PPE kërcënon me përjashtim partinë maqedonase VMRO-DPMNE

Bruksel / Shkupl, 10 tetor 2018 – Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE mund të përjashtohet nga familja e Partive Popullore Evropiane, nëse vazhdon të sillet në mënyrë jokonstruktive ndaj Marrëveshjes së Prespës, kanë njoftuar përfaqësues të grupit të këtyre partive.

Grupi i Partive Popullore Evropiane është më i madhi dhe më me ndikim në Bashkimin Evropian. Në këtë grup janë anëtare pothuajse të gjitha partitë demokristiane nga shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet kandidate.

Burime brenda këtij grupi kanë thënë se sjellja e VMRO-DPMNE-së ka shkaktuar vrer të madh tek udhëheqësit e lartë të grupit.

Të dielën, kryetari i EPP-së, Zhozef Doll, ka biseduar me telefon me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski.

Sipas raportimeve nga mediet në Maqedoni, Doll e ka paralajmëruar Mickovskin se VMRO-DPMNE “do ta bartë përgjegjësinë për të gjitha pasojat me të cilat përballet vendi”, nëse ajo nuk lejon debat demokratik për Marrëveshjen e Prespës.

Diplomatët në Bruksel druajnë se pa miratimin e Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia do të izolohet politkisht dhe ekonomikisht dhe do të përballet me rrezikun serioz të regresit demokratik.

Krerë të EPP-së e kanë vënë në dijeni Mickoskin se një nga pasojat e mundshme me të cilat mund të përballet partia e tij është përjashtimi nga radhët e familjes së tyre evropiane.

Komisari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, i cili po ashtu është nga radhët e EPP-së, në një intervistë për gazetën austriake “Standard”, ka shprehur shqetësimin për raportimet se VMRO-DPMNE-ja po i frikëson dhe i kërcënon deputetët që do të donin të votonin në favor të ndryshimeve kushtetuese që i hapin rrugë zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, e cila parashikon ndryshimin e emrit të Maqedonisë. (r.m.)

Comment

*