Premtimi nga Richard Holbrooke: Pas 120 ditësh, do të vijë pavarësia

27 korrik 2007 – Intervistë ekskluzive me Ambasadorin Richard Holbrook për RTV21 dhe gazetën ILLYRIA

Dhuna etnike mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë tani do të ishte shkatërrimtare dhe një dhuratë për kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës

 

Nga Halil Mula

 Zoti Ambasador, që nga viti 1999 në Kosovë kemi një situatë që nuk ka sjellë qartësi për të ardhmen e saj dhe kosovarët me arsye shpresonin se deri me tani çdo gjë do të ishte e qartë, por kjo nuk ndodhi. A është i vetëdijshëm komuniteti ndërkombëtar se çfarë do të ndodhë nëse do të zgjatet status quo – ja?

Para së gjithash ishte gabim i madh që SHBA dhe BE nuk kanë lëvizur në mënyrë më të shpejtë për pavarësinë e Kosovës. Presidenti Bush në mandatin e tij të parë e ka injoruar çështjen që është humbje tragjike e mundësisë sepse kishte në Serbi një kryeministër reformist si Gjingjiç, ministri i punëve të jashtme Stefanoviç ishte i lindur në Pejë dhe e njihte rajonin dhe rusët nuk ishin të vendosur siç janë tani. Kjo i takon historisë tani por mbetet një mundësi e humbur.

E dyta, është momenti i fundit që të shkojmë përpara. Periudha e OKB-së duhej të kishte përfunduar shumë më parë. Në Timorin Lindor, ku situata ishte paksa më e ndryshme por e kënaqshme, periudha pas largimit të autoritetve indoneziane deri te pavarësia ishte vetëm dy vite e gjysëm ndërsa këtu kemi tetë vite që është kohë shumë e gjatë. Njerëzit mësohen të gjallojnë me këtë gjendje të paqartësisë së statusit që bëhet një rutinë. Pra tani duhet ecur përpara njëherë e përgjithmonë.

Ne nuk e dinim se do të jetë një proces kaq i gjatë kur filloi para 7 vitesh. Jo, se kemi ditur!  Por, gjithësesi duhej lëvizur më shpejt. Por, shiko, jemi ku jemi dhe 120 ditë krahasur me historinë shqiptare nuk është kohë e gjatë. Tani është me rëndësi që të mos humbet durimi dhe të veprohet me mençuri dhe gjakftohtësi. Mos harroni se do të ketë njerëz në të dyja anët që do të përpiqen t’i ngatërrojnë punët duke provokuar njëri tjetrin. Dhuna etnike mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë tani do të ishte shkatërrimtare dhe një dhuratë për kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës. Pra çështja më e rëndësishme është që populli i Kosovës edhe pse është i frustruar dhe i injoruar, gjë që e kuptoj tërësisht dhe solidarizohem me të,  duhet të kuptojë dhe të lejojë që këto 120 ditë të kalojnë në qetësi dhe gjatë këtyre ditëve Ekipi i Unitetit duhet të përgatitet për pavarësinë sepse Kosova do të pavarësohet.

Kosova është duke pritur pavarësinë që nga viti 1912 kështu që edhe 120 tjera nuk do të çojnë peshë të madhe.

A do ta kemi pavarësinë pas 120 ditësh?

Po do ta keni. Pas 120 ditësh do ta keni pavarësinë. Nuk jam i sigurt se a do të jetë ditën e 121-të por do ta keni, edhe pse të gjithë nuk dëshirojnë që ju të merrni pavarësinë. Por ju duhet ta merrni pavarësinë dhe do ta merrni sepse kjo është qenësore.

Si e komentoni që negociatat për 120 ditë do t’i udhëheqë treshja BE, SHBA dhe Rusia?

Me sa di unë koncepti i përpjekjeve për negociata do të udhëhiqet nga Sekretari I Përgjithshëm i OKB – së.

Si e komentoni dështimin e Rezolutës në Këshillin e Sigurimit?

Rezoluta nuk kaloi sepse Rusia tha se do ta përdorte veton që do të thoshte se vendet propozuese ose të shkonin përpara e ta parqitnin rezolutën dhe kur të përdorej vetoja ta injoronin atë, ose ta tërhiqnin nga tryeza që mos të shkohej deri të përdorimi i vetos që unë mendoj se ka qenë veprim i qëlluar. Dua t’i përkujtoj lexuesit tuaj se të njëjtën gjë kemi bërë edhe në vitin 1999 kur rusët kërcënuan se do të përdorin veton ndaj rezolutes për çlirimin e Kosovës. Ne u tërhoqëm nga tryeza e Këshillit të Sigurimit dhe e parashtruam tek NATO – ja, morëm aprovimin e NATO – s dhe filluam bombardimin 78 ditëshe, që çuan në çlirimin e Kosovës.

Si e komentoni përshtypjen se Rusia është duke marrë epërsinë ndaj Perëndimit?

Rusia nxori një pengesë të madhe ndaj rrugëtimit të Planit të Ahtisarit drejt pavarësisë së Kosovës. Kjo s’do të thotë se Rusia ka marrë epërsinë por thjesht se ka shkaktuar një problem jo të vogël.

A do të paraqitet rezoluta e Kosovës përsëri para Këshillit të Sigurimit?

