës, do të futen në një cikël të ri bllokimi për ndoshta një vit apo dy vite. Tani për tani nuk e ka asnjë interes as LDK e as Kosova në përgjithësi që të shkohet në zgjedhje menjëherë”, tha Kraki.

Zyrtarë të LDK-së kanë paralajmëruar se mundësinë e ngritjes së mocionit të mosbesimi t për qeverinë aktuale.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do ta përkrahë çdo iniciative për rrëzimin e qeverisë, të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj. (r.m.)

Comment

*