Prej COVID-19, pas katolikëve dhe ortodokëve me Pashkët, myslimanët hapin Ramazanin pa tubime

Komuniteti Mysliman anulloi namazin e Teravive, të Xhumasë dhe takimet kolektive. Kryetari Bujar Spahiu tha se po pritet në atmosferë ndryshe Muaji i Ramazanit, duke cituar Kuranin “E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi”.

Knid Ndrenika

Zbrazëtia e kishave, xhamive dhe shesheve në kohën e Koronavirusit nuk i ndali shpirtërat dhe zemrat e besimtarëve myslimanë për hapjen e Muajit të Bekuar të Ramazanit sikurse në dy javët e shkuara të Pashkëve katolike dhe ortodokse.

Komuniteti Mysliman Shqiptar vlerësoi gjendjen me COVID-19 në fillimin e Ramazanit, bisedoi me myftinjtë dhe theksoi se nga qëllimet më të mëdha të Islamit është ruajtja dhe mbrojtja e jetës nga të gjitha rreziqet dhe dëmtimet.

Andaj, Komuniteti anulloi namazin e Teravive, iftaret e përbashkët, tubimet masive me ligjërata, namazin e Xhumasë në xhami dhe adhurimet kolektive.

Në mesazhin drejtuar besimtarëve shqiptarë kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu tha se po pritet në një atmosferë ndryshe Muaji i Ramazanit:

“Nisim këtë muaj me sihariqin që Allahu na jep në Kuranin famëlartë: “E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi”. Situata, në të cilën jetojmë na ka detyruar të qëndrojmë më shumë në shtëpi me fëmijët tanë, më bashkëshortet dhe me prindërit. Uroj besimtarët myslimanë nga Shqipëria, trevat shqiptare, diaspora dhe më gjerë”!

Komuniteti Mysliman citoi hadithin e Abduhrrahman bin Aufit, sipas të cilit Profeti ka thënë që nëse dëgjon se diku ka rënë epidemia, mos hyni në atë vend dhe nëse ajo bie në vendin ku ndodheni, mos u largoni nga ai vend.

Comment

*