Kjo ka përfundur për Këshillin e Sigurimit. Vetëm nëse besojmë se Rusia do ta ndërrojë qëndrimin e vet, gjë të cilën nuk e besoj. Rusët janë të vendosur se janë ende të mllefosur me atë që ka ndodhur në vitin 1999, kur u anashkaluan nga Presidenti Clinton dhe ekipi ynë dhe ju e mbani mend se unë kam qenë ai që i përcolli ultimatumin final Millosheviçit të cilit i kam thënë se po qe se nuk i pranon kushtet tona do të fillojmë bombardimin sapo të largohem nga këtu. Siç e dini, ai nuk i pranoi kushtet tona dhe bombardimi filloi sapo u largova. Pra, rusët ende ndihen të përulur nga ai proces dhe tani po mundohen që të marrin hak dhe gjithçka bëjnë është se ata po krijojnë probleme për veten e tyre dhe për rajonin sepse nuk do të kenë sukses.

Unë nuk besoj se serbët do të pranonin diçka që do të vinte nga Prishtina apo nga Plani i Ahtisarit.

Sa i rëndësishëm është qendrimi rus në zgjidhjen e statusit të Kosovës?

Eshtë një ndërlikim i dukshëm por presidenti Bush ka thënë se Kosova do të jetë e pavarur dhe ne do ta njohim.

Sa reale janë gjasat që të ketë një unitet brenda BE-së?

Nuk do të ketë unitet brenda BE-së.

Atëhere si do të kalohet nëpër këtë proces?

Ju duhet të levizni edhe vetë. Po qe se nuk ka marrëveshje pas 120 ditësh, ju duhet të veproni vetë.

Domethënë duhet të shpallim pavarësinë?

Më lejoni që të jem tërësisht i qartë. Po qe se nuk ka marrëveshje mes shqiptarëve dhe serbëve pas 120 ditësh, atëhere udhëheqja në Prishtinë do të ketë opcionin e shpalljes së pavarësisë në mënyrë të njëanshme dhe SHBA do ta njohin atë. Po BE-ja? Aty janë 26 shtete. Disa do ta njohin e disa jo. Nuk do të ketë unanimitet. Ma merr mendja se edhe vendet muslimane do ta njohin Kosovën. Rusia gjithësesi nuk do ta njohë. Unë nuk mendoj se grekët dhe britanikët do të veprojnë njësoj.

Presidenti serb Tadiç deklaroi në një intervistë lidhur me anëtarësimin e Serbisë në BE se “BE nuk ka paraqitur ultimatum ndaj udhëheqjes serbe se Serbia nuk mund të antarësohet në Europë me Kosovën brenda kufijve”. A mendoni se Serbia mund të antarësohet në BE në këto rrethana?

Unë nuk mund të flas për BE-në sepse ata kanë format e tyre të punës por mund të them këtë: Do të ishte gabim dhe dështim po qe se i lejohet Serbisë që të fillojë procesin sa kohë që çështja e Kosovës nuk është zgjidhur. Pas kësaj Serbia mund të fillojë procesin per integrim në BE e gjithashtu edhe Kosova  duhet të bëhet e pavarur dhe anëtare në BE. Duhet t’u bëhet e qartë serbëve se po qe se i bashkohen BE-së, të mos e përdorin veton kundër anëtarësmit të Kosovës e as të Bosnjes ne BE.

Si i komentoni opinionet se pas qëndrimit refuzues të Rusisë ndaj zgjidhjes së statusit të Kosovës fshihet synimi për ndarjen e pjesës veriore të saj?

Me sa kam kuptuar, ai variant nuk është në tryezë fare dhe nuk do të ketë ndarje të Kosovës nëse qeveria e Prishtines nuk e dëshiron.

Që të ketë diçka të tillë duhet të ketë marrëveshje të përbashkët?

Kjo është pikëpamja ime.

Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Mun kohë më parë në raportin e tij tërhoqi vëmendjen se po qe se nuk ka zgjidhje të shpejtë për statusin e Kosovës, progresi i arritur në Kosovë është në rrezik. Dhe ja ku jemi pa zgjidhje edhe për 120 ditë. Çfarë pastaj po qe se nuk ka zgjidhje edhe pas këtyre 120 ditësh?

Nuk mund të ndodhë. Duhet medoemos që të ketë një zgjidhje pas këtyre 120 ditëve. Nuk mund të vazhdohet më kështu. Kjo është vonuar dhe shtyrë më tepër se ç’duhet dhe bindja ime është se këto 120 ditë janë zgjatja e fundit.

A nuk do të ishte më lehtë që SHBA ta kishte njohur në mënyrë të njëanshme pavarësinë e Kosovës kur e çliroi në vitin 1999?

Në atë kohë nuk ka qenë e mundur. Gabim do të ishte të mos negociohej një marrëveshje me OKB-në. Duhej të kalohej nëpër procesin e negociatave. Duhej që ta kishim Rezolutën 1244 e cila në atë kohë ishte një rezolutë e mirë që e largoi qeverinë serbe tërësisht nga Kosova. Periudha kalimtare  ishte shumë e gjatë e kjo ishte gabim, gabim i madh, gabim katastrofik i Administratës së Presidentit Bush.

Për fund, çfarë do t’i këshillonit kosovarët në këto kohë?

Numër një, Kosova do ta marrë pavarësinë së shpejti edhe pse jo kur e kemi pritur, por së shpejti. Numër dy, çështja më me rëndësi është që Ekipi i Unitetit ta shfrytëzojë këtë kohë që të jetë gati për pavarësinë dhe që populli i Kosovës kurrsesi të mos hyjë në dhunë etnike mes serbëve dhe shqiptarëve sepse kjo, pra dhuna ndëretnike, do të ishte dhurata dhe kontributi më i madh që do t’i jepnit kundërshtarëve të pavarësisë.

Comment

*